Analize22 Jan 2015

Infografik, taksat dhe malli te çmimi i naftës

Ndërsa qeveria dhe opozita grinden se cila është përgjegjëse për çmimin e lartë të karburanteve në vend, ky infografik mund t’ju ndihmojë të kuptoni se çfarë paguani sa herë që mbushni makinën me karburant.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Untitled-1Sa herë që një shqiptar paguan 165 lekë për një litër naftë, ai paguan një mori taksash. Akciza paguhet në masën 37 lekë. Kësaj i shtohet taksa e karbonit, 3 lekë dhe taksa e qarkullimit, 27 lekë. Tatimi mbi Vlerën e shtuar paguhet për të gjithë çmimin final në masën 20 për qind. Por kjo do të thotë që për pjesën e taksave të tjera, pra akcizë, taksë karboni apo taksë qarkullimi, TVSH është një shumë fikse që nuk varet nga luhatja e çmimit të naftë. Kështu, për të tri taksat të cilat sëbashku marrin 67 lekë, paguhet TVSH prej 13.4 lekë. Përveç kësaj, paguhet TVSH e zakonshme mbi çmimin fundor, i cili aktualisht është rreth 165 lekë për litër, gjë që shton edhe 19 lekë të tjera TVSH për një total prej 100 lekësh për litër.

Nga importi deri te pika e karburantit janë edhe një sërë taksash të tjera, si psh taksa e markimit, 1 lekë për litër, kostoja e magazinimit, 0.1 lekë, taksa të ndryshme për pushtetin vendor nga pikat e karburantit etj, të cilat nuk mund të kuantifikohen lehtë. Por në total, taksat mbi naftën variojnë nga 98 deri në 104 lekë për litër. Luhatja shkaktohet se një pjesë e TVSH-së së paguar lidhet me çmimin e importit ndërsa pjesa tjetër, me taksat fikse.

Të ardhurat e qeverisë nga karburantet vlerësohet se arrijnë në mbi 700 milionë dollarë në vit. Rreth një në çdo pesë lekë taksa të mbledhura nga qeveria vjen pikërisht nga hidrokarburet.

Përgjatë viteve të fundit, qeveritë e kanë parë të arsyeshme të risin taksat mbi naftën sa herë e kanë parë veten në vështirësi për të mbushur deficitin buxhetor.

Akciza qe 27 lekë për litër deri në vitin 2005 dhe u bë 37 lekë për litër gjatë qeverisjes së mëparshme të Partisë Demokratike. E njëjta qeveri shtoi edhe taksën e karbonit në masën 3 lekë dhe taksën e qarkullimit në masën 7 lekë. Qeveria aktuale e rriti taksën e qarkullimit në 27 lekë.