AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Opinion

“Revolucioni i Flamingove” shkon përtej Kushnerit dhe zogjve

Shqiptarët që protestojnë nuk janë kundër resorteve turistike apo investimeve të huaja, por janë lodhur duke u trajtuar si subjekte pasive të vendimeve të marra nga pushtete më të larta.

Jezerca TiganingaJezerca Tigani
46 minutes më parë
në Opinion, Revolucioni i Flamingove
Koha e leximit: 8 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
protest 2 e1781101587638
Shqiptarët u mblodhën të martën para Zyrës së Kryeministrit. Foto: BIRN.

Sa herë që vizitoj Shqipërinë, biseda është gjithmonë e njëjta – jo për politikën, zgjedhjet, aeroportin e ri apo premtimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Flitet për largimin. Prej disa vitesh, vendin e ka pushtuar një ndjenjë apatie, një lloj dorëzimi kolektiv, në një shoqëri që për dekada me radhë është ushqyer me idenë se e ardhmja e saj ndodhet diku tjetër.

Pikërisht për këtë arsye, flamingot më tërhoqën menjëherë vëmendjen.

Kur, në fund të majit, nisën të qarkullonin videot e buldozerëve që shkatërronin ligatinat e mbrojtura të Zvërnecit, të punonjësve të sigurisë private që tërhiqnin zvarrë një protestues nëpër rërë ndërsa policia qëndronte duarkryq dhe të telave me gjemba që po ngriheshin përgjatë bregdetit, prisja reagimin e zakonshëm shqiptar: një psherëtimë, një ngritje supesh, atë komentin e qetë se kështu funksionojnë gjërat këtu; se asgjë nuk ndryshon; se ata që kanë ndikim tashmë janë larguar.

Por kësaj here, mijëra vetë dolën në rrugët e Tiranës. Pastaj dolën edhe mijëra të tjerë. Më pas, protesta solidariteti shpërthyen në qytete të ndryshme të Evropës dhe Amerikës së Veriut, të organizuara nga diaspora shqiptare — pikërisht nga ata njerëz që kishin emigruar. Nga larg, ata po ndiqnin zhvillimet dhe, ndoshta për herë të parë pas shumë kohësh, po gjenin një kauzë që i bënte të ndiheshin sërish të lidhur me vendin e tyre.

Në duar mbanin flamingo rozë dhe pankarta me mbishkrimin: “Shqipëria nuk është në shitje”. Nuk dukeshin si njerëz që kishin hequr dorë.

Diçka ka ndryshuar. Dhe për ta kuptuar këtë ndryshim, nuk mjafton të shohësh vetëm projektin e resortit të lidhur me Jared Kushner-in, dhëndrin e Donald Trump-it. Duhet të kuptosh edhe dekadat e braktisjes, pazaret gjeopolitike dhe shpërfilljen politike që e kanë sjellë vendin deri në këtë pikë dhe që e kanë bërë këtë moment pothuajse të pashmangshëm.

Marrëveshja që ndezi zemërimin publik

protest 8 e1781101227480
Shqiptarët protestuan të martën, ditën e dhjetë radhazi të protestave, përpara Zyrës së Kryeministrit. Foto: BIRN.

Projekti në qendër të protestave është një zhvillim luksoz i planifikuar, i lidhur me firmën Affinity Partners të Kushner, që përfshin ishullin e pabanuar të Sazanit dhe disa qindra hektarë ligatina të mbrojtura bregdetare në territorin përballë tij.

Këto ligatina përbëjnë një nga vijat e fundit bregdetare të egra në Evropë dhe janë habitat i flamingove, fokave mesdhetare murg dhe zonave ku breshkat e detit ndërtojnë foletë e tyre. Vlera e investimit vlerësohet deri në 4 miliardë euro dhe projekti parashikon rreth 10.000 dhoma hotelesh, vila, një port jahtesh si edhe shndërrimin e një ish-baze ushtarake të periudhës sovjetike në një resort luksoz të menaxhuar nga Aman Resorts.

Qeveria shqiptare i ka dhënë kompanisë së Kushner-it statusin e “investitorit strategjik”, një përcaktim që mundëson përshpejtimin e procedurave të lejeve dhe përjashtime të ndryshme administrative. Punimet nisën në fund të prillit, pa u kryer vlerësime të ndikimit në mjedis dhe pa konsultim publik.

Më 31 maj, bashkëshortja e Kushner-it, Ivanka Trump, deklaroi në një podcast se ajo dhe Kushner-i e kishin “zbuluar” Sazanin ndërsa notonin aty pranë pasi ishin kredhur nga jahti i një miku. Në një vend ku ky ishull kishte qenë pronë publike për breza të tërë dhe ishte klasifikuar si zonë ushtarake pikërisht për të ruajtur paprekshmërinë e tij, sugjerimi se ai kishte pritur të zbulohej dhe se tani mund të shndërrohej në një resort privat shkaktoi po aq zemërim sa edhe vetë buldozerët.

Që atëherë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka hapur një hetim mbi riklasifikimin e zonës së mbrojtur, vendim që i hapi rrugën realizimit të kësaj marrëveshjeje.

Mes dy fuqive

protest 3 e1781101291653 (1)
Protestues në Tiranë. Foto: BIRN.

Do të ishte joshëse që kjo histori të paraqitej thjesht si një rast i tejkalimit të kufijve nga Amerika – një marrëveshje biznesi e familjes Trump që shkoi shumë larg. Por një analizë e balancuar nxjerr në pah një realitet më të pakëndshëm, si për Uashingtonin, ashtu edhe për Brukselin.

Shqipëria e ka kaluar vitin e fundit duke ecur me shpejtësi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me një ritëm që shumë analistë e përshkruajnë si të çuditshëm. Pasi hapi të gjithë grup-kapitujt e negociatave me BE-në në më pak se 12 muaj, vendi është paraqitur si nxënësi model nga Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Kos e ka cilësuar Shqipërinë si “shembullin më të mirë të fuqisë transformuese të zgjerimit”. Ndërkohë, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i tha kryeministrit Edi Rama se anëtarësimi në BE para vitit 2030 ishte “plotësisht i mundur”.

Megjithatë, e vërteta e pakëndshme është se ky përshpejtim ka shumë pak lidhje me reforma të mirëfillta. Ai është kryesisht një përgjigje gjeopolitike ndaj pushtimit rus të Ukrainës, ndërsa Brukseli përpiqet me nxitim të konsolidojë Ballkanin Perëndimor brenda orbitës së tij përpara se Moska ose Pekini të forcojnë më tej ndikimin e tyre në rajon.

Vetë Rama tha: “Po të mos ishte lufta në Ukrainë dhe kjo situatë në BE, ndoshta dyert do të ishin ende të mbyllura.”

Ndërkohë, reformat thelbësore – pavarësia e gjyqësorit, liria e medias dhe lufta kundër korrupsionit institucional – mbeten ende të papërfunduara.

Nga ana tjetër, edhe Uashingtoni ka lojën e vet. Që nga rikthimi i Trump-it në pushtet, Ballkani Perëndimor është shndërruar në një terren ku po zgjerohet ndikimi ekonomik amerikan, me investitorë amerikanë që po hyjnë në sektorët e energjisë, pasurive të paluajtshme dhe turizmit në të gjithë rajonin.

Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, ka deklaruar se “Presidenti Trump po hap një epokë të re bashkëpunimi me Evropën Jugore, Qendrore dhe Lindore”.

Shqipëria, një aleate besnike e NATO-s që ka mbështetur me entuziazëm veprimet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, është bërë një destinacion tërheqës për këto interesa. Rama ka folur publikisht me tone shumë pozitive për “privilegjin e madh të bashkëpunimit” me administratën Trump. Në këtë kontekst, marrëveshja me Kushner-in nuk ishte një përjashtim nga rregulli; ajo ishte vazhdimi logjik i një marrëdhënieje që kishte kohë që po ndërtohej.

Në pritje pafund në sallën e pritjes

Përpara se të kritikohet qeveria apo qytetarët shqiptarë se po tregohen të paduruar me Brukselin, vlen të kujtohet se çfarë rruge i ka kërkuar Bashkimi Evropian këtij vendi të përshkojë.

Shqipëria aplikoi për anëtarësim në vitin 2009 dhe mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014, pas pesë vitesh kushtesh dhe kërkesash. Më pas, Franca dhe Holanda bllokuan hapjen e negociatave formale për gjashtë vite të tjera, duke kërkuar një metodologji të re të zgjerimit. Bisedimet zyrtare nisën më në fund vetëm në korrik të vitit 2022.

Vetë Rama e përshkroi me ironi këtë situatë në samitin BE–Ballkani Perëndimor të vitit 2022, duke iu referuar dramës absurde Duke pritur Godonë (Waiting for Godot): “Shqipëria është Estragoni, Bashkimi Evropian është Samuel Beckett-i.”

Një brez i tërë shqiptarësh është rritur duke dëgjuar vazhdimisht se e ardhmja e vendit të tyre ndodhej në Evropë, vetëm për të parë vit pas viti se si objektivi zhvendosej, kushtet shtoheshin dhe premtimi bëhej gjithnjë e më i largët.

Kërkesat e Bashkimit Evropian kanë qenë të pandërprera dhe shpesh rraskapitëse nga pikëpamja procedurale: reforma në drejtësi, objektiva kundër korrupsionit, reformimi i administratës publike, standarde mjedisore, vlerësime mbi sundimin e ligjit, raporte shqyrtimi, vlerësime të grup-kapitujve negociues, përmbushja e etapave të IBAR-it.

Ka qenë një proces i ndërtuar më shumë për të administruar pritjen sesa për të mirëpritur anëtarësimin; një labirint burokratik që kërkon përmbushje të vazhdueshme të kushteve, pa ofruar zhvillim ekonomik, mekanizma të fuqishëm investimesh apo një perspektivë konkrete mundësish që do t’i bënte shqiptarët të dëshironin të qëndronin në vendin e tyre.

Ndërkohë, vendi vazhdon të humbasë njerëz. Çdo vit pritjeje, rreth 50 mijë persona largohen nga Shqipëria. Çdo afat i shtyrë dhe çdo kusht i papërmbushur shtyn një tjetër profesionist të kualifikuar të arrijë në përfundimin se, edhe nëse anëtarësimi në BE realizohet një ditë, ai do të vijë pasi fëmijët e tij të jenë rritur diku tjetër.

Që nga viti 1990, Shqipëria ka humbur afro një milion banorë. Nga një popullsi që arriti kulmin me rreth 3,3 milionë banorë, vendi sot numëron vetëm rreth 2,4 milionë rezidentë, duke regjistruar një tkurrje prej 21 për qind që nga fillimi i mijëvjeçarit — tkurrja demografike më e thellë në Evropë jashtë zonave të konfliktit të armatosur. Sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, nëse kjo prirje nuk përmbyset, popullsia e Shqipërisë mund të bjerë nën 2 milionë banorë deri në vitin 2050.

Është një vend që po zbrazet nga brenda.

Zemërim që është mbledhur për dekada

shqiperia 1
Dhjetramijëra qytetarë mbushën bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në ditën e 11 të protestës. Foto: Xhemali Moku/ BIRN.

“Revolucioni i Flamingove” nuk është, pavarësisht pamjes së jashtme, kryesisht një protestë kundër një resorti luksoz. Fatkeqësisht, as nuk ka të bëjë vetëm me flamingot. Ai lidhet me diçka që është grumbulluar për gati 40 vjet. Me refuzimin e shqiptarëve për të vazhduar të trajtohen si subjekte pasive të vendimeve të marra mbi kokat e tyre, si njerëz të trajtuar vazhdimisht me përçmim.

Kjo nuk është një protestë kundër zhvillimit. Shqiptarët nuk janë kundër investimeve, turizmit apo modernizimit të vendit të tyre. Ajo që ata kundërshtojnë është përvoja e përsëritur e përjashtimit nga vendimmarrja për tokën e tyre, institucionet e tyre dhe të ardhmen e tyre.

Zhvillimi në Sazan/Zvërnec është vendosur midis qeverisë shqiptare dhe një investitori të huaj. Banorët lokalë e mësuan përmasën e tij vetëm pasi vendimi ishte marrë. Kur dolën për të kundërshtuar, u përballën me tela me gjemba dhe roje private. Kur pamjet e dhunës u bënë publike, reagimi i qeverisë ishte të mbrojë investimin dhe të sulmojë protestuesit.

Dhe, si në rastin e Sazanit dhe Zvërnecit, bregdeti dhe malet janë të mbushura me koncesione të dhëna zhvilluesve dhe oligarkëve. Pjesët më të bukura të Shqipërisë janë shpërndarë në heshtje mes të pasurve. Shqiptarët e zakonshëm nuk mund të përballojnë të hyjnë në resortet që po ndërtohen mbi tokën që dikur ishte e tyre.

Reagimi i Ramës ndaj kësaj situate ka qenë, në mënyrën e vet, po aq domethënës sa edhe trajtimi i protestuesve. Në CNN International, ai hodhi poshtë raportimet për trazira në mbarë vendin: “Nuk ka protesta në të gjithë Shqipërinë. Ka një protestë në kryeqytet.” Ai e përshkroi lëvizjen si një fushatë të koordinuar dezinformimi, duke pretenduar se Shqipëria ishte “nën sulm” nga konkurrentë dhe rrjete online që përhapin informacione të rreme.

Ai u tha protestuesve, përfshirë të rinjtë që kishin dalë me mijëra, se ata “me qëllime të mira” thjesht ishin “keqinformuar rëndë”. Kur u vu përballë pyetjeve, deklaroi prerë: “Nuk ka asnjë mundësi që ky investim të ndalet.”

Asnjë ofertë dialogu. Asnjë takim publik, asnjë sesion pyetje-përgjigje, madje as gjesti minimal politik për të pranuar se dhjetëra mijëra qytetarë mund të kenë pyetje legjitime.

Lëvizjet nuk rriten sepse qeveritë i injorojnë. Ato rriten sepse qeveritë i trajtojnë me përçmim. Sa herë që Rama tallet me një protestues të ri, ai vetëm po forcon arsyet që i kanë sjellë ata në rrugë. Arroganca nuk është aksidentale. Ajo është thelbi. Protestat ende nuk kanë një shtëpi politike; opozita shqiptare është shumë e dobët dhe e komprometuar për ta kanalizuar këtë energji. Por lëvizjet që lindin pa një kanal politik kanë tendencë të krijojnë vetë një të tillë.

Jam e prekur nga këto protesta në mënyra që nuk i prisja, jo vetëm si shqiptare që e ka ndjekur vendin nga larg për shumë kohë, por si dikush që ka punuar në vende ku guximi qytetar është i rrallë dhe i kushtueshëm.

Ky është guxim qytetar. Ai meriton mbështetje: nga shoqëria civile, nga institucionet evropiane, nga diaspora. Dhe kërkon që shqiptarët brenda vendit të mos dorëzohen. Ky është fillimi i një kulture politike që kërkon llogaridhënie, përfshirje – dhe të drejtën themelore për vetëvendosje.

Jezerca Tigani është një drejtuese ekzekutive ndërkombëtare dhe aktiviste për të drejtat e njeriut me mbi 20 vite përvojë në Ballkanin Perëndimor, Evropë dhe Lindjen e Mesme. Ajo ka shtetësi shqiptare dhe britanike.

Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autores dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

Etiketa: Afera e ZvërnecitEdi RamaInvestimi ne SazanIshulli i SazanitIvanka TrumpJared KushnerPishë Poro -NartëProtestaResorti ne ZvërnecRevolucioni i Flamingove
Tjetri
meta

Si u nda Gjykata Kushtetuese për mënyrën e arrestimit të Ilir Metës

meta

Si u nda Gjykata Kushtetuese për mënyrën e arrestimit të Ilir Metës

10:16 | 15/06/2026
protest 2 e1781101587638

“Revolucioni i Flamingove” shkon përtej Kushnerit dhe zogjve

09:31 | 15/06/2026
Saga e ‘seancës paraprake’ për çështjen Veliaj, 4 muaj jashtë afatit

Lobimi i Erion Veliajt fokusohet tek institucionet që mbështesin SPAK në SHBA

09:28 | 15/06/2026
marjana koceku

Deputetja braktis PS-në ndërsa protestat kundër qeverisë zmadhohen

19:52 | 14/06/2026
Lufta për tregun e kokainës hedh dritë mbi lidhjet e krimit shqiptar në Suedi

Si u trafikuan tonelata me kokainë nga Amerika Latine në portet e Europës

10:44 | 14/06/2026
Nërtime, Tiranë, beton, pallate

Drogë – Beton: Lidhjet e ndërtuesit Ilir Shtufi me paratë e trafikut të kokainës

10:26 | 13/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.