Lajm15 Jan 2020

Inspektoriati i Punës shfajëson Albchrome për shkarkimin e minatorëve

Përmes një raporti përfundimtar më 27 dhjetor, Inspektoriati Shtetëror i Punës mbylli hetimet për kompaninë minerare, duke mos gjetur shkelje në shkarkimin e 4 minatorëve-anëtarë të sindikatës së re. Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e cilëson hetimin të cekët dhe të njëanshëm.

Autor: Sami Curri BIRN Tiranë
Printo

Anëtarët e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës në një takim me zyrtarë të Inspektoriatit të Punës në Bashki. Foto nga SMBB.

Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka mbyllur më 27 dhjetor hetimet ndaj kompanisë minerare Albchrome, duke arritur në përfundimin se nuk kishte gjetur shkelje në shkarkimin e minatorëve –anëtarë të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

Në raportin përfundimtar, Inspektoriati thotë se kompania nuk kishte pasur asnjë shkelje apo ndërhyrje në veprimtarinë sindikale të Sindikatës dhe se nuk ishte njoftuar me shkresë për themelimin e saj.

“Ne nuk kemi arritur të provojmë asnjë nga shkeljet e pretenduara nga minatorët, pjesë e SMBB. Kjo pasi kompania nuk është njoftuar me shkresë dhe sipas procedurave të parashikuara në kodin e punës nga sindikata,” i tha BIRN Roland Kurti, drejtori rajonal për ISHPSHSH në Dibër.

Kompania Albchrome përshëndeti raportin, ndërsa i cilësoi protestat e Sindikatës si përpjekje për destabilizim. Raporti po ashtu u duartrokit edhe nga sindikata rivale, Federata Sindikale e Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, e cila pretendoi se raporti e kishte gjetur protestën e SMBB-së si të paligjshme.

Nga ana e saj, SMBB akuzoi Inpektoriatin për hetim të cekët, njëanshmëri dhe për citim të fakteve të rreme, kryesisht sa i përket kohës kur kompania ishte njoftuar për krijimin e sindikatës së re.

Përplasja mes SMBB-së dhe Albchrome filloi vetëm pak ditë pas njoftimit publik për krijimin e sindikatës më 17 nëntor në qytetin e Bulqizës. Pak ditë më vonë, kompania Albchrome shkarkoi nga puna për shkelje të disiplinës kreun e saj, Elton Debreshi. Shkarkimi i Debreshit u pasua me shkarkimin e tre minatorëve të tjerë dhe u pasua me protesta.

Inspektoriati i Punës njoftoi në nëntor fillimin e hetimeve për këto shkarkime dhe në fund të dhjetorit doli me raportin që shfajëson kompaninë.

Roland Kurti, drejtori rajonal për ISHPSHSH, Dibër tha se kompania duhej të ishte informuar menjëherë për sindikatën, sipas rregullave të përcaktuara në Kodin e Punës.

Në raport përcaktohet se nuk ishin zbatuar nenet 163 dhe 164, edhe pse jo specifikisht se si ishin shkelur këto nene. Siç del nga Kodi i Punës, nenet rregullojnë mënyrën se si lidhet kontrata kolektive dhe se si përcaktohet sindikata më e përfaqësuar dhe jo formën e njohjes së kompanive punëdhënëse me ekzistencën apo jo të një sindikate.

I vetmi rregullim për këtë është neni 178 i cili përcakton se sindikata fiton “personalitet juridik pas 60 ditëve nga dorëzimi i statutit në Gjykatën e Tiranës”, ndërsa ligji nuk përmend ndonjë detyrim apo formë se si sindikata i njoftohet punëdhësit.

SMBB u njoh ligjërisht më 15 tetor 2019 nga Gjykata e Tiranës, ndërsa pretendon edhe se ka edhe numrin më të madh të anëtarëve. Albchrome nga ana e saj pretendon se ka marrë dijeni për krijimin e sindikatës vetëm më 16 dhjetor, disa javë pasi kishte shkarkuar drejtuesin e saj.

SMBB e ka kundërshtuar këtë fakt duke pretenduar se i kishte dërguar shkresa zyrtare kompanisë që më 24 nëntor dhe se njoftimi i sindikatës ishte bërë publikisht në media më 17 nëntor në qendër të Bulqizës.

Nga ana tjetër, Inspektoriati i punës ka analizuar vetëm shkarkimin për rastin e Debreshit se ky i fundit kishte nënshkruar një procesverbal në të cilin pranonte pak a shumë gjetjet e kompanisë. Inspektoriati thotë se nënshkrimi i procesverbalit në fjalë, ku pranohen mungesa për të cilat nuk ishin paraqitur raporte mjekësore, i jepte të drejtë kompanisë për të zgjidhur kontratën.

Nga ana e saj, Prokuroria e Dibrës e cila kishte marrë kallëzim për protestën e fillimit të dhjetorit nga kompania Albchrome, njoftoi mosfillimin e hetimeve. Në vendim, prokuroria thotë se protesta kishte qenë e ligjshme dhe ishte në respekt të të drejtave të garantuara në kushtetutë.