Analize22 May 2020

Izolimi gjatë pandemisë, katalizator i dhunës ndaj grave dhe vajzave

Organizatat e shoqërisë civile raportojnë rritje të dhunës në familje për shkak të izolimit gjatë dy muajve të pandemisë, ndërsa shprehin shqetësimin se situata e jashtëzakonshme detyroi shumicën e viktimave që të vuanin në heshtje.

Autor: Nensi Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Gjatë protestës së një grupi aktivistesh më 8 mars 2020. Foto: Nensi Bogdani.

Organizatat e shoqërisë civile raportojnë rritje të dhunës në familje gjatë muajve të izolimit si pasojë e pandemisë së COVID-19, e diktuar kryesisht nga bashkëjetesa e gjatë nën një çati me dhunuesit. Organizatat e fokusuara tek mbrojtja e grave dhe vajzave shprehen gjithashtu të shqetësuar se izolimi ka rritur presionin dhe ka përkeqësuar edhe më tej situatën e e viktimave të mëparshme të dhunës në Shqipëri.

Kufizimet e lëvizjes, karantina dhe bllokimi total i qarkullimit në fundjavë kanë qenë disa nga masat e aplikuara nga qeveria shqiptare për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri. Por shtëpia nuk ka qenë një vend i sigurt për dhjetra gra dhe vajza shqiptare.

Ines Leskaj, drejtuese ekzekutive e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas, AWEN, i tha BIRN se niveli i dhunës u rrit ndjeshëm gjatë muajve mars dhe prill.

“Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, këtë vit gjatë marsit dhe prillit  është shënuar një rritje e numrit të raportimeve të rasteve të dhunës në familje,” tha Leskaj për BIRN.

Mentaliteti maskilist dhe problemet në edukim konsiderohen si faktorët kryesorë që nxisin dhunën në familje në Shqipëri, shoqëruar këto edhe me problemet e theksuara ekonomike dhe sociale. Psikologët argumentojnë gjithashtu se bilanci është përkeqësuar edhe nga depresioni si pasojë e izolimit dhe e situatës pandemike.

“Unë mendoj se ka gjasa që dhuna në familje do ketë rritje frekuenciale dhe në intensitet…  Aktualisht jemi në fazën e depresionit për shkak të  situatës së krijuar nga kufizimet e shumta deri tani,” paralajmëron psikologu klinik, Fatjon Taipi, këshillues në qendrën “Gruaja tek Gruaja”.

Raportimi i dhunës

Një vrojtim kombëtar i publikuar nga INSTAT në vitin 2019 sugjeron se shoqëria shqiptare ka një tolerancë të lartë ndaj dhunës në familje. Sipas vrojtimit, mbi 50 për qind e grave mendojnë se shumica e njerëzve në komunitetet e tyre besojnë se dhuna midis burrit dhe gruas është një çështje private mes tyre, ndërsa 46.5 % thanë se komuniteti beson se një grua duhet të durojë njëfarë dhune për të ruajtur familjen.

Mentaliteti është një nga faktorët kryesorë që frenon denoncimin e dhunës dhe sipas aktivistëve të qendrës “Gruaja tek Gruaja” në qytetin e Shkodrës ka ndikuar edhe gjatë periudhës së pandemisë.

Gjatë dy muajve të pandemisë, organizata me qendër në Shkodër ka trajtuar me këshillime psiko-sociale 40 gra gjatë marsit dhe 45 gra gjatë muajit prill – më pak se në periudhën paraardhëse.

Në të dy muajt e izolimit dominojnë gjithashtu rastet e përsëritura të dhunës, ndërkohë që denoncueset e reja kanë qenë në numra të limituar.

“Duke bërë një krahasim të dhënies së shërbimit gjatë këtyre katër muajve të fundit, arrijmë në konkluzionin që raportimet janë ulur, duke u ndikuar nga fakti i frikës nga bashkëjetuesi që ka qenë gjithë kohës në shtëpi, dhe frika që nuk do gjejnë mbështetjen e duhur në këtë kohë kur gjithçka ka qenë e pezulluar,” tha stafi i qendrës “Gruaja tek Gruaja” në Shkodër.

Hezitimi për denoncimin është rritur edhe për shkak të sjelljes së policisë apo ndryshimit të përparësive gjatë kohës së pandemisë.

“Fatkeqësisht në Shkodër shumë gra dhe vajza hezitojnë të raportojnë në polici, pasi oficerët e policisë nuk i marrin seriozisht viktimat dhe i këshillojnë ato të kthehen në shtëpitë e tyre, çka i bën dhe viktimat të mos u besojnë atyre,” tha një punonjës.

Të dhënat e siguruara nga Gjykata e Shkodrës e konfirmojnë uljen e raportimit gjatë muajve të pandemisë.

Në 4 muajt e parë të vitit 2020, Gjykata e Shkodrës ka dhënë 42 urdhra mbrojtje për shkak të dhunës në familje; ku nga 16 urdhra të dhënë në muajin shkurt kanë rënë në 9 për marsin dhe 9 për prillin.

Nga vrojtimet e tyre, psikologët kanë vënë re se statusi dominant i djemve dhe burrave ka qenë përherë një katalizator i dhunës në familje.

“Gruaja konsiderohet si pronë ekskluzive e burrit dhe çdo kontribut i saj në shtëpi konsiderohet si detyrë e saj. Shpeshherë mentaliteti patriarkal i bën ato të mendojnë që kanë të drejtë të ushtrojnë dhe dhunë ndaj gruas,” thanë ekspertët e organizatës në Shkodër, duke shprehur shqetësimin se dhuna e padenoncuar përshkallëzohet me kalimin e kohës.

Organizatat e shoqërisë civile raportojnë gjithashtu një përshkallëzim të fenomenit mes grupeve vulnerabël të shoqërisë, siç është komuniteti rom.

“Veçanërisht organizata të komunitetit Rom me të  cilat ne bashkëpunojmë, kanë  raportuar se gratë janë ato që  mbajnë peshën kryesore të të ardhurave në familje, por duke qëndruar të izoluara dhe në pamundësi për të punuar gjatë këtyre muajve, në këto familje është rritur ndjeshëm dhuna brenda tyre,” thotë Leskaj nga AWEN.

Mbyllja e strehëzave 

Aktivistët e shoqërisë civile protestuan kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave më 8 mars 2020. Foto: Nensi Bogdani.

Si shumë aktivitete të tjera në Shqipëri, edhe strehëzat e organizatave jo-fitimprurëse u detyruan të mbyllnin dyert ndaj pranimit të rasteve të reja gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19. Kjo situatë duket se i la viktimat e dhunës pa asnjë zgjidhje.

Shumica të papuna, nëna me fëmijë dhe në mungesë të një prone, gratë e ekspozuara ndaj dhunës në familje duhet të mendohen shumë herë përpara se të raportojnë bashkëshortët e tyre.

“Viktimat nuk kanë ku të shkojnë, e sidomos gjatë kësaj periudhe. Megjithatë mungesa për strehim është një problem i vazhdueshëm që vijon edhe jashtë kontekstit të karantinës për shkak të koronavirusit,” tha Ines Leskaj nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri.

Grupet e trajtuara nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri gjatë këtyre javëve janë pikërisht ato gra dhe vajza që kanë humbur punën për shkak të pandemisë dhe janë të varura ekonomikisht. Të detyruara të bashkëjetojnë në të njëjtat ambjente me dhunuesit si edhe pamundësia e familjarëve për t’i ndihmuar është një tjetër element që i pengon të raportojnë dhunën.

Grupet që rrezikojnë më shumë nga dhuna në familje janë ato që kanë qenë edhe para pandemisë në proces divorci apo me urdhër mbrojtjeje, por janë të detyruar të ndajnë të njëjtën shtëpi me bashkëshortët e tyre.

“Edhe pse gjatë këtyre 2 muajve të pandemisë kemi patur shumë telefonata nga gra dhe vajza për të kërkuar mbështetje psikologjike, ne mendojmë se numri i viktimave të dhunës në familje është akoma më i lartë. Por duke qenë gjithë kohës në shtëpi me dhunuesit, një pjesë e tyre nuk kanë mundur të shprehin shqetësimet nga frika e bashkëshortit,” përfundoi stafi i “Gruaja tek Gruaja”.