Spanja ka shumë atraksione – kuzhinë të shijshme, një klimë të butë, muzikë sublime dhe një histori interesante. Dhe tani ajo mund të shtojë edhe një titull tjetër. Sapo është cilësuar vendi më i shëndetshëm në botë.
Bloomberg ka grumbulluar shifra nga OKB-ja, Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, duke vlerësuar 169 vende bazuar në një sërë faktorësh duke filluar nga jetëgjatësia deri tek obeziteti, përdorimi i duhanit, cilësia e ajrit dhe qasja në ujë të pastër.
Rezultatet tregojnë se Spanja është ngritur në renditje nga vendi i gjashtë në të cilin ndodhej vitin e kaluar, duke zbritur kështu Italinë në vendin e dytë. Islanda, Japonia dhe Zvicra e ndjekin nga afër, në një listë që tregon korrelacionin midis shëndetit dhe pasurisë. Vendet me të ardhura të larta në Europë dhe në Paqësor dominojnë në krye të tabelës. Në kontrast me këtë, 17 nga 20 kombet e renditura më ulët janë në Afrikën Sub-Sahariane, së bashku me Jemenin, Afganistanin dhe Haitin.
Por edhe pse të ardhurat janë një tregues i fuqishëm, një vështrim në listë tregon se ekzistojnë qartë faktorë të tjerë në lojë. Shtetet e Bashkuara, ku jetëgjatësia ka rënë ndjeshëm si rezultat i mbidozave të lëndëve narkotike dhe vetëvrasjeve, është renditur vetëm e 35-ta në listë. Kjo është pesë vende më poshtë sesa Kuba, e cila është më e varfër, me historinë e saj të gjatë të investimit në kujdesin shëndetësor të financuar publikisht dhe theksin në mjekësinë parandaluese.
Kur është fjala për sistemet e kujdesit shëndetësor, faktori më i rëndësishëm duket të jetë si, sesa sa shumë, shpenzohen paratë. Spanja është veçuar për një rënie të ndjeshme të sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekjeve nga kanceri gjatë dekadës së fundit, pjesërisht si rezultat i politikave efektive të shëndetit publik të bazuara në shfaqjen dhe parandalimin. Sistemi i saj shëndetësor kryesisht financohet nga taksat publike dhe vepron mbi parimet e universalitetit, qasjes së lirë dhe drejtësisë financiare. Në thelb, të gjithë kanë të drejtë për të njëjtin nivel kujdesi pa marrë parasysh sa para kanë. Kujdesi i saj primar vlerësohet shumë, me mjekë familje të specializuar që veprojnë si rojtarë të sistemit shëndetësor.
Por shpenzimet e saj shëndetësore për kokë banori janë aktualisht nën mesataren e OECD-së, dhe vetëm sa një e treta e SHBA-së.
Dieta ushqimore është një tjetër faktor i rëndësishëm. Dieta mesdhetare e njohur në Spanjë dhe Itali është e pasur me perime, fruta të thata, fruta, peshk dhe drithëra të shëndetshme, si edhe me vaj ulliri. Studime të shumta kanë treguar se një dietë e tillë ka shumë përfitime mjekësore, veçanërisht në lidhje me sëmundjet e zemrës.
Dietat skandinave dhe ato të Azisë Lindore janë lidhur gjithashtu me një stil jetese më të shëndetshëm dhe ekziston një korrelacion i fortë midis renditjes së Bloomberg dhe nivelit të obezitetit.
Obeziteti është i lidhur gjithashtu edhe me një mënyrë jetese sedentare dhe vende si Zvicra dhe Suedia me shkallë të larta pjesëmarrjeje në sporte dhe aktivitete të tjera fizike renditen më lart në listë.
Ndoshta edhe siesta tradicionale e Spanjës luan një rol të rëndësishëm – me disa studime që thonë se një gjumë prej vetëm gjysmë ore mund të ketë përfitime të rëndësishme shëndetësore.
Deri në vitin 2040, parashikohet që Spanja të arrijë Japoninë dhe të mburret me jetëgjatësinë më të madhe në botë, me banorët e saj që arrijnë mesatarisht 86 vjeç. Deri atëherë, pjesa tjetër e botës do t’i vijë nga pas, me jetëgjatësinë e Kinës që pritet të kalojë atë të SHBA-së.
Në ndërkohë, keni justifikimin e përsosur për të marrë një sy gjumë pasdite para se të shijoni një paella për darkë. Viva España!
Marrë me autorizim nga Weforum.org. These are the world’s healthiest nations