Opinion14 Jan 2021

Kakofonia e emërtimit të rrugëve në Durrës

Prej më shumë se një dekade bashkia e ka pasur të vështirë të vendosë emra domethënës në rrugët e reja të Durrësit, megjithë historinë 3000 vjeçare të qytetit bregdetar.  

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Tiranë
Printo

Tabela e rrugës “Mikpritja durrsake’ | Foto nga : Gëzim Kabashi

Para disa muajsh dy vëllezër nga Durrësi vendosën në krye të rrugës ku banonin një tabelë publike që mbante emrin e babait të tyre.

Brenda pak ditësh bashkë me normalitetin, bashkia riktheu tabelën me emrin e vjetër të rrugës, ndërsa vëllezërit e justifikuan veprimin e tyre duke thënë se edhe i jati e meritonte të nderohej me emrin e një rruge.

Mjaft qytetarë e komentuan aktin e tyre si reaksion ndaj lidhjeve nepotike që kishin me ndonjë pushtetar lokal disa nga emërtimet që u përzgjodhën para 10 vitesh, kur bashkia ndryshoi emrat e dhjetra rrugëve në Durrës si dhe emërtoi me emra të rinj plot rrugë të tjera.

Në disa raste ndodhën edhe korigjime, por sidoqoftë emërtesat e rrugëve, shesheve e bulevardeve në qytetin bregdetar vijojnë të jenë objekt kontestimesh apo ironie.

Një shëtitje në trotuarët e qytetit të bind për kakofoninë e emrave të përzgjedhur nga specialistët dhe të miratuar shumë vite më parë nga këshilli bashkiak.

Rruga “Aleksandër Goga” që nis në qendër të Durrësit për të përfunduar në Porto Romano, 7 kilometra më larg, është një nga rrugët e pakta që vazhdon të trashëgojë emrin e vënë para viteve 1990.

Në të dy anët e saj dhjetra segmente të rinj rrugorë, që lindën si pasojë e ndërtimeve të shumta dhe zgjerimit të pamatë  të qytetit antik u emërtuan me emra të rinj.

Emrat e historianëve antikë e mesjetarë që kanë shkruar për Durrësin shumë shekuj më parë alternohen pa logjikë me emra njerëzish thuajse të panjohur, e po kështu vijojnë edhe emrat e mbretërve ilirë, apo të artistëve vendas e të huaj.

Një pjesë e rrugëve janë emërtuar me numra 3-shifrorë, larg njeri tjetrit: rruga 339, rruga 235, apo 106, etj.

Edhe në territore të ngushta ndodh mjaft rrallë që emrat e përveçëm të rrugëve të kenë ndonjë lidhje, siç mund të jetë periudha kur jetuan personazhet, kontributi apo profesioni që kanë ushtruar, etj.

Lagja e re e ish-kënetës mori numrin më të madh të emrave, afro 970 të tillë, të cilët pagëzuan shumicën e rrugëve që lindën atje ku vite më parë tokat e kripëzuara jepnin minimumin e produktit bujqësor.

Në qendër të saj një rrugë modeste mban emrin “Traktati i NATO-s”, ndërsa në krahun e kodrave qëndrojnë pranë e pranë rrugët me emrat “Propoganda FIDE”, “Vashëza veneziane” dhe “Punishte e barutit”.

Që nga viti 2004, kur filloi të aplikohej ligji “Për sistemin e adresave” emërtimi i rrugëve në Durrës nuk rezultoi një proces i lehtë.

Qyteti me 3,000 vjet histori nuk duhet ta kishte të vështirë të zbulonte emra domethënës nga trashëgimia e tij e re dhe e hershme, por kjo nuk ndodhi.

Emrat e përzgjedhur dhe vendosja e tyre pa lidhje dëshmojnë varfërinë e kujdesit të treguar për sistemin e emrave, që duhet ti shërbente jo pak edhe fëmijëve e të rinjve për njohjen e historisë së qytetit ku banojnë.

Një nga rrugët e reja të ish-zonës industriale të Shkozetit, ka marrë emrin “E ardhmja e kombit”, një goxha emër për një segment jo më shumë se 200 metra dhe ku dy autovetura këmbehen me vështirësi.

Emrin Teuta e gjejmë në dy rrugë të ndryshme, një herë në zonën e ish-kënetës si “Princesha Teuta” dhe në bregdet si “Mbretëresha Teuta”.

Por, proçesi i emërtimit në Durrës nuk ka përfunduar ende.

Bashkia e dytë për nga madhësia në vend aktualisht ka mbi 450 rrugë dhe sheshe, të cilat nuk kanë ende tabelat me emrat përkatës.

Këshilli bashkiak ndryshoi po aq emra, kur në territorin e saj u përfshinë edhe ato të bashkive Sukth e Manëz, si dhe të komunave Rrashbullit, Katundit të Ri dhe Ishmit.

Bashkia e re arriti një sipërfaqe prej 342 km2 me një popullsi prej 310 mijë banorë.

Mjaft prej emrave që ripërsëriteshin në rrugët e këtyre njësive administrative duheshin zëvëndësuar. Ndërsa rregullimet e fundit ligjore kërkonin edhe ndryshimin e emrave të papërshtatshëm si “Puhia”, “Bregdeti”, “Terminali”, “Rruga e re” e disa të tjerë.

Katër vjet pas këtij procesi bashkia e Durrësit ende nuk ka vendosur të prodhojë tabelat me emrat e rinj, çka do tu jepte të drejtën banorëve të kishin një adresë të plotë e të saktë.