Vëllezërit Keta të njohur si kampionë bote në boks e kikboks në Gjermani, iu bashkuan më 18 korrik protestës së fshatrave të vendlindjes kundër kocesionit për prejen e pyjeve. Në një mesazh për protestuesit Ismail Keta tha se nëse nuk mbrohej pylli “komuniteti aty do të ngelej si i vdekur”.
Pak ditë përpara protestës së banorëve të tre fshtrave më 18 korrik para bashkisë Bulqizë kundër koncesionit për shfrytëzimin e pyjeve, Ismail Keta, kampion bote në Kik e Tai Boks, deklaroi me anë të një videomesazhi nga Mynihu i Gjermanisë se ai dhe vëllezërit e tij do të udhëtonin enkas për t’iu bashkuar rezistencës së bashkëfshatarëve të tyre.
“Po iu priten pyjet, shpresa e fundit që kanë ata për të jetuar”, thotë Keta në video, ndërsa tregon pyjet fare pranë Mynihut ku jeton. “Mos vallë gjermanët janë budallenj që nuk i presin pyjet, apo i mungojnë motorsekat elektrike!?”, thotë ai.
Banorët e tre fshatrave të Fushë-Bulqizës janë ngritur prej tre vjetësh në protesta të vazhdueshme për të mos lejuar prerjen e pyjeve të tyre, të cilat u dhanë me koncesion nga Ministria e Mjedisit në vitin 2015 – vetëm pak kohë para se të hynte në fuqi moratoriumi. Prej disa javësh kjo protestë është ringjallur, ndërsa duket se ka tërhequr vëmendjen edhe të emigrantëve nga zona dhe qytetarëve të tjerë.
Disa qindra banorë të Bulqizës morën pjesë në protestën e fundit para bashkisë, ku u kërkua që të ndalohej koncesionin dhe të bllokoheshin punimet për rrugën auto-pyjore. Dy prej vëllezërve Keta, të cilët kanë treguar edhe më herët interes për vendlindjen dhe madje organizuan dhe një ndeshje ndërkombëtare boksi në Bulqizë, morën pjesë në protestë.
Më i madh prej tyre Ismail Keta, i cili prej vitit 2013 është kampion bote në Kikboks për Federatën Ndërkombëtare të Kikboksit, mori fjalën në protestë duke denoncuar shfrytëzimin pa kriter të pasurive natyrore të zonës. “Kam ardhur nga Gjermania për t’iu bashkuar qëllimit që ju keni. Bulqiza ju ka hapur derën dhe shpirtin çdo njeriu që ka ardhur. Bulqiza ju ka dhënë poste, mundësira dhe para dhe është fatkeqësi që është kështu”, tha Keta.
Ai vetë ka lindur në fshatin Koçaj të Bulqizës, një prej fshatrave që proteston kundër prerjes së masivit pyjorë në “Sheshe Bulqizë” dhe tregon se është ushtruar vazhdimisht me sport edhe kur jetonte në shtëpinë e tij në fshatin e lindjes. “Vendi ku vrapi i mëngjesit me jep forcë, ajri i pastër dhe majat larta frymëzim pa fund”, shkroi Keta në një nga mesazhet e shpërndara përmes faqes së tij në Facebook, ku përsërit kërkesën për të mos lejuar prerjen e pyjeve.
Në shtëpinë e tij madje gjen ende si relike thasët e rërës apo litarët dhe pjesë të vagonëve të kromit që ishin përshtatur si shtanga. Keta thotë se një pjesë të suksesit të tij në sport ia dedikon natyrës ku u rrit. “Unë jam rritur me këtë ajër e ujë, duke mbledhur çaj në mal kur isha fëmijë. Çka më ka bërë ky që jam sot”, tha Keta.
Keta emigroi në moshën 19-vjeçare në Gjermani, ku edhe nisi profesionalisht karrierën në Kikboks dhe ka tashmë edhe një shkollë të tijën. Bashkë me të në protestë ishte edhe vëllai tjetër Feriti, i cili po ashtu iu bashkua protestës së banorëve. Ndërkohë mesazhe solidariteti ka përcejllë edhe boksieri Gjetan Keta, i cili shpërndau një video mesazh ku kërkonte pjesëmarrje në protestë. Të tre vëllezërit dhe nxënës të tyre kanë qenë aktivë në rrjetet sociale prej disa javësh.
Veç vëllezërve Keta në protestë pati edhe të tjerë të rinj të zonës që u kthyen nga emigracioni. Asllan Karaj, avokat që jeton dhe punon në Zvicër, po shqyton mundësinë të marrë përsipër mbrojtjen ligjore të kauzës së banorëve.
Në fjalën e tij në protestën e së mërkurës, që kishte mbledhur me qindra persona në sheshin para bashkisë Bulqizë, Ismail Keta rrëfeu pse kishte udhëtuar nga Mynihu për t’iu bashkuar atyre. Ai tregoi se pylli kishte qenë i rëndësishëm për fëmijërinë e tij dhe se jeta e atyre banorëve varej prej pyjeve dhe ujit në malet ku ata jetonin. “Duke i thënë sot jo një të padrejte, edukoni brezat e ardhshëm dhe bëheni një shembull kombëtar”, u shpreh Keta para protestuesëve. Pas protestës ai tha se kishte besim që “shteti nuk do ta lejonte këtë krim”.
Kompanitë “Almex Wood” sh.p.k, Korra” sh.p.k dhe “Lubima” sh.p.k të cilat në maj të vitit 2015-të morën nga Ministria e Mjedisit një koncesion shfrytëzimin e masivit pyjor të njohur si “Sheshe Bulqizë”, pretendojnë se kanë të drejtë ligjore të shfrytëzojnë pyllin dhe se janë bllokuar në mënyrë të paligjshme nga banorët.