Lajm25 Oct 2017

Kastriot Ismailaj dënohet me 11 vite burg për aferën CEZ-DIA

Biznesmeni i përfshirë në atë që konsiderohet si rasti më i madh i korrupsionit dhe mashtrimit në historinë e Shqipërisë u dënua të mërkurën me 11 vite burg nga Gjykata e Rrethit Tiranë.

Autor: Elton Qyno BIRN Tiranë
Printo

Biznesmeni Kastriot Ismailaj

Gjykata e Rrethit në Tiranë dha të mërkurën vendimin përfundimtar për Kastriot Ismailajn, ish-administratorin e kompanisë DIA, të ngarkuar për mbledhjen e borxheve të CEZ, nën akuzë për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Pas seancës përfundimtare që zgjati 3 orë e 45 minuta, gjyqtarja kryesuese Vjollca Spahiu shpalli fajtor Kastriot Ismailajn dhe e dënoi atë me 11 vite burg.

Gjykata urdhëroi që shumat financiare prej afro 5 milion euro të sekuestruara në llogaritë bankare të Ismailajt, të konfiskohen dhe t’i kalojnë në administrim buxhetit të shtetit.

I pranishëm në sallën e gjyqit, Kastriot Ismailaj, tha se procesi kundër tij ishte tërësisht politik, veprimet e prokurorisë kanë qenë të ndikuara nga politika dhe se ai ishte dënuar për një punë kontraktuale që kishte kryer konform ligjeve.

Në një investigim të publikuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN në qershor të vitit 2015 u zbuluan dokumente ku ish kreu i bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, Josef Hejsek, dhe biznesmeni shqiptar, Kastriot Ismailaj, qenë organizatorë të një skeme mashtruese të mbledhjes së borxheve, e cila i kushtoi kompanisë 4.5 milionë euro dhe shkatërroi marrëdhëniet mes CEZ dhe qeverisë shqiptare.

CEZ për rrjedhojë nisi proces arbitrazhi kundër Shqipërisë për dëmet dhe Shqipëria u detyrua t’i paguajë CEZ-it 95 milionë euro për të rimarrë pronësinë e kompanisë.

Një investigim i BIRN në shtator 2015, zbuloi se Ilir Meta, në kohën e ngjarjeve ministër i jashtëm, sot President, akuzohej nga ish-shefit të CEZ se rekomandoi Kastriot Ismailajn si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ Shpërndarje dhe se Ismailaj konsiderohej aleat i kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha.

Sipas dëshmive të dhëna për studion ligjore të OSSHE, Clifford Chance, paratë e dhëna Ismailajt u kanalizuan nëpër disa politikanë të nivelit të lartë shqiptar, “përfshirë një ish-kryeministër i proceduar për korrupsion”. BIRN argumentoi në një investigim të mëparshëm se Meta është i vetmi kryeministër i proceduar për korrupsion në dy dekadat e fundit.

Meta përjashtoi në vitin 2015 implikimin e tij në këtë çështje dhe u shpreh se “Shqipëria ka pasur shumë ish-kryeministra, të cilët unë nuk dëshiroj t’i marr nëpër gojë”.

Prokurorja Antoneta Sevdarasi, e cila kishte kërkuar dënimin me 15 vite burg për Ismailajn, tha për BRIN se ishte e kënaqur me vendimin e gjykatës së Tiranës dhe se pasi të njihet me argumentimin do të vendosë ose jo për apelimin e tij.

Avokatët e Ismailajt i pohuan BIRN se do ta apelojnë vendimin e shkallës së pare, duke kërkuar pafajësi në Gjykatën e Apelit.