Lajm25 Sep 2018

Katër prokurorë marrin dosjen e Shullazit, por pretenca shtyhet sërish

Prokuroria e Krimeve të Rënda e zgjidhi “krizën e brendshme” duke caktuar katër drejtues të saj të përfaqësonin akuzën në seancën kundër Emiljano Shullazit, por leximi i pretencës u shty sërish pas mungesës së një avokati mbrojtës dhe kërkesës së një prej të akuzuarve për ndryshim avokati. 

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Punonjës policie në hyrje të Gjykatës së Krimeve të Rënda para fillimit të seancës gjyqësore ndaj Emiljano Shullazit dhe të akuzuarve si bashkëpunëtorë të tij. Foto: Vladimir Karaj.

Rritja e numrit të prokurorëve nga dy në katër për çështjen kundër Emiljano Shullazit dhe të dyshuarve si bashkëpunëtorë të tij, u pasua po ashtu me shtim forcash sigurie rreth Gjykatës së Krimeve të Rënda mëngjesin e të martës.

Dhjetra punonjës policie të armatosur, në uniformë dhe civilë, përfshi drejtorin e Policisë së Tiranës e drejtues të tjerë të lartë,  ishin të pranishëm në rrugicat pranë gjykatës, ku pritej të lexohej pretenca ndaj të dyshuarve si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Megjithatë, seanca gjyqësore ndaj  Emiljano Shullazit, Gilmando Danit, Blerim Shullazit, Endrit Qyqjes dhe Endrit Zelës nuk zgjati më shumë se 20 minuta, pasi për shkak të mungesës së avokatit të Blerim Shullazit, Aldo Tabaku u shty për të martën e ardhshme. Tabaku njoftoi gjykatën se mungonte për arsye personale, ndërkohë që të akuzuarit nuk u paraqitën në seancë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila u përfshi në krizë vetëm pak ditë më parë për shkak të një debati të brendshëm për prokurorët që do përfaqësonin akuzën, u përfaqësua nga drejtuesja Donika Prela dhe tre drejtuesit e sektorëve, Gentian Osmani, Besnik Muçi dhe Anton Martini. Nga mbrojtësit ishin të pranishëm Vladimir Meçe, Ravik Gurra dhe Denion Bogdani.

Lexo më shumë:

Seanca

Gjykata tha se një pjesë e të akuzuarve, përfshi Emiljano Shullazin kishin hequr dorë vullnetarisht nga paraqitja në gjyq, ndërsa dy prej tyre pretenduan se ishin sëmurë dhe nuk mund të merrnin pjesë. Një nga të akuzuarit i njoftoi gjykatës se nuk donte të përfaqësohej më nga avokati Vladimir Meçe. Sipas gjykatës, Blerim Shullazi pretendoi po ashtu që ishte i sëmurë dhe nuk mund të paraqitej, por njëkohësisht refuzoi një kontroll nga mjeku i burgut.

Prokuroria fillimisht kërkoi që ndaj avokatit  Aldo Tabaku, i cili përfaqëson Blerim Shullazin, të merreshin masa dhe të njoftohej Dhoma e Avokatisë.  Prokurori Anton Martini, një nga katër përfaqësuesit e akuzës tha se ata kishin gati konkluzionet, ndërsa duke iu referuar mungesës tha se avokati kishte qenë deri pak kohë më parë në korridoret e gjykatës.

Por kolegët e mbrojtën Tabakun, duke kërkuar nga prokuroria të tregonte “humanizëm”. Avokatët Vladimir Meçe, Ravik Gurra dhe Denion Bogdani pranuan se Tabaku kishte qenë në korridoret e gjykatës deri 15 minuta para gjyqit, por ishte larguar për shkak të një urgjence familjare.

Prokurori Martini i cili foli në emër të akuzës tha se nuk kishin qenë në dijeni të situatës, ndërsa gjykata vendosi caktimin e dy avokatëve kryesisht dhe vendosi shtyrjen e seancës të martën e ardhshme.

Lexo edhe:

Shtyrje pas shtyrje

Emiljano Shullazi, së bashku me Gilmando Danin, Blerim Shullazin, Endrit Qyqjen dhe Endrit Zelën akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për gjobëvënie, shkatërrim të pronës me eksploziv, armëmbajtje pa leje dhe krijimin e një grupi të strukturuar kriminal.

Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi pranverën e vitit 2017, por prej atëherë një pjesë e dëshmitarëve të akuzës ndryshuan qëndrim në bankën e dëshmitarit, duke mohuar të kishin njohje me të akuzuarin apo se ishin kërcënuar prej tij. Por kur çështja mbërriti në pikën e leximit të pretencës në qershor, seancat u zvarritën fillimisht për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës dhe më pas nga mungesa e prokurorëve që e hetuan atë.

Në 1 gusht, prokurorja Elisabeta Imeraj u komandua në krye të Prokurorisë së Tiranës, duke lënë dosjet e hetuara si pjesë e Krimeve të Rënda, ndërkohë që prokurori tjetër, Ened Nakuçi ka paraqitur një raport mjekësor 6 mujor.

Fillimisht për të zhbllokuar situatën, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela  autorizoi paraardhësin e saj, Besim Hajdarmataj, por përpjekja për të zgjedhur prokurorë të tjerë u kthye në një krizë institucionale.

Gjatë të javës që kaloi, 10 prokurorë u vendosën nën procedim disiplinor ndërsa 3 prej tyre u transferuan në rrethe periferike, pas debatit me drejtuesen Prela për procedurat e përzgjedhjes së përfaqësuesve të akuzës në këtë gjyq.  Prokurorët e penalizuar kanë njoftuar padi ndaj masave të marra ndaj tyre, të cilat i konsiderojnë të paligjshme.

Prokuroria e zgjidhi situatën duke caktuar të përfaqësohet nga drejtuesit e institucionit, por ndërkohë gjyqi nuk mund të zhvillohej për shkak të mungesave në mbrojtje. Veç mungesës së avokatit Tabaku, një prej të akuzuarve hoqi dorë nga mbrojtësi i tij, ndërsa vetë ata nuk u paraqitën në gjyq.