Lajm21 Mar 2019

KED shpall listën e kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shpalli listën me 13 kandidatë për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Lista mbizotërohet nga persona me poste në qeveri, avokatë, kandidatë që kanë mbajtur detyra në qeverinë e PD dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Mbledhja e konstituimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (I Përkohshëm). Foto nga faqja zyrtare. 

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shpalli të enjten listën e kandidatëve për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, një institucion i ri i krijuar nga reforma kushtetuese, i cili ende nuk është ngritur. Lista me 13 kandidatë mbizotërohet nga persona me poste në qeveri apo pranë saj, avokatë, kandidatë që kanë mbajtur detyra në qeverinë e djathtë dhe disa kandidatë nga shoqëria civile.

“Në përfundimit të afatit të caktuar të shpalljes “Për hapjen e Procedurës së Aplikimit në Pozicionin Vakant Inspektor i Lartë i Drejtësisë”, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi ka administruar dokumentacionin e kandidatëve që kanë shprehur interes për këtë pozicion, bën publike listën e kandidatëve”, thuhet në njoftimin për shtyp të KED.

KED do duhet pas kësaj të rendisë kandidaturat mes të cilëve do të zgjidhet edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Për të zgjedhur Inspektorin duhen 84 vota në Kuvend. Inspektori zgjidhet për një periudhë 9 vjeccare. Kushtetuta ka parashikuar që nëse Kuvendi nuk bën dot numrin e kërkuar të votave për të zgjedhur një prej pesë kandidatëve që listohen të parët nga KED, atëherë personi i listuar i pari zgjidhet automatikisht Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

ILD do ushtrojë kontrollin mbi gjykatës dhe prokurorë, ai do ketë të drejtë të nisë hetim dhe procedim disipolinorë për të gjithë hallkat e drejtësisë përfshi anëtarët e Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësorë dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

Kandidatët që kanë shprehur interesin do duhet t’i nënshtrohen procesit të vettingut. Deri tani nga 13 kandidatët që kanë paraqitur interes rivlerësimi është kryer në KPK vetëm për gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Apelit, Artur Malaj.

Malaj u konfirmua nga KPK, por vendimi për konfirmimin e tij u ankimua nga Komisioneri Publik me kërkesë të  Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili e cilësoi këtë konfirmim “të pajustifikueshëm”, duke argumentuar se vendimarrja ishte kontradiktore pasi “rezultatet e hetimit rivlerësues të KPK-së çojnë vetëm në një përfundim: shkarkimin nga detyra”. Malaj pret gjykimin në Kolegjin e Apelimit.

Një tjetër kandidaturë që iu nënshtrua vettingut ishte Kryeinspektorja e Inspektoriatit pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë Marsida Xhaferllari. KPK në këtë rast edhe pse zhvilloi seancë dëgjimore nuk doli me vendim, duke arsyetuar se Xhaferllari nuk e kishte statusin e magjistrates. Xhaferllari e cila ka qenë gjyqtare, ka mbajtur më herët detyra në Ministrinë e Drejtësisë, gjatë kohës kur vendi qeverisej nga Partia Demokratike.

Por lista me 13 persona ka një sërë kandidatësh që mbajnë poste ose janë emërime të qeverisë. Në listë është Artur Metani,  Avokat i Shtetit i emëruar nga kryeministri Edi Rama. Më herët ai ka qenë këshilltarë i presidentëve Bamir Topi dhe Alfred Mosiu.

Po ashtu në listë është  Genci Gjonçaj, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë dhe më herët avokat i Partisë Socialiste pranë Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve.

Pranë qerverisë është po ashtu edhe kandidatura e Elira Kokonës, e cila ka mbajtur postin e Sekretares së Përgjithshme në disa ministri përfshi atë të Drejtësisë që prej vitit 2013.

Ndërkohë kandidatë janë një numër avokatësh Eris Hysi, Ferdinand Caka dhe Genci Ismaili. Po ashtu në listë është ish-kryetarja e Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve Lefteri Lleshi. Lleshi ka qenë po ashtu edhe anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Disa prej kandidaturave, si Altin Hazizaj, aktivist i shoqërisë civile dhe themelues i CRCA një organizate për mbrojtjen e fëmijëve dhe Mimoza Qinami po ashtu prej shoqërisë civile, kanë kandiduar edhe për vende në KLGJ dhe KLP.

Në listë po ashtu është edhe Suzana Frashëri dhe eksperti i EURALIUS Klodian Rado. Rado ka shërbyer për një periudhë kohe si gjyqtar, por më pas u larguar dhe punoi si ekspert kushtetues e pedagog i të drejtave të njeriut në York University në Kanada.