Një protestë e gjatë e banorëve në fshatrat pranë Bulqizës në mbrojtje të një masivi pyjor të kërcënuar nga një kontratë koncesionare detyroi qeverinë të shtunën të dërgojë atje Ministrin e Mjedisit Blendi Klosi me premtimin se kontrata do të anulohet.
Ministri i Mjedisit Blendi Klosi u takua me banorët e Kodër Danit, një fshat pranë Bulqizës të shtunën dhe i premtoi atyre se një kontratë koncesionare për shfrytëzimin e pyjeve të zonës, të cilën banorët e kundërshtojnë, do të synohet të pezullohet.
Në përpjekje për të bindur Klosin për nevojën e mbrojtjes së pyjeve të njohura si “Sheshe Bulqizë”, banorët i kërkuan ministrit që takimi të bëhej nën diellin e fortë të verës dhe jo nën hije, sepse kjo mund të shërbejë më mirë për ndërgjegjësim për nevojën e ruajtjes së pyjeve dhe vlerës së tyre.
Klosi i tha banorëve se ministria e tij e ka shqyrtuar dosjen e kontratës së shfrytëzimit të pyjeve pas ankesave të banorëve dhe ka dalë në konkluzionin paraprak se ka disa shkelje.
“Ajo që kuptojmë ne, Inspektoriati i Mjedisit, Prefektura, kontrata në 4 vite që nuk është zbatuar ka ndryshuar shumë nga implementimi i saj i parë. Situata ka ndryshuar. Ka pasur një ndërhyrje që ne duhet ta verifikojmë, për devijimin e një rruge. Ka prerje të pemëve, kanë prerë disa dylym dhe kjo është një gabim që do të ketë ndërveprim ligjor,” tha Klosi.
“Me përgjegjësinë e ministrit të linjës, pa çka se pylli është në pronësi të pushtetit lokal dhe kontratën duhet ta implementojë kryetari i bashkisë, unë do të kërkoj, pas inspektimit që ka bërë Inspektoriati i Mjedisit dhe mbas vlerësimit që ka bërë zyra e Prefektit, pezullim të kontratës dhe do të shikojmë se çfarë do të bëhet me atë kontratë. Ne do të duhet ta pezullojmë atë”, shtoi ai.
Banori Naim Visha në emër të banorëve deklaroi se populli nuk ishte pyetur kurrë për një koncesion të tillë dhe se jeta e tyre ishte e lidhur me pyllin, duke i kërkuar qeverisë të tërhiqet menjëherë.
“Ne jetojmë në majë të malit. Dhe atë pyll, hajdut të pa ngopur, veshur me pushtet duan që ta marrin dhe ta bëjnë pelet. Për ne është e pa pranueshme dhe kurrë nuk do ta lejojmë një gjë të tillë sa të kemi jetën. Kemi katër vite që jemi në luft”, u shpreh Visha.
Për deputeten e qarkut të Dibrës, Almira Xhembulla roli i grave dhe nënave në këtë betejë të gjatë ka qenë shumë i rëndësishëm dhe shembull se si duhet të mbrohet prona e përbashkët.
“Ngritja e nënave dhe grave është model i jashtëzakonshëm, një model që do të mbahet mend gjatë në Shqipëri. Si deputet e zonës i kërkoj edhe në emrin tuaj, ministrit dhe qeverisë të reflektoj me seriozitetin maksimal për këtë situatë qëështë paksa komplekse. Kemi predispozitën maksimale për ta zgjidhur çështjen në dobi të qytetarëve”, u shpreh Xhembulla përpara banorëve.
Në fund të këtij diskutimi banorët u shprehën skeptik nëse pezullimi i kësaj kontrate do të bëhet realitet apo do të ngelet në kuadrin e fjalëve. Banorët e shprehën qartë edhe në këtë takim se në asnjë mënyrë nuk do të tërhiqen nga beteja e tyre për mbrojtjen e masivit pyjor “Sheshe Bulqizë” e vetmja kurorë e gjelbërt mbetur në Bulqizë.
Banorët e katër fshatrave Dushaj, Koçaj, Kodra e Danit dhe Kokërdhok kanë prej katër vitesh që protestojnë për ndalimin e këtij koncesioni. Vetëm në harkun kohor të dhjetë ditëve janë zhvilluar dy tubime masive para bashkisë Bulqizë. Gratë ishin vendosur në mal për të bërë roje. Banorët nuk kanë pranuar në mënyrë kategorike që në këtë takim të marrë pjesë kryetari i bashkisë Bulqizë Melaim Damzi, pasi për banorët ai nuk punon në interes të banorëve.