Lajm4 Apr 2021

Kolegji Zgjedhor vendos që shqiptarët të votojnë për partitë dhe numrat më 25 prill

Gjatë seancës në Kolegjin Zgjedhor, ku pyetjet e gjykatës kishin të bënin më shumti me përmasën që duhet të ketë fleta e votimit, pretendimi i palës së tretë, Partisë Socialiste, se fleta e votimit me numra është më e qartë për zgjedhësin nga ajo me emrat e kandidatëve e kërkuar nga Partia Demokratike, ishte bindës për trupin gjykues.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kolegji Zgjedhor | Foto nga Edmond Hoxhaj

Kolegji i Zgjedhor vendosi mbrëmjen e të dielës të rrëzojë kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, që përcakton që fleta e  votimit të përmbajë numra në vend të emrave të kandidatëve për deputetë të partive.

Vendimi i Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve erdhi pas kërkesës së Partisë Socialiste që të ndryshohej vendimi i mëparshëm i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, i cili kishte miratuar fletën e votimit ku, veç emërtimeve të subjekteve politike dhe kryetarëve të partive, pasqyroheshin edhe emrat e kandidatëve për deputetë.

Për rreth dy orë e gjysmë, Kolegji Zgjedhor i përbërë nga gjyqtarët Alma Kolgjoka, Esmeralda Xhili, Asim Vokshi, Gentjan Medja dhe Manjola Xhaxho në cilësinë e relatores, u njohën me kërkesat dhe qëndrimet e palëve, Partisë Demokratike, PD në cilësinë e paditëses; KQZ-së si palë e paditur, si dhe Partisë Socialiste, PS, Partia Bindja Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI në cilësinë e palës së tretë në gjykim.

Përfaqësuesi ligjor i  PD-së, Ivi Kaso shpjegoi se ishin dakord me vendimin e Komisionerit Celibashi për miratimin e një prej formateve të fletës së votimit me emrat e kandidatëve, por shtoi se e kishin ankimuar në KAS, pasi nga dy prej prototipeve me emra, ishte më e qartë ajo portret.

Ai solli si argument për këtë kërkesë të kryer nga ana e tyre, një sondazh të kryer nga KQZ, prej nga kishte rezultuar se prej tri fletëve të votimit të hartuara paraprakisht, formati portret ku pasqyroheshin edhe emrat e kandidatëve ishte më i qartë, duke marrë pëlqimin e 79% të pjesëmarrësve. Kaso shtoi se formati portret plotëson të gjitha kushtet ligjore për referimin e kandiatit.

Përfaqësiesi i PD, Ivi Kaso, u pyet gjatë seancës nga gjyqtari Asim Vokshi lidhur me përmasat e fletës së votimit të formatit portret ku pasqyrohen edhe emrat e kandidatëve. Vokshi e pyeti se si mund të rregulloheshin përmasat, pasi ato ishin 62 cm nga 40 që duhet të jetë fleta e votimit. Gjitashtu, ai pyeti nëse zvogëlimi i përmasave të fletës së votimit të formatit portret, krahasuar me vletën me numra, sillte qartësi ose jo për zgjedhësit.

Kaso tha se formati nuk ishte shtrëngues pasi mund të ishte edhe më i madh. Ai këmbënguli se formati portret me emrat e kandidatëve do të ishte më i qartë edhe nëse do të zvogëlohej. Qëndrimi i Kasos u përforcua edhe nga përfaqësuesi i LSI-së. “Kur vetë subjektet politike nuk e dinë se cili është kandidati nëpërmjet numrit, si mund ta dijë zgjedhësi”, tha ai dhe solli në vëmendje se në parashikimet ligjore përcaktohet se votohet subjekti politik dhe kandidati, jo numri.

Pala e paditur, KQZ u shpreh për gjykatën se Komisioneri kishte vendosur që fleta e votimit të ishte e kuptueshme si për subjektin politik, ashtu edhe për kandidatin për deputet. “KQZ e lë në vlerësim të gjykatës zgjidhjen përfundimtare”, deklaroi përfaqësuesi i KQZ.

I pyetur nga gjykata lidhur me përmasat e fletës së votimit, përfaqësuesi i KQZ shpjegoi se kriteret teknike ishin përcaktuar me vendim të Komisionit Rregullator, ndërsa përmbajtja ishte vendosur nga Komisioneri Celibashi.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në këtë gjykim, Eridian Salianji pohoi gjatë seancës se parashikimet ligjore përcaktojnë detyrim vetëm për pasqyrimin e emërtimit të partisë dhe kryetarit të saj. “Emri i kandidatit është lënë i hapur në varësi të qartësisë. Fleta e votimit duhet të jetë e qartë dhe jo e ngarkuar”, tha Salianji duke referuar parashikimet ligjore për zgjedhjet.

Ai shtoi se sondazhi i kryer nga KQZ lidhur me fletën e votimit më të kuptueshme nuk mund të merrej për bazë, pasi aty kishin votuar vetëm ato grupmosha që kanë akses në internet.

“Ne nuk jemi kundër emrit të kandidatit, por kjo mund të aplikohej nëse do kishte më pak subjekte politike në garë”, pohoi Salianji. Ai shtoi se fleta e votimit me emrat e kandidatëve do të sillte konfuzion edhe në numërimin e votave.

Gjyqtari Vokshi e pyeti Salianjin nëse fleta e votimit me numra do të krijonte konfuzion. Salianji e bazoi qëndrimin e tij në përcaktimin “kandidati i parapëlqyer”. “Parapëlqim do të thotë se e ke vendosur. […]Kur e njeh e mëson edhe numrin”, pohoi ai dhe solli si shembull porcesin zgjedhor në Kosovë, se edhe pse fletët e votimit kishin qenë me numra, kishte pasur kandidatë që kishin siguruar 200 mijë vota.

Duke ju referuar informacioneve të publikuara ne media, Salinjai e pyeti përfaqësuesin e KQZ, nëse kompania që ka fituar tenderin për të prodhuar fletët e votimit, kishte kryer apo jo ndonjë kërkesë për ndryshimin e përmasave të tyre.

Përfaqësuesi i KQZ shpjegoi se kompania në fjalë i kishte vënë në dijeni se, nëse do të nevojitej letër shtesë do të gjendej në vështirësi, pasi për shkak të cilësive të veçanta, prodhohej pas porositjes dhe kërkonte kohë.

Për çështjen e dytë të ngritur nga PD ndaj KQZ, lidhur me logon e Partisë Bindja Demokratike Kaso shpjegoi se, pasi kishin konstatuar ngjashmëritë mes dy logove, i kishin kërkuar Komisionerit që të merrte masa, me argumentin se sillte konfuzion tek zgjedhësit.

Kaso shpjegoi se, logoja e ristilizuar fillimisht nga Bindja Demokratike nuk u konsiderua prej Komisionerit pasi nuk përmbushte detyrimin dhe u kërkua që të ndryshohej vetëm në fletën e votimit. Sipas tij, logon e ristilizuar së dyti të miratuar nga Komisioneri, e cila kishte dallime dhe nuk krijonte konfuzion u rrëzua nga KAS duke i lënë Bindjes Demokratike logon e mëparshme.

Ai kërkoi që Kolegji Zgjedhor të vendosi që Partia Bindja Demokratike të garojë pa logo, duke argumentuar se, sipas legjislacionit përkatës, në raste të tilla është partia më e re ajo që duhet të mos përfaqësohet me logo në fletën e votimit.

Përfaqësuesi i Partisë Bindja Demokratike, Fabian Topollari e cilësoi subjektin politik ku bënë pjesë, më të vjetër nga Partia Demokratike, duke argumentuar se kjo e fundit është regjistruar këtë vit me emërtimin e koalicionit. Ai shtoi se pavarësisht kësaj, kishin shprehur gatishmërinë për ndryshimin e logos.

Topollari pretendoi se logoja e përcaktuar në fund nga Komisioneri nuk ishte ajo e ristilizuar prej tyre dhe se për këtë arsye e kishin ankimuar në KAS.

Trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor, pasi u tërhoq dhe shqyrtoi për rreth gjysmë ore provat dhe argumentet e dorëzuara nga palët, vendosi të mos pranojë kërkesën e PD-së për të lënë në fuqi fletën e votimit me emrat e kandiatëve. Ndërkohë, Kolegji Zgjedhor vendosi që Partia Bindja Demokratike të garojë me logon e përcaktuar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, duke rrëzuar vendimin e KAS për këtë çështje.