Lajm12 Jul 2017

Lirimi i Alket Hatijas, përplasje mes institucioneve të drejtësisë

Ministri i Drejtësisë i kërkoi KLD-së të verifikojë lirimin nga gjykata e Durrësit të Alket Hatijas, i dënuar me 20 vjet burg për trafik narkotikësh në Itali. Gjykata pretendon se dokumentet e prokurorisë ishin të pamjaftueshme, por kjo e fundit thotë se vendimi ishte i padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin.

Autor: Elton Qyno BIRN Tiranë
Printo

Sallë gjyqi në gjykatën e rrethit gjyqësor Durrës

Debati pas vendimit të Gjykatës së Durrësit ditën e djeshme, për të lënë me masë sigurie detyrim për paraqitje Alket Hatijan, i cili ishte arrestuar më 8 korrik pasi kërkohej nga Interpol Roma,  ka nxitur Ministrin e Drejtësisë të kërkojë verifikim të rastit nga KLD. Prokuroria e Durrësit vendosi të ankimojë çështjen dhe kërkoi apelimin e saj, duke e cilësuar vendimin e Shkallës së Parë si të “padrejtë dhe në kundërshtim me aktet ligjore”, ndërsa gjykata në një njoftim për shtyp tha se lirimi ishte bërë pasi akuza nuk kishte paraqitur kërkesën për ekstradim që duhej të lëshohej nga Ministria e Drejtësisë dhe sepse personi ishte dënuar njëherë për trafikim narkotikësh në Shqipëri.

Agjencia italiane e lajmeve ANSA e cilësonte Hatijan si “një prej zotërinjve të mëdhej të drogës” i cili  ishte dënuar me 20  vjet burg në Itali për trafikim të disa qindra kilogramëve narkotikë me vlerë 35-45 milion euro

Menjëherë pas raportimeve në shtyp, Ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi i ka kërkuar kryeinspektores së Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të verifikojë vendimin e marrë nga Gjykat e Shkallës së Parë në Durrës për lirimin e Alket Hatijas.  Lirimi i Hatijas, i cili sipas prokurorisë rezulton i dënuar për trafik narkotikësh nga Gjykata e Apelit në Milano, u kthye në çështje dite dhe u cilësua si skandal në disa media.

Pas këtyre publikimeve vendosi të reagojë edhe Gjykata e Durrësit  e cila dërgoi një njoftim ku sqaron sipas saj arsyet për marrjen e vendimit. “Nisur nga artikujt e botuara në median e shkruar si dhe njoftimet në median vizive, lidhur me gjykimin e çështjes penale që i përket shtetasit Alket Hatija, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës sqaron”, thuhet në njoftimin për shtyp të gjykatës.

Në njoftim gjykata thotë se vendimi për lirimin e Hatijas, nga gjykatësi Petraq Çuri, ishte marrë pasi prokuroria nuk i kishte paraqitur kërkesë nga Ministria e Drejtësisë për masë shtrënguese. “Gjykata e ka gjetur të pabazuar këtë kërkesë të akuzës, pasi kërkesa nuk shoqërohej me kërkesën e Minsitrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasin Alket Hatija për efekt të ekstradimit, kërkesë kjo e cila është kusht për caktimin e masave shtrënguese për efekt të ekstradimit sipas parashikimeve të neneve 493 e 494 të Kodi të Procedurës Penale”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Por në apelimin që i ka bërë çështjes prokuroria thotë se gjykata i është referuar gabimisht kësaj pjese të kodit. Në ankimin e tij prokurori i çështjes thotë se gjykata “ka gabuar dhe nuk ka respektuar rregullat ligjore dhe proceduriale”. Ai vëren se gjykata “gabimish i është referuar neneve 493-494 të kodit të Procedurës Penale, të cilat nuk rregullojnë faktin objekt gjykimi. Prokuroria në kërkesën e paraqitur gjykatës nuk ka kërkuar ekstradimin e shtetasit Alket Hatija dhe as caktimin e masë sigurimi mbi kërkesën e autoriteteve të drejtësisë italiane apo ministrisë së Drejtësisë. Fakti objekt hetimi ka qenë i posaçëm “Arrestim nga Policia Gjyqësore” i rregulluar qartësisht nga Neni 495 i Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në ankimin e prokurorit.

Sipas tij gjykata vetëm duhej të kishte ndjekur procedurën me të cilën është vepruar edhe në të gjitha rastet analoge kur nga prokuroria është kërkuar që të miratohet arresti i bërë nga Policia Gjyqësore për një urdhër arresti ndërkombëtar. Madje në ankesën e saj prokuroria thotë se gjykata duke mos miratuar këtë arrest kishte “bërë ineficent sistemin e kërkimit ndërkombëtar”.

Ndërkohë gjykata ka paraqitur në favor të vendimit të saj edhe faktin se Alket Hatija ka paraqitur në gjykim vendimin e vitit 2010 në të cilin ai dënohej nga Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda me 10 vjet e tetë muaj burg. “Sipas pretendimit të këtij shtetasi me këtë vendim ai është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda për të njëjtat vepra penale për të cilat është dënuar nga Gjykata e Milanos dhe nuk mund të dënohet dy herë për të njëjtat vepra penale”, thuhet në njoftim e gjykatës.

Por prokuroria thotë se ky nuk mund të jetë argument në favor të të arrestuarit, pasi gjykata nuk është njohur me përmbajtjen e vendimit të homologes italiane dhe nuk e zotëronte këtë vendim as ligjërisht dhe as fizikisht. Prokuroria thotë se “edhe pse këto pohime (dënimi i Hatijas në 2010) janë të vërteta ato nuk sqarojnë asgjë lidhur me vendimin 4526/2015 të Gjykatës Italiane në mungesë të këtij vendimi”.

Megjithatë gjykata e Durrësit e ka cilësuar të mjaftueshëm këtë pohim për të rrëzuar prokurorinë madje duke u shprehur se “Vendimi i një gjykate shqiptare për të njëjtat fakte përbën një nga rastet e refuzimit të ekstradimit sipas 491 të Kodit të Procedurës Penale”.

Alket hatija u arrestua nga policia në Durrës në 8 korrik, pasi sipas prokurorisë ndaj tij ka një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Roma, pas vendimit të Gjykatës së Apelit në Milano që e dënon atë me 20 vjet burg për “Trafikim të lëndëve narkotike” në bashkëpunim.

Hatija është dënuar më herët për këtë vepër penale nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 10 vjet e 8 muaj. Ai ishte arrestuar në vitin 2008 dhe akuzuar për pjesëmarrjen në Organizatë Kriminale sëbashku me disa persona të tjerë, por kjo akuzë u rrëzua dhe ai u dënuar vetëm për trafikim lëndësh narkotike, ndërsa duket se kishte përfunduar dënimin dhe ishte i lirë.

Është e paqartë nëse dënimi i gjykatës shqiptare është për të njëjtat raste trafiku apo për të njëjtat akuza për të cilat ai është dënuar në vitin 2015 në Itali.