Analize24 Dec 2020

Maqedonia e Veriut shkëmbeu drejtësinë me paqen

Një hulumtim i ri tregon se si rastet e krimeve të luftës të transferuara nga Gjykata e Hagës tek autoritetet e Maqedonisë së Veriut nuk u gjykuan kurrë pas një marrëveshje të fshehtë të arritur midis politikanëve që synonte të siguronte pajtim mes dy grupeve etnike në vend.

Autor: Biljana Volchevska, Irena Zdravkova BIRN Shkup
Printo

Ndërtesa e qeverisë në Shkup. Foto: BIRN

Pothuajse 20 vjet pas një konflikti të armatosur që zgjati shtatë muaj midis forcave të sigurimit të shtetit dhe luftëtarëve rebelë shqiptarë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (UÇK), Maqedonia e Veriut ende nuk ka ndjekur penalisht askënd për krimet e luftës që u kryen.

Edhe pse pesë raste të mundshme krimesh lufte u hetuan fillimisht nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut në vitin 2002, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ, më pas mori përsipër çështjet.

Por kur Gjykata e Hagës vendosi të përqendrohej vetëm në çështjet e profilit të lartë, në mënyrë që të përfundonte sasinë e çështjeve të mbetura për mbylljen e saj të planifikuar në 2017, ajo i riktheu katër nga këto çështje në gjyqësorin e Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, çështjet e transferuara kundër anëtarëve të UÇK-së nuk përfunduan në dënime ose pafajësi sepse autoritetet e Maqedonisë së Veriut – të mbështetur nga politikanët kryesorë të vendit – miratuan një amnisti për hir të bashkëpunimit politik dhe pajtimit ndëretnik.

Statusi i rasteve i panjohur

Nga pesë rastet fillestare për krime lufte, GJPNJ-ja dha vetëm një vendim në të ashtuquajturën çështje Ljuboten.

Në vitin 2010, dhoma e apelit e GJPNJ-së dënoi oficerin e policisë së Maqedonisë së Veriut Johan Tarculovski me 12 vjet burg për urdhërimin, planifikimin dhe nxitjen e vrasjes së tre civilëve shqiptarë, si dhe trajtimin mizor të të tjerëve dhe shkatërrimin në fshatin Ljuboten në gusht 2001. Ish-ministri i brendshëm Ljubo Boskoski u lirua nga akuzat.

Çështja e vetme që u dëgjua nga një gjykatë e Maqedonisë së Veriut ishte çështja “Punëtorët e rrugës Mavrovë”, në të cilën Zyra e Prokurorit Publik paditi gjithsej 22 ish-anëtarë të UÇK-së për rrëmbimin dhe torturimin e shtatë punëtorëve maqedonas të rrugës në 2001.

Megjithatë, pas Ligjit Polemik të Amnistisë të vitit 2002, gjykata ndaloi procedimet.

Statusi aktual i tre rasteve të tjera të krimeve të luftës – të njohura si çështjet “Lidershipi i UÇK-së”, “Neproshteno” dhe “Diga e Lipkovës” – është i paqartë, sipas përgjigjeve të Zyrës së Prokurorit Publik ndaj kërkesave të BIRN për informim. Rastet ose janë rrëzuar nën Ligjin e Amnistisë, ose janë ende të “ngrira” në procedurat para hetimore.

Kjo pasiguri në lidhje me nëse është zbatuar apo jo Ligji i Amnistisë në të tri rastet është diçka që është marrë për e mirëqenë për vite me radhë dhe mediat shpesh kanë raportuar se këto raste ishin rrëzuar bazuar në legjislacion. Megjithatë, Zyra e Prokurorit Publik tha se “asnjë vendim nuk është marrë” dhe se “informacioni në lidhje me çështjet është konfidencial që kur kanë filluar procedurat penale”.

Kjo mungesë qartësie në mënyrë të pashmangshme ngre pikëpyetje të reja në lidhje me rastet.

Arkivat e Hagës zbulojnë hipokrizinë e Maqedonisë së Veriut

Gjykata e Hagës. Foto: BIRN.

Megjithëse ka mungesë informacioni në lidhje me statusin e rasteve para se ato të merreshin përsipër nga Maqedonia e Veriut, arkivat e GJPNJ-së përfshijnë një vendim ligjor që daton nga viti 2002, i cili zbulon pretendimet e bëra nga prokurori publik i Maqedonisë së Veriut Stavre Djikov në lidhje me disa nga rastet.

Dokumenti tregon se si Djikov pretendoi se para gjykatave vendase po zhvilloheshin procedime penale në rastet “Lidershipi i UÇK-së”,“Neproshteno” dhe “Diga Lipkovo” dhe se autorët e krimeve ishin identifikuar.

Djikov deklaroi se “56 persona akuzohen si autorë të shkeljeve serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe përkundër miratimit të ligjit të amnistisë në 2002, ata nuk mund të liroheshin nga gjykimi”.

Djikov madje tha se ka “prova të mjaftueshme” në tre raste nën hetim – çështjet “Punëtorët e rrugës Mavrov”, “Lidershipi i UÇK-së” dhe “Diga Lipkovo” – si rezultat i së cilës ai tha se besonte se mund të “priste një dënim” . Megjithatë, ai nuk përmendi ndonjë aktivitet procedural në çështjen “Neproshteno”.

Arsyeja pse këto raste nuk u morën përsipër nga GJPNJ-ja ishte për shkak të vendimit të Gjykatës së Hagës për t’u përqendruar në krime më të rënda dhe te liderët e kohës së luftës. Ndryshimi i fokusit nënkuptonte gjithashtu që disa çështje do t’i referoheshin prokurorëve dhe gjykatave kombëtare në Maqedoninë e Veriut si pjesë e strategjisë së përfundimit të GJPNJ-së.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut, kjo nënkupton që çështjet e lidhura me UÇK-në nuk janë në një nivel aq të lartë sa pretendimet për veprimet e forcave të sigurimit të Maqedonisë së Veriut kundër civilëve shqiptarë etnikë.

Kjo qasje mund të interpretohet si në përputhje me praktikën tradicionale të ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, ku detyrimet bien mbi shtetin dhe jo individët. Kështu që pretendimet për veprimet e UÇK-së kundër civilëve maqedonas nuk u konsideruan të ishin raste të nivelit të lartë.

Megjithatë, ky klasifikim i katër rasteve të GJPNJ-së që kishin lidhje me rebelët shqiptarë etnikë ngre një pyetje të rëndësishme: a ekziston mundësia e përgjegjësisë penale ndërkombëtare për të dyshuarit që kanë kryer shkelje të ligjit humanitar gjatë një konflikti të armatosur jo-ndërkombëtar?

Klasifikimi gjithashtu ngre pyetjen nëse krimet e kryera nga autoritetet shtetërore janë të vetmet çështje të profilit të lartë dhe për pasoje të vetmet që ndiqen penalisht nga GJPNJ-ja.

Një qasje që hedh poshtë mundësinë e kryerjes së krimeve ndërkombëtare të luftës nga palë jo-shtetërore në një konflikt të armatosur jo-ndërkombëtar është problematike për dy arsye.

Fillimisht, edhe pse është më e zakonshme që në konfliktet ndërkombëtare të merren parasysh vetëm palët shtetërore si faktorë të rëndësishëm, në një konflikt të brendshëm siç është ai në Maqedoninë e Veriut në vitin 2001, faktorët jo-shtetërorë dhe grupet e armatosura jo-shtetërore luajnë një rol vendimtar. Prandaj Ushtria Nacionalçlirimtare, megjithëse ishte një palë jo-shtetërore, ishte aktori kryesor në konflikt dhe krimet e anëtarëve të saj nuk mund të trajtohen si akte të rastësishme ose të parëndësishme.

Së dyti, edhe pse ligji ndërkombëtar për të drejtat e njeriut mund të formësohet rreth konflikteve ndërkombëtare sesa luftërave civile dhe konflikteve të brendshme, Protokolli II i Konventave të Gjenevës përfshin ushtri jo-shtetërore që ushtrojnë kontroll “mbi një pjesë territori të një vendi për të bërë të mundur që ata të kryejnë operacione të qëndrueshme dhe të bashkërenduara ushtarake”.

Si të tilla, ushtritë jo-shtetërore janë si ato shtetërore, edhe nëse u mungojnë “të gjitha atributet e një shteti sovran” dhe nuk “gëzojnë njohje nga shtetet e tjera ose anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.

Marrëveshja politike parandaloi ndjekjet penale

Ish-kryeministri Gruevski dhe lideri i BDI, Ali Ahmeti. Foto arkive, Balkan Insight.

Ndërsa GJPNJ-ja i transferoi katër rastet përsëri në Maqedoninë e Veriut përpara zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2008, mundësia që i gjithë procesi të keqpërdorej për qëllime politike u rrit.

Në maj 2008, Nikola Gruevski, lideri i partisë nacionaliste në atë kohë në pushtet VMRO-DPMNE dhe Ali Ahmeti, kreu i partisë etnike shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), arritën atë që u njoh si “marrëveshja politike”. Ata besohet se kanë rënë dakord që parlamenti i Maqedonisë së Veriut do të miratonte një “interpretim” të të Ligjit të Amnistisë të vitit 2002 që do të lejonte që katër rastet të rrëzoheshin.

Kjo marrëveshje nuk u bë kurrë publike, as nuk u nënshkrua zyrtarisht. Sidoqoftë, është pothuajse e sigurt se një amnisti në të katër rastet ishte pjesë e kësaj marrëveshje politike pas negociatave të VMRO-DPMNE me BDI-në për të formuar një koalicion të ri qeverisës.

Zyrtarët e qeverisë etnike maqedonase dhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut përdorën në mënyrë strategjike retorikën e drejtësisë tranzicionale dhe pajtimit për ta prezantuar këtë veprim si një mbyllje për konfliktin etnik të vitit 2001 dhe si një shans për të përmirësuar marrëdhëniet midis dy komuniteteve etnike.

Organizatat ndërkombëtare i kanë kujtuar vazhdimisht vendet në të gjithë botën se përpjekja për pajtim dhe paqe midis palëve ndërluftuese janë një nga përgjegjësitë kryesore të një shteti.

Megjithatë, duhet të jetë e papranueshme të përdoret amnistia si një masë e drejtësisë tranzicionale për autorët e krimeve të luftës si në rastin “Punëtorët e rrugëve Mavrov”, për shembull.

Në këtë rast, duke marrë parasysh krimet e kryera, të cilat përfshinin tortura dhe trajtime çnjerëzore, Ligji i Amnistisë u zbatua gabim me qëllim që autorët të mbeteshin pa u ndëshkuar.

Një amnisti e tillë nuk është në përputhje me parimet e juridiksionit universal sipas ligjit ndërkombëtar, të cilat lejojnë që autorët e krimeve të luftës, edhe nëse janë amnistuar nga një shtet, të ndiqen penalisht nga një shtet tjetër.

Ligjet dhe marrëveshjet për amnisti për autorët e krimeve të luftës të miratuara në nivel kombëtar nuk mund të njihen ose pranohen si legjitime de jure ose de facto nga një gjykatë e një shteti tjetër ose gjykata ndërkombëtare.

Shmangia e ndjekjes penale të krimeve të luftës të kryera gjatë konfliktit të vitit 2001 është treguar se ka dëmtuar besimin e publikut të gjerë në parimin e shtetit të së drejtës dhe besimin e lëkundur se institucionet e Maqedonisë së Veriut i përmbahen parimit themelor të sigurisë ligjore.

Roli i GJPNJ-së mbetet gjithashtu problematik, veçanërisht sepse kur mori përsipër çështjet gjyqësore të Maqedonisë së Veriut, institucionet e brendshme gjyqësore nuk u lejuan t’i hetonin ato në mënyrë të pavarur derisa Gjykata e Hagës t’i kthente ato në Maqedoninë e Veriut.

GJPNJ-ja gjithashtu nuk arriti të kryente monitorimin e duhur pasi çështjet u transferuan përsëri në gjyqësorin e Maqedonisë Veriore dhe në vend të kësaj, u përqendrua t’i dorëzonte ato shpejt në përpjekje për t’u siguruar që Gjykata e Hagës të përmbushte afatin e saj për të përfunduar ngarkesën e çështjeve dhe për të mbyllur dyert e saj.

Biljana Volchevska dhe Irena Zdravkova janë studiuese nga Maqedonia e Veriut. Ky artikull është një përmbledhje e një raporti hulumtues që ato realizuan në bashkëpunim me BIRN. 

Artikulli dhe raporti hulumtues u realizuan si pjesë e skemës së granteve të Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan të BIRN, mbështetur nga Mantra Regional Rule of Law Programme.