Kufizimi i qarkullimit në doganën e Kapshticës për shkak të masave ndaj pandemisë së COVID-19 ka prekur nga punëtorët sezonalë e deri tek biznesmenët – të cilët luftojnë prej muajsh për mbijetesë.
Mijëra familje në qarkun e Korçës e kanë mbështetur ekonominë e tyre te punësimi sezonal në Greqi. Pranverën e kaluar kur Greqia kërkoi punëtorë sezonalë, vetëm në bashkinë e Devollit u regjistruan 1500 persona. Për shkak masave ndaj COVID-19 dhe kostove të shtuara, shumë të tjerë nuk mundën të shkojnë në vendin fqinj për të punuar.
Klement Zaçe nga fshati Zvezdë është një prej tyre. Ai dhe familja e tij prej 4 personash nuk kanë të ardhura të tjera veç një ndihme ekonomike minimale prej 4800 lekësh në muaj. Të ardhurat për të jetuar, Zaçe i siguronte nga puna si bujk në Greqi.
“Punoja gati tre muaj dhe siguroja bukën e gjithë vitit për gruan dhe 2 fëmijët,” thotë ai.
Përpara pandemisë, Zaçe punonte në vjeljen e pjeshkëve apo ullinjve, por këtë vit ai nuk pati para për të plotësuar dokumentet dhe paguar biletën e shtrenjtuar të udhëtimit.
“Mua më duheshin 200 euro rruga, tampon e ndonjë shpenzim tjetër dokumentesh që pa u nisur nga shtëpia. Nuk shkova dot,” thotë i revoltuar ai.
Punëtorët sezonalë nuk janë të vetmit që kriza e shkaktuar nga pandemia e COVID-19 i la pa punë. Bizneset që ndodhen afër pikave kufitare, dhjetëra taksixhinj, shitës ambulantë, kantina, lokale dhe hotele gjenden prej muajsh në telashe.
Lëvizja e kufizuar dhe më pas mbyllja e pikës së kalimit kufitar të Kapshticës ka shkaktuar ulje të të ardhurave në buxhetin e shtetit si dhe rënie të ndjeshme në ekonominë e rajonit të Korçës, duke prekur biznesin dhe individët.
“Të ardhurat personale nga emigracioni sezonal në Devoll janë në një masë të konsiderueshme. Mbyllja e Kapshticës ka shkaktuar ndikim tek familjet dhe biznesi i zonës,” pranoi kryebashkiaku i Devollit, Eduard Duro.
Miliona të humbura
Të martën e 9 shkurtit, vetëm një kamion e kaloi traun e doganës së Kapshticës nga Greqia drejt Shqipërisë, pas orësh të tëra pritjeje. Dogana që zakonisht është e zhurmshme nga lëvizjet e njerëzve në dy anët e kufirit, prej gati një viti është thuajse e shkretë.
Të vetmit që vërtiten aty rrotull janë “banorët” e përhershëm; disa taksixhinj që qëndrojnë në afërsi të zyrave të kompanive te sigurimit dhe shkëmbejnë ndonjë fjalë me punonjësit e tyre.
Pika kufitare, nyja kryesore lidhëse për rajonin e Korçës me shtetin grek u mbyll thuajse plotësisht prej 20 nëntorit të vitit të kaluar. Autoritetet greke njoftuan se mbyllja erdhi si masë parandaluese për shkak të situatës së rënduar të COVID 19, ndërsa deklaruan se nuk mund të kalonin as udhëtarët dhe as mjetet e transportit të mallrave.
Në 7 dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet greke i dhanë zgjidhje të njëanshme mbylljes duke lejuar vetëm hyrjen nga Greqia në drejtim të Shqipërisë për mallrat dhe këmbësorët, ndërsa në dalje situata mbeti e njëjtë.
Kufizimi i importit dhe eksportit përgjatë këtyre muajve shkaktoi një rënie të vlerës së produktit vendas, por edhe ulje të punësimit në sektorët e lidhur direkt apo indirekt me tregun e huaj.
Të dhënat nga siguruara nga BIRN nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për të ardhurat e munguara nga kjo pikë doganore tregojnë se në krahasim me vitin 2019, të ardhurat e doganës së Kapshticës ranë me 246 milionë lekë. Totali i të ardhurave nga dogana në vitin 2019 ishte 3,3 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2020 u mblodhën pak më shumë se 3 miliardë lekë.
Taksa, akciza, dhe TVSH si treguesit kryesorë të të ardhurave në doganë shënuan ulje edhe në fillim të vitit 2021, ndërsa të ardhurat nga renta minerare ranë në zero në fillim të këtij viti.
Veç qindra miliona lekëve më pak në të ardhurat doganore në këtë pikë, ekonomia e bizneseve dhe individëve që varen nga lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve në doganë u dëmtua gjithashtu. Një pjesë e bizneseve u detyruan të gjejnë rrugë alternative për të vazhduar punën e tyre, edhe pse kjo u ka shkaktuar kosto shtesë.
Mesatarisht për çdo kamion që transporton mallrat përmes pikës doganore të Kakavijës llogaritet 600-800 euro kosto shtesë, ndërsa përmes Gjevgjelisë në Maqedoninë e Veriut 200-400 euro kosto shtesë. Pavarësisht se janë përpjekur të reduktojnë transportin e mallrave, kompanitë në qarkun e Korçës flasin për mijëra euro humbje.
“Në këtë fabrikë që bëhet përpunimi i lëndës drusore dhe prodhimi i paletave në Drithas të Maliqit janë të paktën 120 të punësuar dhe vetëm unë si biznes, nga nëntori në janar llogaris mbi 60 mijë euro humbje vetëm nga transporti,” thotë biznesmeni Festim Lami.
Ai tregon se ka humbje të mëdha edhe nga porositë, të cilat tashmë është i detyruar që t’i refuzojë për t’i transportuar.
“Për shkak të këtyre vështirësive, shifra [e humbjes] është shumë më e lartë,” thotë Lami.
Biznesmeni shton gjithashtu se efekti i humbjeve është zinxhir dhe përveç Korçës, mbërrin deri tek bizneset e Elbasanit.
Efektin domino të vështirësive me të cilat përballen tregjet si pasojë e pandemisë, në Korçë e kanë ndjerë edhe biznesi fason. Ulja e porosive nga punëdhënësit grekë dhe rritja e kostove përkthehet në humbje të vendit të punës për dhjetëra gra të zonës.
“Kanë shkurtuar të paktën 20 gra nga firma ku punoj unë, por edhe disa që punonin tek firma të tjera. Nuk na del tha pronari, se greku nuk na jep shumë porosi dhe kamionat nuk i dërgojmë dot se shtohet kostoja. Edhe ne me frikë se mos na shkurtojnë jemi,” thotë Lindita, punonjëse e një biznesi fason në Korçë. Ajo shtoi se fillimisht janë shkurtuar punonjëset më me pak eksperiencë.
Bizneset e vogla në krizë
Në fillim të shkurtit, autoritetet e Policisë Greke njoftuan shtyrjen e afatit të Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës deri më 22 shkurt, si pasojë e masave të marra nga qeveria për frenimin e pandemisë së COVID-19.
Deri në këtë datë, dalja nga Shqipëria nëpërmjet kësaj pike kalimi vijon të jetë e mbyllur, ndërsa në kahun e kundërt, lëvizjet lejohen për këmbësorët dhe kamionët e tonazhit të rëndë. Autobusët, taksitë apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve nuk lejohen të kalojnë në asnjë krah.
Vendimi i vendit fqinj u pasua me kosto të shtuara për udhëtarët, të cilët hyjnë në Greqi përmes Kakavijës apo Maqedonisë së Veriut, duke paguar çmimin e dyfishuar të biletave të autobusëve dhe taksive, ndërsa këta të fundit thonë se është e pamundur që të mbanin të njëjtin nivel çmimi për shkak të kostove të shtuara.
“Janë disa faktorë që kanë ndikuar, ndërsa fitimet tona janë ulur në limite,”thotë menaxheri i një linje autobusësh. Të detyruar për të gjetur zgjidhje për udhëtarët, autobusët lëvizin tani nga Maqedonia e Veriut.
Për shkak se lejohet vetëm lëvizja e këmbësorëve, kompania detyrohet që për një grup udhëtarësh të vendosë në dispozicion dy autobusë.
“Edhe për ata që vijnë nga Greqia, përsëri një autobus i sjell deri në kufirin andej, kalojnë si këmbësorë dhe autobusi tjetër i pret këtej, që janë përsëri kosto,” thotë ai.
Edhe operatorët turistikë dhe biznesi i hotelerisë vazhdojnë të përballen me probleme.
“Nuk janë bërë udhëtime fare dhe u bë një kohë e gjatë dhe për fushën tonë nuk ka alternativa të ndërmjetme,” ankohet Esmerald Xhafa, pronar i një hoteli.
Ai tregon se në hotele nuk ka më as udhëtarë që u duhej të kalonin natën aty ndërsa kalonin kufirin apo udhëtonin për arsye pune.
Rënien e lëvizjeve e kanë ndjerë më shumë shitësit ambulantë në afërsi të doganës.
“Vetëm një paketë dhe një shishe ujë kam shitur sot,” thotë njëri prej tyre, ndërsa shton se më parë nxirrte një rrogë mujore nga kjo punë, ndërsa tani qëndrojnë hapur vetëm për të mos e humbur punën.
“Nuk ka këmbë njeriu,”thotë Astriti, një taksixhi që vazhdon të qëndrojë në afërsi të doganës. “Rrimë ngrohemi në diell bashkë me taksitë dhe ikim të paguajmë taksat pastaj, se këto na i do shteti, por që të negociojë me grekun as që kujtohet,” përfundoi ai.