Lajm11 Mar 2020

Meta dekreton tre anëtarët e parë të Gjykatës së Lartë

Kreu i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushaj, pedagogu Ervin Pupe dhe ish-nënkryetari i KLD-së, Ilir Panda ngjiten në Gjykatën e Lartë nga lista e juristëve të spikatur.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Meta duke folur për gazetarët. Foto: Malton Dibra/LSA

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi të mërkurën emërimin e Sokol Sadushajt, Ervin Pupes dhe Ilir Pandës si anëtarë të Gjykatës së Lartë, duke i hapur rrugën ringritjes së kësaj gjykate.

Përmes një njoftimi për shtyp, Presidenca deklaroi se dekretet u firmosën pasi Meta shqyrtoi propozimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe praktikat dokumentuese të kualifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes.

“Presidenti i Republikës vlerësoi pa vonesë këto propozime, duke konsideruar se fillimi nga funksionimi i Gjykatës së Lartë, është një element kyç për respektimin e të drejtave kushtetuese të qytetarëve për një gjykim të drejtë, nga një gjykatë e caktuar me ligj dhe brenda një afati të arsyeshëm,” thuhet në njoftimin e shpërndarë nga Presidenca.

Sokol Sadushaj, Ervin Pupe dhe Ilir Panda do të ngjiten në Gjykatën e Lartë si gjyqtarë të zgjedhur nga rrethi i juristëve të spikatur, pas një procesi të zgjatur vlerësimi në KLGJ. Sokol Sadushaj është drejtor i Shkollës së Magjistraturës, Ervin Pupe është pedagog ndërsa Ilir Panda ka mbajtur postin e nënkryetarit të KLD-së deri në mesin e viteve 2000.

Në garën për Gjykatën e Lartë ndodhen aktualisht edhe disa kandidatë të tjerë, të cilët janë në proces verifikimi nga KLGJ. Mes tyre gjenden edhe ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku, pedagogja Kestrin Katro si edhe juristët Ardita Buna Alsula, Jetmira Rragami dhe Rezarta Melo (Cenaj).

Më 11 shtator 2019, KLGJ skualifikoi 14 kandidatë për vendet vakante të Gjykatës së Lartë, pasi nuk plotësonin kriteret formale, që përfshijnë shkollimin dhe vjetërsinë në punë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *