Analize25 Jun 2017

Metoda D-Hondt e ndarjes së mandateve të deputetëve

Matematicieni Belg Victor D'Hondt i dha emrin në vitin 1878 metodës për ndarjen e mandateve të deputetëve pas votimit. Kjo është një metodë e përdorur në shumë vende të Europës dhe botës ndërsa i jep një avantazh partisë më të madhe në krahasim me partinë e dytë më të madhe dhe zakonisht partive të mëdha përkundrejt partive të vogla. Ky shpjegim i shkurtër ndihmon për të kuptuar se si funksionon.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Victor D’Hondt | Foto nga : Wikipedia

Dy udhëheqës politikë, Edi Rama dhe Sali Berisha, arritën një marrëveshje në vitin 2008 dhe bënë sistemin aktual zgjedhor i njohur si proporcionali rajonal. Numri i deputetëve në këtë sistem përcaktohet sipas formulës së shpikur nga Victor D’Hondt.

Formula është shumë e thjeshtë. Numri i votave të marra nga secila parti pjesëtohet fillimisht me 1 pastaj me 2, me 3 e me rradhë deri sa plotësohet numri i mandateve të përcaktuara për zonën zgjedhore. P.sh., në Qarkun Kukës, votat e secilës parti pjesëtohen me 1, me 2 dhe me 3. Rezultati i pjesëtimeve renditet nga numri më i madh te numri më i vogël. Partive u ndahen mandatet sipas rezultateve të këtyre pjesëtimeve.

Për shembull, nëse në një qark me tre mandate garojnë dy parti që marrin sëbashku 100 vota, por njëra merr 49 vota dhe tjetra 51 vota, formula e D’Hondt i jep partisë me 51 vota dy mandate dhe partisë me 49 vota 1 mandat, pavarësisht se rezultati final është pothuajse i barabartë. Pjesëtimi i 51 me 1 jep 51 dhe partia e parë merr një mandat. Pjesëtimi i 49 me 1 jep 49 dhe partia e dytë merr mandatin e dytë. Pjesëtimi i 51 me 2 jep 25.5 dhe partia e parë merr mandatin e tretë. Pjesëtimi i 49 me 2 jep 24.5 dhe partia e dytë nuk merr mandat tjetër.

Kjo është arsyeja se pse shumë vëzhgues janë të bindur që rezultati në Qarkun Kukës është pothuajse i sigurt dy mandate për Partinë Demokratike dhe 1 mandat për Partinë Socialiste, përveç rastit nëse Partia Socialiste arrin ta përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të kaluara në këtë qark duke marrë më shumë vota se sa Partia Demokratike.

Kjo quhet anësia e formulës së D’Hondt. Një partie i mjafton të marrë qoftë edhe një votë më shumë se sa partisë tjetër për të marrë një mandat më shumë. Për shkak të kësaj ngurtësie, ndryshimi i rezultatit më mandate zgjedhore në shumë prej qarqeve të Shqipërisë duket i vështirë pavarësisht nëse një parti arrin të marrë më shumë apo më pak vota. Në qarkun Lezhë, p.sh, ku dalin shtatë mandate deputetësh, në zgjedhjet e vitit 2013 koalicioni i majtë e përmirësoi ndjeshëm rezultatin e vet në krahasim me vitin 2009. Koalicioni i drejtuar nga PS dhe LSI arriti të marrë 49 për qind të votave më 2013, ndërsa koalicioni i PS pati marrë vetëm 35 për qind të votave më 2009. Me gjithë përparimin e dukshëm të së majtës, sërish, mandatet në Lezhë u ndanë katër me tre për të djathtën, njësoj si më 2009. Që ky rezultat të ndryshonte, koalicioni i majtë do të mund të merrte 51 për qind të votave dhe jo 49.

Nga ana tjetër, në Qarkun Dibër e majta arriti ta ndryshojë rezultatin në vitin 2013. Në këtë qark nxirren gjashtë deputetë dhe rezultati më 2009 qe 4 me 2 për të djathtën. Kjo u ndryshua në 3 me 3. Ky ndryshim rezultati ndodhi sepse e majta arriti të marrë më 2013 37 mijë vota ndërsa e djathta mori 35 mijë. Më 2009 rezultati pati qenë 57 me 32 për qind për të majtën. Dallimi i madh mes Dibrës, ku rezultati në mandate ndryshoi dhe Lezhës, ku rezultati nuk ndryshoi qe përveç ndryshimit në vota edhe fakti që Dibra ka numër mandatesh çift ndërsa Lezha ka numër mandatesh tek. Me pak fjalë, nëse Dibra do të kishte shtatë mandate dhe jo gjashtë, rezultati i së majtës më 2013 do t’i kishte dhënë asaj 4 mandate dhe jo tre, pavarësisht se e majta mori vetëm 2 mijë vota më shumë se sa e djathta. Që rezultati të ndryshojë në Dibër në zgjedhjet e së dielës, atëherë kjo do të thotë që njëra nga palët të marrë shumë më tepër vota se sa pati marrë më 2013 ose që të marrë shumë më pak vota. Ndryshimi me disa mijëra vota në njërin krah ose në një tjetër, nuk mund ta ndryshojë rezultatin në mandate. Megjithatë fakti është që partitë politike garojnë kësaj here të ndara dhe jo në koalicione.

Në tërësi, sa më i lartë të jetë numri i mandateve të ndara në bazë të formulës në një qark të caktuar, aq më e madhe është mundësia që rezultati i zgjedhjeve të jetë i ndryshëm nga herët e kaluara. Ndryshimi më i madh në zgjedhjet e vitit 2013 ndodhi në Qarkun Tiranë, ku rezultati në mandate ndryshoi nga 16 me 16 më 2009 në 19 me 13 më 2013. Edhe këtu dallohet avantazhi që formula i jep koalicionit që mori më shumë vota. Konkretisht, koalicioni i majtë mori 55.8 për qind të votave, por të 19 mandatet që mori përbëjnë 59.3 për qind të 32 mandateve të shpërndara. Njëkohësisht, koalicioni i djathtë mori 41 për qind të votave, por të 13 mandatet e marra përbëjnë 40.6 për qind të 32 mandateve të shpërndara.

Diferenca nga partia e dytë te e treta bën diferencën në mandate

Në Qarkun e Beratit, në zgjedhjet e vitit 2013, Lëvizja Socialiste për Integrim arriti të marrë dy mandate, pasi u rendit e dyta si parti në rang qarku pas Partisë Socialiste. Berati ndante në atë kohë tetë mandate dhe koalicioni i majtë arriti të marrë në këtë qark 73.8 për qind të votave dhe gjashtë mandate. Tani partitë garojnë të ndara dhe formula do të ndihmojë jo vetëm partinë që del e para në krahasim me të dytën, por edhe partinë që del e dyta në krahasim me të tretën. Nëse llogariten votat e marra nga partitë më 2013 me shtatë mandatet që do të ndahen këtë vit në Berat, rezultati është katër mandate për Partinë Socialiste, dy mandate për LSI dhe një mandat për Partinë Demokratike. Por LSI ka marrë 21 mijë vota më 2013 ndërsa PD mori 19 mijë vota e Partia Republikane mori 1962 vota. Në thelb, sipas kësaj formule LSI-së i nevojitet të marrë qoftë edhe një votë më shumë se sa PD-së për të ruajtur dy mandatet e saj në këtë qark ndërsa Partisë Socialiste, do t’i duhen shumë më tepër vota për të marrë një mandat të pestë, ose duhet që PD të marrë shumë më pak vota se sa më 2013. E kundërta është e vërtetë. Një rënie me disa mijëra vota e PS-së mund t’i heqë asaj mandatin e katërt.

Të voglat të diskriminuara

Elementi i fundit i formulës së ndarjes së votave është që partitë e vogla do të duhet të kenë shënjestër shumë të fortë për të arritur rezultatin e dëshiruar. Nëse një parti e vogël garon në Tiranë dhe pjesëmarrja në Tiranë do të jetë aq sa qe më 2013, atëherë një partie të vogël do t’i nevojiten rreth 13 mijë vota për të nxjerrë një mandat deputeti. Por nëse kjo parti arrin të kapë, fjala vjen, 20 mijë vota, ajo do të marrë më tepër vota nga sa duhen për një mandat dhe më pak nga sa duhen për dy mandate. Për rrjedhojë ajo do të marrë vetëm një mandat. Efektivisht, sistemi i D’Hondt i jep avantazh në mandate partive të mëdha, të cilave u nevojiten më pak vota për çdo deputet që nxjerrin nga partitë e vogla.

Ku pritet të ndryshojë rezultati?

Formula e D’hondt është e tillë që rezultati është i vështirë të parashikohet për shumicën dërrmuese të qarqeve. Në secilin qark, një numër relativisht i vogël votash i hedhur në një krah apo një tjetër mund të sjellë ndryshim thelbësor në rezultatin me mandate. E sigurtë është që në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013, në qarqet Kukës, Berat, Korçë, Tiranë e Durrës, rezultati nuk mund të qëndrojë i njëjti siç ka qenë. Në qarqet Kukës, Berat dhe Korçë kësaj here do të dalin nga një deputet më pak se sa më 2013 ndërsa në Tiranë do të dalin dy më shumë e në Durrës, një më shumë. Për rrjedhojë, njëra nga partitë garuese do të humbasë një mandat në secilin nga qarqet me rënie të mandateve ndërsa njëra prej tyre ka shansin të kapë një mandat më shumë në Tiranë ose në Durrës.