Me 22 jetë të humbura në gërmadhat e dy pallateve, banorët e fshatit Thumanë janë të tronditur dhe mosbesues, ndërsa kujtojnë se si u harruan në pallatet e rrezikshme pas tërmetit të dy viteve më parë.
Dhjetra burra dhe gra qëndruan për orë të tëra me sytë e ngulur në ngrehinën e pallatit gjysmë të shembur– burim i tragjedisë më të madhe që ka përjetuar fshati Thumanë i Krujës.
“Kemi mbesën aty,” tha mbrëmjen e së mërkurës një grua me duart lidhur mbi bark dhe me sy të tharë nga lotët.
Nga pallati varen copa soletash të ngecura në pak fije çeliku, ndërkohë që në barkun e tij të hapur vijuan përpjekjet për dy ditë me radhë për të nxjerrë viktimat dhe të mbijetuarit e tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.
Të enjten, Ministria e Mbrojtjes njoftoi mbylljen e operacionit të kërkimit me një bilanc tragjik për fshatin; 22 persona u nxorrën të vdekur nga rrënojat e tullave të bardha që u kthyen në sinonim të fatkeqësisë. Fshati Thumanë është zona më e goditura nga tërmeti me magnitudë 6.4 Rihter, i cili shkaktoi mbi 40 të vdekur dhe qindra të plagosur në Shqipëri.
Rreth e rrotull tyre, ndërtesat me tulla të kuqe qëndrojnë ende në këmbë, edhe pse edhe aty dallohen anime, copa të rëna dhe krisje që i përshkojnë muret nga fillimi në fund. Por tullat e bardha qëlluan më të pabesa.
“Nuk e mbajnë llaçin,” thotë Xhelali, një burrë rreth të 60-ave ndërsa fshin lotët. Një nga miqtë e tij mbeti i vdekur në rrënoja.
Tragjedi e paralajmëruar
Pallatet e prishura bashkë me të tjera në zonë janë ndërtuar në mes të viteve 80’ me punë vullnetare. Ato janë grupuar kryesisht në krye të fshatit, ndërsa rreth tyre dhe në fushë ka shtëpi private të cilat, siç tregojnë banorët, kanë pësuar më pak dëme.
Banorë të Thumanës dhe të mbijetuar i thanë BIRN se dy pallatet e shembura ishin kontrolluar dy vjet më parë, pas një tjetër tërmeti që i la ata për më shumë se një javë në qiell të hapur. Dëshmitë janë megjithatë kontradiktore, nëse pallatet ishin shpallur apo jo të pabanueshme edhe pse qartësisht gjendja e tyre kishte qenë e keqe.
Xhelali thotë se pallatet ishin shpallur të pabanueshme pas tërmetit të dy viteve më parë, por njerëzve nuk u ishte dhënë mundësi tjetër strehimi. Ndërkohë, Vladimir Haxhiu që bashkë me familjen doli gjallë prej këtyre rrënojave, thotë se ndërtesat u shpallën të banueshme. Ai këmbëngul se ishin banorët që e kishin kundërshtuar këtë përfundim atëherë, por ishin dorëzuar pasi nuk kishin ku të shkonin.
“Ne fjetëm me javë te fusha e sportit, por atëherë na thanë që s’ka problem, janë të banueshme,” kujton Haxhiu. “Ne i shikonim si ishin, kishin pësuar krisje, por s’kishim ku të shkonim,” shton ai.
Aureli, një tjetër i mbijetuar prej shkatërrimit të njërit prej pallateve në Thumanë mban mend se ndërtesës i ishte bërë vlerësimi, por nuk e di se si ishte klasifikuar . “Nuk e mbaj mend se çfarë na kanë thënë atëherë,” thotë ai.
Megjithatë, si Vladimir Haxhiu ashtu dhe Aureli konfirmojnë se një pjesë e banorëve e kishin braktisur pallatin me kohë dhe disa nga apartamentet ishin fatmirësisht bosh ditën e tërmetit.
Verifikimi i dyshimtë i dy viteve më parë dhe shkelja e premtimit për të ndihmuar me rikonstruksion i ka bërë dyshues banorët se do të ndihmohen edhe këtë herë. Me zë të ngjirur prej britmave, Aureli i tha BIRN se kishte humbur gjithçka që kishte ndërtuar në jetën e tij.
“Të paktën të na venë dorë për një shtëpi… Nuk ka gjëra të tjera, vetëm viktima ka, stres i gjallë dhe viktima,” thotë ai me një ton nervoz, ndërsa kërkon garanci se do të ndihmohet.
Të mbijetuarit thonë se pas dëmtimeve të para dy viteve, kishin bërë punime shtesë në apartamentet e tyre. “Para dy ditësh mbarova së lyeri se doja ta kisha të pastër për Vit të Ri. Natën e tërmetit gruaja po lante pllakat, që të vendosnim mobiljet në vend. Tani ja çfarë ka ngelur,” thotë Aureli me dorën drejtuar nga rrënojat.
Zyrtarë të ndryshëm ishin gjithashtu kontradiktorë për vlerësimin e pallateve dy vite më parë.
“Nuk kemi ende informacion për këtë,” i tha BIRN zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi. Jo zyrtarisht, burime nga prokuroria e Krujës pohuan se nuk kishin marrë ende materiale apo kallëzim, por thanë se po e ndiqnin situatën.
Të dy burrat që kanë dalë nga pallati i shkatërruar i kishin ende në mendje të forta detajet e natës së tmerrit.
Haxhiu tregoi se kur kishin dalë nga shtëpia, brenda u kishte mbetur një nga fëmijët dhe ai ishte kthyer sërish në ndërtesën që shembej. “Dolëm këmbadoras,” thotë ai, ndërsa kujton se gjithçka ishte në tym dhe errësirë.
Aurelit duket se i ka mbetur peng që nuk i bindi dot fqinjët të dilnin bashkë me të pas tërmetit të parë. Ai kujton si i takoi nëpër shkallë dhe iu tha të rrinin jashtë. “Zoti i kishte paralajmëruar,” kujton ai, por Nënë Selvia e daja – siç u thotë ai fqinjëve i kishin thënë se do qëndronin në shtëpi.
Vetë burri tregon se pas lëkundjeve, dera ishte bllokuar e nuk hapej dhe ai e kishte menduar të hidhej nga ballkoni i katit të pestë, por e kishte kuptuar që nuk do të mbijetonte.
Kaos dhe mosbesim
Në rrugët e Thumanës mbizotëron pasiguria, frika dhe morti. Dhjetra banorë u varrosën të mërkurën në mesditë me ceremoni të thjeshta mortore. Kafet dhe pritjet u bënë në godina që kishin mbetur në këmbë, ndërsa njerëzit ishin ende me sytë nga rrënojat ku ende kishte viktima.
Kampi i çadrave, i ngritur në fushën e sportit të fshatit vizitohej vazhdimisht prej vullnetarësh që sillnin ushqim apo rroba. Të mërkurën në mbrëmje, në anë të rrugës kishte ende persona që nuk kishin as çadër dhe as mundësi strehimi.
Një grup prej dhjetra banorësh u grumbullua në muzg në dyert e një godine që shërbente si magazinë. Banorët protestuan për minuta të tëra pas dyerve të hekurta se nuk u ishin dhënë shtretër dhe dyshekë. “Na kanë dhënë batanije, por jo dyshekë. Kemi fëmijë të vegjël,” i tha Birn Xhemal Maksuti, ndërsa i shtrëngonte dorën një djali të vogël.
Një grua tha se ishin acaruar pasi askush nuk shkonte të shihte se në çadra nuk kishin asgjë. Ndërsa nga kamionë dhe furgonë të mbushur me ndihma qytetarësh ndaheshin vazhdimisht ushqime dhe batanije, mjaft banorë ndjeheshin të frikësuar dhe në ankth se po harroheshin.
Adie Sula, që ndodhej në një çadër bashkë me fëmijët, i tha BIRN se kishte marrë ushqime dhe batanije, por pas katër orësh ende duhej të rrinte në këmbë, pasi nuk kishin as krevatë dhe as dyshekë. Sula tha se një natë më herët kishin qëndruar në oborrin e shtëpisë mbuluar vetëm me mushama për t’u mbrojtur nga vesa. “Kemi kafshë, kemi një lopë dhe nuk doja ta linim,” tha gruaja.
Megjithë praninë e madhe të zyrtarëve, përfshi atë të kryeministrit Edi Rama, pakkush ka informacione apo sqarohej se kur dhe si do të pajiseshin me çadra apo ku do të vendoseshin.
Ish-ministrja Eglantina Gjermeni, e cila ishte aktive në shpërndarjen e ndihmës në kamp, i tha BIRN se kishte një urdhër për të mos hapur çadra të tjera në fushë. “Ka arsye edhe për këtë, nuk duhet të mbipopullohet kampi, por do gjendet një zgjidhje,” tha ajo, e pyetur për familjet që prisnin çadra, ndërsa kishte filluar të vesonte shi.
Megjithatë, BIRN evidentoi se dy orë pas përplasjes me zyrtarët, banorët u pajisën me dyshekë dhe krevatë dhe disa nga familjet pa çadra morën një të tillë.
Përpjekje për vakte dhe zemra të ngrohta
Dhjetra makina me ndihma u shkarkuan në Thumanë gjatë orëve që u ndodhëm në zonë. Furgonë të ndryshëm futeshin herë pas here në rrugicat e fshatit dhe shpërndanin pica, sanduiçë e ushqime të ftohta.
Në kangjellat e kampit, të rinj nga Tirana apo qytete të tjera erdhën të tërhiqnin të pastrehë. “Kemi ardhur të ndihmojmë, ofrojmë strehim,” tha një vajzë që kërkoi të ishte anonime. Banorët nga ana tjetër, nuk ishin fort të sigurt nëse donin të largoheshin nga Thumana. “E di që ka shtëpi. I ka parë vajza, por për momentin do rri këtu,” tha Vladimir Haxhiu.
Të pasigurtë për të lëvizur ishin edhe banorë të tjerë. Ndërkohë dhjetra vullnetarë hynin e dilnin në kamp, ngarkuar me mallra, illaçe dhe ndihma të tjera.
Një mensë e improvizuar shërbeu vazhdimisht ushqim të ngrohtë që transportohej në kamp me furgonë, ndërkohë që në rrugët e fshatit flitej italisht dhe greqisht. Veç gazetarëve nga këto vende, në rrugë janë infermierë të ndihmës së shpejtë nga Italia dhe ushtarë të Kosovës, që drejtuan për pjekjet për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat.
Mes të ardhurve nga larg ka edhe emigrantë. Një shqiptar rreth 50 vjeç, punonjës i Misericordie D’Italia thotë se është kthyer bashkë me djalin për të ndihmuar, bashkë me vullnetarë nga qyetete të ndryshme të Italisë.
Vullnetarët nga Tirana ndërkohë u angazhuan të ngrohnin zemrat e fëmijëve. Në kamp kishte klloun dhe një grup të rinjsh, punonjës socialë që organizonin vazhdimisht lojëra për fëmijë. Në mes të ankthit dhe të qarave, ata kënduan së bashku “Baby shark’ [Peshkaqen i vogël].