Naftëtarët kanë protestuar kundër kompanisë Byllis Energji – administratorit të ri të rafinerisë së Ballshit, duke kërkuar kontrata kolektive dhe solidaritet midis punonjësve të kombinatit.
Qindra punonjës të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, të cilët prej disa muajsh janë të papunë si pasojë e pezullimit së aktivitetit të uzinës, kanë protestuar mëngjesin e sotëm për mosfillimin e punës, duke kërkuar nënshkrimin e kontratave kolektive.
Pas largimit në dhjetor 2017 të kompanisë IRTC, rafineria është marrë në administrim nga kompania Byllis Energji me administrator z. Blerim Hoxha. [kliko për ekstraktin] Sipas naftëtarëve Byllis Energji ka lidhur kontrata individuale me punëtorët e fabrikës, por ka punësuar vetëm 150 prej tyre që punojnë në sektorët jetik të TEC-it dhe zjarrëfikësve.
Pasi protestuesit kishin rreth një orë që qëndronin para hyrjes së KPTHN-së, aty ka mbërritur administratori i kompanisë “Bylis Energy”, Blerim Hoxha, i cili ka ecur në këmbë përmes naftëtarëve. Këta të fundit janë irrituar duke i kërkuar atij të drejtat e tyre për punësim.
Kur administratori i Byllis Energji ka hyrë në ambientet e uzinës, naftëtarët e kanë përshkallëzuar protestën e tyre duke tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e KPTHN-së. Në këto kushte, punonjësit e sigurisë kanë hapur hyrjen kryesore duke lënë që qindra naftëtarë të hyjnë brenda rrethimit të uzinës, në sheshin para zyrave të administratës.
Aty protetuesit janë konfrontuar fizikisht edhe me administratorin e kompanisë Byllis Energy, te cilin e kanë marë në mbrojtje forcat e sigurisë.
Në protestë kanë qenë të pranishëm edhe kreu i Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, Taf Koleci dhe kryetari i Sindikatës se Naftëtarëve, Kamber Iljazi, i cili u ka bërë thirrje protestuesve të bashkohen për të arritur realizimin e këresave të tyre, nëshkrimin e një kontrate kolektive, nisjen e punës dhe trajtimin me statusin e naftëtarit.
Pas largimit të administratorit Blerim Hoxha, naftëtarët kanë marshuar drejt reparteve të KPTHN-së, duke u kërkuar 150 kolegëve që kanë nisur punën, që t’u bashkohen. Për rreth një orë ka vazhduar marshimi i naftëtarëve në territorin e uzinës dhe më pas janë mbledhur sërish në sheshin para zyrave të administratës, ku kreu i sindikatës, Kamber Iljazi, u ka bërë thirrje drejtuesve të kompanisë dhe qeverisë që të ulen për të nënshkruar një kontratë kolektive bazuar në kodin e punës. Gjithashtu, ai u ka kërkuar naftëtarëve që të bëjnë qëndresë derisa të fitojnë të drejtën e tyre.
“Nga ju vëllezër e motra, kërkoj mbështetje maksimale…, duke qëndruar solid, duke kërkuar ato që ligji ka nënshkruar…, të gjithë bashkë, të gjithë jashtë, derisa kontrata të jetë nënshkruar, e të hyjmë si punëtorë me dinjitet, në një vend që presupozohet të hyjë në Bashkimin Evropian”, theksoi kryesindikalisti i naftëtarëve, Kamber Iljazi.
Pas protestës, në ambientet e KPTHN-së së Ballshit ka mbërritur Këshilltari i Ministrit të Infrastruktuës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, i cili ka zhvilluar një takim me sindikalistët dhe një përfaqësi të naftëtarëve, ku është diskutuar lidhur me kërkesat e këtyre të fundit.
Gjatë një komunikimi telefonik, Kryetari i Degës së Qarkut Fier të Konfederatës së Sindikatave, Rrapo Isufaj, pohoi për BIRN se këshilltari i ministrit Gjiknuri, Ilir Bejtja, ka rënë dakort që të hënën të vazhdojë dialogu mes sindikalistëve e naftëtarëve, përfaqësuesve të qeverisë edhe drejtuesve e administratorit të kompanisë “Byllis Energy”.
“Në takimin e sotëm na u premtua se do të mundësohet transparenca e kompanisë ‘Byllis Energji’ dhe nëse kjo e fundit do të ketë kapacitetet për të plotësuar kërkesat tona, shlyerjen e detyrimeve e pagave të prapambetyra të naftëtarëve dhe mundësimin e nënshkrimit të kontratës kolektive, atëherë do nënshkruhet aktmarrëveshja tre palëshe, mes sindikatës së naftëtarëve, qeverisë dhe kompanisë,” tha Isufaj.
“Këshilltari i ministrit Gjiknuri na premtoi se nëse kjo kjo kompani i ka kapacitetet, do të vazhdojë procedurat dhe punën normalisht, në të kundërt nuk do lejohet të vazhdojë aktivitetin e saj”,shtoi ai.
Isufaj nënvizoi se naftëtarët do të vazhdojnë të protestojnë para hyrjes së uzinës edhe në ditët në vazhdim, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.