Lajm7 Nov 2017

Ndërkombëtarët kërkojnë “peshq të mëdhenj” në pranga, në luftën kundër krimit

SHBA dhe BE i kanë premtuar, në sajë të operacionit të pagëzuar “Forca e Ligjit”,  ndihmë qeverisë shqiptare në luftë kundër krimit në këmbim të rezultateve konkrete me  të arrestuar në fillim të vitit që vjen. Njoftohet ngritja e një strukture të posaçme edhe me përfaqësues nga FBI e policitë të vendeve të tjera

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Konferenca për prezantimin e operacionit “Forca e Ligjit”. Foto kortezi e Ministrisë së Brendshme

SHBA dhe disa vende të BE i kanë premtuar ndihmë qeverisë shqiptare në një operacion kundër krimit të organizuar të pagëzuar si “Fuqia e Ligjit” dhe thonë se presin rezultate konkrete prej tij, përfshi arrestimin e të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj” deri në fillimin e vitit që vjen. “Presim që ky plan agresiv i qeverisë shqiptare të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të disa ‘peshqve të mëdhenj’ në fillim të vitit të ardhshëm dhe që ky sukses të vazhdojë në vitin 2018 me  SPAK e BKH”, tha gjatë konferencës për prezantimin e operacionit Ambasadori i SHBA në Tiranë Dondal Lu.

Fillimin e operacionit të pagëzuar “Forca e Ligjit” e prezantoi të dielën Kryeministri Edi Rama, si diçka gati ‘mistike’ një pjesë e të cilës tha ai do të “ishte sekret dhe nuk do të ndahej me askënd”. Rama po ashtu, gjatë një video-selfie, të cilin e quan komunikimi javor, me sfond detin, përmendi pjesëmarrjen në këtë operacion edhe  të FBI dhe të strukturave antikrim të Italisë, Gjermanisë dhe Britanisë.

Ndërkohë sot në konferencë e posaçme me prezencë të ministrit të Britanisë së Madhe për Europën Sër Alan Dunkan, ambasadorit të SHBA, përfaqësues së BE dhe ambasadorë të disa vendeve të tjera, drejtues të policisë dhe Ministrisë së Brendshme njoftuan fillimin zyrtar të operacionit kundër krimit të organizuar dhe krijimin e strukturës speciale që do e realizojë atë.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit Ambasadori i SHBA që konfirmoi praninë e të paktën një agjenti special të FBI si pjesë e kësaj taks-force, i tha të pranishmëve se  ata dhe vendet e BE të përfshira, kërkonin vepra dhe rezultate konkrete. “Ne në Amerikë kemi dhe një shprehje tjetër: Dreka falas nuk ekziston. Nëse Amerika dhe vendet e BE do të vendosim burimet tona dhe besueshmërinë tonë në këtë luftë kundër krimit të organizuar ne presim rezultate”, tha Lu.

Krijimi i task-forcës bëhet në një kohë kur Saimir Tahiri, deputet dhe ish-ministri i Brendshëm i qeverisë Rama I, e cila është prej kohësh nën akuzë prej opozitës për lidhje me kultivimin e kanabisit dhe trafikun e narkotikëve, po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për lidhje me një grup të strukturuar kriminal. Ndërkohë që disa ngjarje të rënda në zona të ndryshme të vendit kanë vënë në dyshim rolin e Policisë së Shtetit dhe mundësinë e saj për të luftuar me krimin e organizuar dhe kanë rritur dyshimet publike për grupe kriminale me lidhje politike.

Këto lidhje i përmendi edhe ambasadori amerikan. “Ajo që dimë gjithashtu është se Shqipëria ka një problem në lidhjen e grupeve kriminale dhe politikanëve. Nëse e mohoni këtë ju lutem të shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Mark Frokut, Gentian Muhametit dhe Elvis Rroshit”, tha Lu, duke e cilësuar këtë si “problem që ka pllakosur politikën”.

Plane dhe krijimi i taskforcave të ngjashme më herët, duke filluar nga viti 2003, nuk ka prodhuar rezultate të lexueshme, madje plani i ri i qeverisë pranon, sipas deklaratave të pjesëmarrësve në konferencë edhe dështimin e institucioneve në luftën kundër  krimit deri tani, por sipas Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa operacioni i ri ka mbështetjen e duhur për të qenë i suksesshëm.

Xhafa tha se duke pasur parasysh krimin e organizuar, kishin arritur të ndërtonin profile “për çdonjërin prej tyre”, madje në këto profile ai tha se janë edhe “pikë-takimet apo lidhjet e tyre me njerëz të pushtetit apo me mekanizmat ndërmjetës të tyre si dhe asetet që kanë krijuar, jo për një muaj dhe as për një vit, por për vite tëra”.

Operacioni sipas Ministrisë së Brendshme do të drejtohet nga një task-forcë speciale qendrore dhe 12 task-forca lokale, të cilat do të përfshijë veç Ministrisë së Brendshme dhe policisë, edhe SHISH, Ministrinë e Drejtësisë atë të Financave dhe prokurorinë.

Në organigramën e shpërndarë për mediat po ashtu thuhet se pranë task-forcës qendrore do të krijohet edhe “Zyra e Asistencës Ndërkombëtare”.  Kompetencat e kësaj zyre dhe ndihma që ajo do japë nuk janë sqaruar, por qeveria dhe ambasadorët e pranishëm pohuan se pjesë e saj do të jenë dhe disa specialistë kundër krimit të organizuar nga Byroja Federale e Hetimit e SHBA (FBI) dhe policitë gjermane, italiane dhe britanike.

Përfaqësuesja e BE në Tiranë Romana Vlahutin po ashtu shprehu mbështetjen për aksionin dhe tha se donte të besonte që ai do ishte i suksesshëm, por ajo përmendi edhe faktin se BE i kishin dhënë Shqipërisë ndihma konkrete për të luftuar krimin dhe tha po ashtu se priteshin rezultate. “Vetëm gjatë këtyre viteve të fundit më shumë se 100 milionë euro janë investuar të cilat duhet të vërtetohen që kanë qenë të dobishme”, tha ajo.

Ministri Britanik që mori pjesë në konferencë i mëshoi po ashtu rezultateve konkrete ndaj pandëshkueshmërisë dhe theksoi se  “Shqipëria ka treguar me veprimet e saj kundër kanabisit se ç’mund të arrijë me vullnetin politik…”, por tha ai “…duhet të ketë një fund në lidhje me mosndëshkueshmërinë pasi peshqit e mëdhenj duhet të kapen, nuk duhet të dalin nga rrjeta”.

Nga ana e tij ministri Xhafa pasi foli për atë që e quajti vullnet të qeverisë kundër krimit, iu rikthye temës së vjetër të një qeverie që po lufton krimin, kundër, edhe siç la ai të kuptohet një fushate intimiduese ndaj institucioneve në media dhe rrjetet sociale të financuar edhe nga këto grupe kriminale. “Përpjekjet për ndikim ndaj publikut dhe intimidimin e agjencive ligjzbatuese përmes platformave mediatike tradicionale dhe atyre online, krahas shërbesave të paguara për goditjen e grupeve të caktuara rivale, rezultojnë gjithashtu shqetësuese”, tha Xhafa. Më herët kryeministri dhe po ashtu edhe ish-ministri i Brendshëm patën akuzuar mediat për krijimin e një “fronti të së keqes”.