Ndotja e ajrit po vret më shumë njerëz çdo vit se sa pirja e duhanit, sipas një studimi të publikuar të martën që bëri thirrje për masa urgjente për të ndalur djegien e lëndëve djegëse fosile.
Studiuesit në Gjermani dhe Qipro vlerësuan se ndotja e ajrit shkaktoi 8.8 milionë vdekje shtesë në 2015 – pothuajse dyfishi i 4.5 milionëve të vlerësuar më parë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se konsumi i duhanit vret rreth 7 milionë njerëz në vit në nivel global.
Studiuesit zbuluan se në Europë – fokusi kryesor i hulumtimit të Shoqërisë Europiane të Kardiologjisë – ndotja e ajrit shkaktoi rreth 790,000 vdekje, 40 deri në 80 për qind e tyre nga sëmundjet kardiovaskulare si atakët dhe infarktet në zemër.
“Duke qenë se shumica e lëndës dhe ndotësve të tjerë të ajrit në Europë vijnë nga djegia e lëndëve djegëse fosile, ne duhet të kalojmë në burime të tjera për të prodhuar energji urgjentisht,” tha bashkë-autori profesor Jos Lelieveld i Institutit Maks-Plank për Kimi në Mainz dhe Institutit të Qipros Nikosia.
“Kur përdorim energji të pastër dhe të rinovueshme, ne nuk po përmbushim vetëm Marrëveshjen e Parisit për të zbutur efektet e ndryshimeve klimatike, por gjithashtu mund të ulim deri në 55 për qind normat e vdekjeve të lidhura me ndotjen e ajrit në Europë.”
Studimi, i publikuar në European Heart Journal, u përqendrua te ozoni dhe grimcat më të vogla të ndotjes, të njohura si PM2.5, që janë sidomos të dëmshme për shëndetin pasi ato mund të depërtojnë në mushkëri dhe madje mund të kalojnë edhe në gjak.
Studiuesit thanë se të dhënat e reja treguan se ndikimi i rrezikshëm i PM2.5 në shëndet – shkaku kryesor i sëmundjeve të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare – ishte shumë më i keq sea mendohej më parë.
Ata kërkuan një reduktim në kufirin e sipërm për PM2.5 në Bashkimin Europian, i cili aktualisht është i vendosur në 25 mikrogramë për metër kub, 2.5 herë më i lartë se udhëzuesi i OBSH.
“Në Europë vlera maksimale e lejuar është shumë e lartë,” tha Lelieveld dhe bashkë-autori profesor Thomas Munzel, i Departamentit të Kardiologjisë të Qendrës Mjekësore Universitare Mainz në Gjermani, në një deklaratë të përbashkët.
“Në SHBA, Australi dhe Kanada, udhëzimi i OBSH është marrë si bazë për legjislacionin, gjë e cila nevojitet gjithashtu edhe në BE.”
Në mbarë botën, ndotja e ajrit shkakton 120 vdekje shtesë në çdo 100,000 njerëz në vit, me vdekje në pjesë të Europës në një shkallë akoma më të lartë, deri në 200 në 100,000.
“Kjo do të thotë se ndotja e ajrit shkakton më shumë vdekje shtesë në vit sesa pirja e duhanit,” tha Munzel.
“Duhan pirja mund të shmanget, por ndotja e ajrit jo.”
Marrë me autorizim nga Weforum.org. Air pollution killing more people than smoking, say scientists