Është një parim themelor i drejtësisë: burrat dhe gratë duhet të kenë të njëjtat mundësi ekonomike në jetë. Por në të gjithë botën, pavarësisht progresit, protestave dhe legjislacionit, ekziston një hendek i vazhdueshëm mes asaj që paguhen burrat dhe gratë.
Për çdo dollar që fiton një burrë, një grua paguhet mesatarisht 54 cent. Bazuar në normën e progresit të sotëm, do të duhen 202 vjet që ky hendek të mbyllet, sipas Forumit Ekonomik Botëror. Siç tregon kjo tabelë e ekonomive të mëdha të OECD-së, mospërputhja ekziston në të gjithë botën.
Por çfarë po ndodh pas këtyre shifrave? Si diskriminimi i drejtpërdrejtë ashtu edhe një sërë faktorësh komplekse ndikojnë në kufizimin e opsioneve të hapura për gratë, sipas ekonomistes amerikane Laura Tyson. Ajo vë në dukje prindërimin si moment kur hendeku zgjerohet, me nënat që ndëshkim në pagat e tyre ndërsa baballarët gëzojnë një shpërblim.
Kjo e mëposhtmja është një transkriptim i redaktuar i një bisede me Laura Tyson, profesoreshë e nderuar e Graduate School në Berkeley.
“Ka shumë faktorë pas pabarazisë në pagë midis burrave dhe grave. Unë do të filloja thjesht me faktin se deri së fundmi ka pasur nivele të ndryshme të arritjeve arsimore për burrat dhe gratë, dhe arritjet arsimore janë një përcaktues kryesor i të ardhurave. Por gjatë 20 viteve të fundit, bota ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në eliminimin e dallimeve arsimore midis burrave dhe grave, kështu që këto dallime tani luajnë një rol shumë më të vogël në diferencat e të ardhurave gjinore, sidomos mes punëtorëve më të rinj me nivele të krahasueshme arsimore.
Pra, le të shikojmë disa faktorë të tjerë që ndikojnë në hendekun gjinor në të ardhurat.
Gratë zgjedhin profesione të ndryshme nga burrat. Dhe ka ndryshime të mëdha dhe të vazhdueshme në të ardhurat e profesioneve të ndryshme. Në të gjithë botën, profesionet si mësuesit paguhen më pak sesa profesionet si inxhinierët. Pra, dallimet gjinore në zgjedhjen e profesionit ndikojnë në dallimet gjinore në të ardhurat. Pse gratë dhe burrat bëjnë zgjedhje të ndryshme profesionale? A nuk ka mjaftueshëm modele për t’u ndjekur për gra në profesione me pagesa më të larta? A ka barriera për avancimin e femrave në ato profesione? Përgjigja për të dyja pyetjet është po. Madje, edhe në profesionet me pagesë më të lartë, gratë priren të jenë të punësuara në nivele më të ulëta të hierarkisë profesionale: ekziston një hendek i vazhdueshëm gjinor në nivelet më të larta të menaxhmentit dhe lidershipit brenda profesioneve dhe kjo nga ana tjetër kontribuon në hendekun gjinor të pagave brenda tyre.
Ka dallime gjinore në të ardhurat nga industria ose sektori i aktivitetit ekonomik. Në të gjithë botën, burrat kanë më shumë gjasa të mbajnë vende pune në çdo nivel aftësie në prodhim, një sektor që ofron të ardhura relativisht të larta, ndërkohë që gratë kanë më shumë gjasa të mbajnë vende pune në shërbimet arsimore, një sektor që paguan shumë më pak sesa prodhimi.
Dallimet gjinore në punësim sipas profesionit dhe industrisë janë përcaktues të rëndësishëm të dallimeve gjinore në të ardhurat në mbarë botën. Pra, për të kuptuar dhe zvogëluar hendekun gjinor në të ardhurat, është e nevojshme të kuptohen dhe të minimizohen dallimet gjinore në punësim nga profesioni dhe sektori.
Gratë në mbarë botën gjithashtu kanë më shumë gjasa sesa meshkujt për të punuar me kohë të pjesshme. Dhe puna me kohë të pjesshme, madje edhe për të njëjtën lloj pune në të njëjtin profesion dhe sektor, ka një pagë më të ulët me më pak përkrahje dhe përfitime sociale sesa në krahasim me të njëjtën punë, por me kohë të plotë. Sipas ILO-s, femrat përbëjnë rreth 57% të punonjësve me kohë të pjesshme në nivel global dhe hendeku i të ardhurave midis punës me kohë të plotë dhe asaj me kohë të pjesshme është në masën 10%.
Ekzistojnë gjithashtu dëshmi se amësia dhe ndryshimet gjinore në përgjegjësitë e kujdesit familjar janë faktorë të rëndësishëm pas hendekut gjinor të pagave.
Ka dëshmi të një penalitet page për amësinë: ka një marrëdhënie negative midis pagesës së një gruaje dhe numrit të fëmijëve që ajo ka. Sipas të dhënave të OECD, penaliteti i amësisë arrin deri në rreth 7% ulje page për një fëmijë. Ka gjithashtu dëshmi për një shpërblim për atësinë: një marrëdhënie pozitive midis pagës së një burri dhe numrit të fëmijëve që ai ka.
Kur krahasoni burrat dhe gratë me arsim të krahasueshëm në fillim të karrierës së tyre, të cilët punojnë me kohë të plotë në të njëjtin profesion dhe sektor, hendeku gjinor në fitime është zhdukur kryesisht në shumë ekonomi industriale të përparuara. I njëjti arsim, e njëjta punë, e njëjta pagë.
Pesë deri dhjetë vjet më vonë, shpesh pas ardhjes së fëmijëve, shfaqet hendeku gjinor në të ardhura. Një hendek jo ekzistentë në shndërrohet në një hendek të madh dhe në rritje pagash.
Gratë shpesh zgjedhin të kalojnë në një punë me kohë të pjesshme ose të largohen nga karriera në mënyrë që të kenë më shumë kohë për të qenë nënë dhe për t’u kujdesur për fëmijët kur ata janë të vegjël. Nëse ato kthehen të punojnë përsëri me kohë të plotë, ato shpesh detyrohen të pranojnë një pagë më të ulët në krahasim me pagën që do të kishin fituar nëse do të kishin ndenjur në punën e tyre fillestare.
Ekziston një sasi e konsiderueshme pune e lidhur me drejtimin e një familjeje dhe rritjen e fëmijëve. Edhe kjo punë ekziston. Dhe tani, jo vetëm në vendet industriale të avancuara, por në të gjithë botën, kjo punë bëhet në mënyrë disproporcionale nga gratë. Dhe nuk paguhet.
Një hap i rëndësishëm për mbylljen e hendekut gjinor të pagave është ndarja më e drejtë e përgjegjësive prindërore midis burrave dhe grave. Politikat e lejeve prindërore të paguara që ofrojnë leje lindje për nënën dhe babanë ndihmojnë në arritjen e këtij qëllimi, rritjen e pjesëmarrjes së baballarëve në kujdesin ndaj fëmijëve dhe reduktimin e stereotipeve gjinore për kujdesin e fëmijëve dhe përgjegjësitë familjare që lidhen me to. Kur ky kujdes nuk i kalohet babait, burrat kanë më shumë gjasa të përfitojnë nga kjo, duke zvogëluar dallimet gjinore në shkallën e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore që lidhet me fëmijët. Leja e lindjes nga ana e babait citohet shpesh si një politikë tepër e rëndësishme për të reduktuar ose eliminuar diferencën e pagave që rezulton nga ndëshkimi i amësisë dhe shpërblimi i atësisë.
Diskriminimi, stereotipet dhe paragjykimet e nënkuptuara ende luajnë një rol të rëndësishëm. Së fundi, dhe kjo është e rëndësishme: edhe duke hequr efektin e arsimit, të punësimit, sektorit, punës me kohë të pjesshme, amësisë dhe atësisë, vazhdon të mbetet një hendek gjinor në pagesat e fituara nga të dyja palët. Ky hendek është dëshmi e diskriminimit të vazhdueshëm, stereotipeve dhe paragjykimeve të nënkuptuara në të ardhurat dhe mundësitë e promovimit për gratë. Politikat e qeverisë, mbrojtjet ligjore dhe ndryshimet në praktikat e biznesit, siç janë vlerësimi i rregullt i të ardhurave sipas gjinisë dhe transparenca e pagave, janë të nevojshme për të luftuar këto burime hendeku gjinor në paga.
Marrë me autorizim nga Weforum.org. An economist explains why women get paid less