Dy ngjarje kriminale të rënda janë regjistruar në Vlorë dhe Lezhë në 24 orët e fundit, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën një 22 vjeçar dhe janë palgosur dy të rinj të tjerë.
Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një atentati të ndodhur në fshatin Poro, në njësinë administrative Novoselë, Vlorë. Ngjarja është regjistruar rreth orës 01.10 të së hënës. Dy personat që ishin duke udhëtuar me një motor janë qëlluar me breshëri automatiku. I vrarë ka mbetur Sotiraq (Raqi) Mëhilli 22 vjeç, ndërsa është plagosur shoku i tij Eno Mataj 32 vjeç.
Policia ngre mundësinë e një atentatit ne formën e pritës – ku Mëhilli dhe Mata janë pritur deri sa të kthehen për në banesat e tyre, teksa në mes të rrugës janë qëlluar me breshëri arme automatike kallashnikov duke i lënë të dy të plagosur rëndë. Ata janë dërguar drejt spitalit Rajonal te Vlorës, ku 22-vjeçari Mëhilli ka ndërruar jetë, si pasojë e plagëve në trup.
Pak minuta pas ngjarjes, duke përsëritur skemën e ngjarjeve të mëparshme kriminale të këtij muaji në Vlorë, policia ka gjetur në afërsi të fshatit Bishan – vetëm pak kilometra larg vendit të ngjarjes, një automjet tip Benz-Mercedez të djegur. Në automjet janë gjetur të shkrumbuar edhe 2 armë kallashnikov, të cilat dyshohet se janë përdorur në atentat. Sipas policisë gjetja e shkrumbuar e armëve lë pak hapësirë për ekspertizë daktiloskopike.
Policia e Vlorës është angazhuar në një operacion të përbashkët me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për kërkimin e autorëve, të cilët kanë përfituar nga errësira dhe terreni për tu larguar.
Ndërkohë, 22 vjeçari i mbetur i vdekur në këtë atentat, rezulton i paskeduar nga policia dhe pa të kaluar kriminale. Ndërsa 32 vjeçari Mata, ishte rikthyer prej pak muajsh nga Greqia, ku ishte dënuar për një seri grabitjesh.
Në një ngjarje tjetër kriminale në Lezhë, një 35-vjeçar mbeti i plagosur, pasi u qëllua me armë zjarri. Ngjarja ndodhi në orët e vona të mbrëmjes të së dielës në lagjen “Gurra” të qytetit të Lezhë, ndërsa i plagosur mbeti shtetasi Ridvan Koça.
Koça ka qenë duke pirë kafe në një lokal kur një person është afruar dhe ka qëlluar dy herë me pistoletë në këmbë 35-vjeçarin dhe më pas është larguar. I plagosuri u dërgua menjëherë në spitalin rajonal të Lezhës për ndihmë mjekësore, ndërsa bëhet e ditur se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka shoqëruar disa persona të cilët ishin brenda lokalit në momentin e ngjarjes, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit që qëlloi në drejtim të 35-vjeçarit. Koça mësohet të ketë thënë para grupit hetimor se nuk ka konflikte dhe se nuk e ka njohur atentatorin. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 gëzhoja pistolete si dhe kamerat e sigurisë së lokalit dhe bizneseve të tjera afër vendit ku ndodhi ngjarja.