Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir i kërkoi kryeministrit Edi Rama ndryshime të reja të projektligjeve për mediat në internet, në mënyrë që ato të mos cenojnë lirinë e shprehjes.
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir i kërkoi kryeministrit Edi Rama amendime të reja të projektligjeve për mediat në internet, përfshirë heqjen e kompetencës së Autoritetit të Mediave Audiovizive për të trajtuar rastet e shpifjes.
Përmes një letre dërguar kreut të qeverisë të martën, së bashku me analizën ligjore mbi projektligjet e së ashtuquajturës “paketa antishpifje”, përfaqësuesi i OSBE-së theksoi një sërë çështjesh të mbetura, të cilat rrezikojnë të ndikojnë në lirinë e shprehjes.
Një ndër shqetësimet kryesore lidhet me përkufizimet e gjera për “respektimin e privatësisë dhe dinjitetit të qytetarëve” në draftin për median audiovizive, që sipas përfaqësuesit të OSBE-së i japin AMA-s fuqi të reja të mëdha që mund të ndikojnë në lirinë e shprehjes.
“AMA ose çdo organ administrativ apo rregullator nuk duhet të trajtojë rastet e shpifjes, të cilat duhet të mbeten nën kompetencat e gjykatave,’ shkruan Desir në letrën dërguar Ramës.
Duke iu referuar analizës ligjore të kryer nga eksperti i pavarur, Dr. Joan Barata Mir, kërkohet gjithashtu modifikimi i nenit 132/1, i cili i jep pushtet AMA-s për të detyruar median në internet të publikojë letra ndjese, të heqë përmbajtje apo të vendosë një njoftim të formatit pop-up në rastet e shkeljes së dispozitave të parashikuara në këtë nen.
Analiza ligjore sugjeron formulime më të qarta për tre rastet e bllokimit të aksesit në internet, qartësimin e kompetencave të tre institucioneve të përfshira në projektligjet e propozuara nga qeveria si dhe reduktimin e gjobave për kundravajtet.
Shqetësime ngrihen gjithashtu për kompetencat e reja që i jepen AKEP-it si “gardian” i nocioneve të gjera dhe të diskutueshme mbi mbrojtjen e interesave të vendit, të sigurisë publike apo të të drejtave themelore.
“Këto nocione përkufizohen shumë gjerësisht dhe mund të bien në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të sigurisë juridike, proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë, si dhe nuk përfshijnë rregulla specifike për të garantuar mbrojtjen e lirisë së shprehjes,” thuhet në analizën ligjore.
Ndryshimet ligjore të prezantuara si “paketa antishpifje” nga qeveria e drejtuar nga Rama dhe të miratuara tashmë në mbledhjen e qeverisë janë nisma e pestë ligjore që synon të krijojë një “regjim kontrolli” mbi mediat online. Megjithatë, kjo është nisma e vetme që arriti deri në Parlament, pavarësisht kritikave dhe protestave të organizatave shqiptare dhe atyre ndërkombëtare, të cilat i vlerësojnë projektligjet si antikushtetuese dhe drakoniane.
Në vlerësimin ligjor dërguar kreut të qeverisë, përfaqësuesi i OSBE-së, Harlem Desir vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me autoritetet, që sipas tij kanë sjellë përmirësime të ndjeshme nga varianti fillestar; duke hequr nga draftet parashikimet për regjistrimin e detyrueshëm të mediave online si dhe heqjes së aksesit në internet për çështje që lidheshin me parime etike. Megjithatë, ai thekson nevojën për përmirësime të tjera të projektligjeve gjatë shqyrtimit të tyre në Kuvend.
“Shpresoj se analiza ligjore që përfshin një numër rekomandimesh do të jetë e dobishme në diskutimet e mëtejshme. Zyra ime do të vazhdojë të angazhohet fuqimisht në këtë proces, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës për çdo palë të interesuar deri në përfundim të tij,” përfundoi Desir.