Fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë përballen me pasiguri dhe gjuhë urrejtje në internet, të cilat prekin më së shumti grupmoshat 15 deri në 17 vjeç, zbulon një raport kombëtar i sigurisë në internet.
Fëmijët shqiptarë që kanë akses në internet kanë pak mbrojtje nga materialet e dëmshme për ta online, si dhe kërcënimet që mund t’u vijnë nga persona të tretë – zbuloi një raport i ri publikuar në muajin shkurt nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA).
Raporti i Parë Kombëtar për sigurinë në internet të fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri hodhi gjithashtu dritë mbi problemet me të cilat përballen fëmijët gjatë përdorimit të internetit, si dhe vakumin ligjor të mbrojtjes së mëtejshme të tyre.
Duke analizuar rreth 200 ankesa të raportuara në Platformën Kombëtare për Sigurinë në Internet (www.isigurt.al), raporti zbuloi se grupmosha 15 deri në 17 vjeç bëri ankesat më të mëdha lidhur me abuzimin dhe bulizmin online, pasuar nga grupmosha 11 deri në 14 vjeç.
“Gjatë vitit 2018 djemtë raportuan një përqindje pak më të lartë për internet të pasigurt (46%) krahasuar me vajzat që përbëjnë 43% të fëmijëve që janë ankuar dhe kanë kërkuar ndihmë në platformë,” thotë raporti.
Tirana, Durrësi, Fieri dhe Peshkopia janë qytetet nga të cilat fëmijët kanë bërë ankesat më të shumta.
Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) zbulojnë se për vitin 2018, pati 330 mijë pajtimtarë të lidhjeve fikse të internetit dhe 2 milionë përdorues nga celularët në Shqipëri. Kjo përbën afërsisht 70 për qind të popullatës.
Gjuha e urrejtjes ishte problematika kryesore, pasuar nga adresat false të hapura në emër të ankuesit/es dhe nuditeti. Postimet e papërshtatshme, përndjekja dhe pornografia me të mitur ishin po ashtu pjesë e ankimeve, por në shifra tepër të ulëta.
“Youtube dhe Instagram përbëjnë dy platformat kryesore të ankesave të fëmijëve dhe adoleshentëve për dhunë, bulizëm apo vjedhje të profilit,” thotë raporti.
Platforma ISigurt.al. e krijuar me mbështetjen e katër ministrive shqiptare (të Brendshme, të Inovacionit, të Arsimit, Mirëqenies Sociale 2016) në bashkëpunim me shoqërinë civile, ka për qëllim të ndjekë rastet e raportuara nga fëmijët dhe t’i referojë ato te autoritetet përkatëse për fshirjen e postimeve apo zgjidhjen e çështjeve.
“Gjuha e urrejtjes dhe thirrjet për dhunë seksuale në shumicën e rasteve janë të drejtuara ndaj vajzave dhe rrallë kundër djemve,” shtoi raporti.
Altin Hazizaj, drejtues i CRCA i tha BIRN se Shqipëria është ende tepër larg bërjes së internetit të sigurt për fëmijët, por megjithatë është në rrugë të mbarë.
“Nga njëra anë, më së fundi do të kemi rregullime ligjore përsa i përkët përmbajtjes së dëmshme për fëmijët, ndërsa nga ana tjetër kemi rënë dakord me kompanitë e internetit, të telefonisë celulare dhe AKEP për të krijuar një Aleancë të madhe kombëtare për sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në internet,” tha Hazizaj për BIRN.
Tensionet politike qeveri-opozitë në 6 muajt e fundit kanë lënë në vend përpjekjet e shoqërisë civile për të ndryshuar Kodin Penal për mbrojtje shtesë të fëmijëve në internet.
Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Linja Kombëtare e Telefonit të Ndihmës për Fëmijët ALO 1116 janë dy shtyllat e mbrojtjes së fëmijëve në internet aktualisht.
Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri i ka propozuar Kuvendit që përveç dënimit të pornografisë së fëmijëve, të garantojë edhe asgjësimin e materialeve të prodhuara.
Gjithashtu aktivistët e të drejtave të fëmijëve kërkojnë krijimin e një Regjistri Kombëtar për Krimet Seksuale, ku do të shfaqen personat e dënuar duke ofruar edhe parandalim tëçdo forme të dhunës seksuale ndaj fëmijëve prej të rriturve.
Ndarja e keqtrajtimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve në dy vepra penale është një tjetër kërkesë.
Sipas aktivistëve Kodit Penal të Shqipërisë u duhen shtuar edhe disa vepra të reja të dënueshme si përgatitja dhe nxitja e fëmijëve për t’u përfshirë në marrëdhënie seksuale, dërgimi i mesazheve seksuale/erotike, ngacmimi seksual nga të rriturit, kërcënimi ose mashtrimi për të kryer marrëdhënie seksuale dhe përdorimi i paautorizuar dhe vjedhja e identitetit.
Raporti bën gjithashtu thirrje që autoritetet shqiptare tëçojnë sa më shpejt përpara këto ndryshime të nevojshme të legjislacionit, ndërsa shtojnë përpjekjet për të promovuar platformën dhe denoncimin e rasteve të pasigurisë në internet të fëmijëve.
“Nëse industria fillon të mbrojë fëmijët atëherë edhe policia, sistemi i mbrojtjes së fëmijëve dhe ne si Qendër e Internetit të Sigurt, e kemi më të lehtë t’i mbrojmë dhe përkrahim ata,” shprehet Hazizaj.
“Në këtë drejtim kërkohet shumë më tepër punë dhe veprime nga ana e institucioneve shtetërore,” përfundoi ai.