Një zëdhënës i Policisë së Shtetit i pyetur nga BIRN tha se drejtoria e standardeve ka nisur hetim disiplinor mbi një punonjës që u kap në video duke dhunuar në mënyrë barbare një adoleshent për “tejkalim kompetencash”. Policia nuk iu përgjigj pyejeve nëse ka padi penale për veprime arbitrare ndaj policëve dhunues.
Policia e shtetit bëri të ditur se një zyrë e saj që merret me ankesat ndaj policisë po heton nga pikëpamja administrative një video të xhiruar nga një kalimtar dhe që u publikua në faqen Jeta osh qef ku katër punonjës policie shihen duke keqtrajtuar në mënyrë çnjerëzore një adoleshent.
Pyetur nga BIRN, zëdhënësi i policisë tha: “Ka nisur hetimi disiplinor ndaj punonjësit të policisë. “Drejtoria e Standardeve Profesionale do të grumbullojë të gjitha provat dhe në fund të hetimit do të jepet pasa disiplinore sipas shkallës së shkeljes”.
Zëdhënësi Gent Mullai bëri të ditur gjithashtu se punonjësi i policisë me inicialet G.N. i cili shfaqet në video duke qëlluar me shpullë, është pezulluar nga detyra.
Në videon e transmetuar në faqen në Facebook të Jeta osh Qef, disa policë shfaqen duke e mbërthyer në tokë adoleshentin e paidentifikuar ndërsa dy prej tyre shfaqen duke e goditur me shpulla dhe grushte pavarësisht se adoleshenti nuk duket se po ofron ndonjë lloj rezistence.
Policia e Shtetit nuk ka nxjerrë njoftim zyrtar në faqen e vet në Facebook për ngjarjen, e cila shënon një përkeqësim në marrëdhëniet mes policisë dhe qytetarëve.
Qytetarët shqiptarë kanë urdhër nga qeveria të mos dalin në rrugë përtej një ore të caktuar pa lejen e Policisë së Shtetit, e cila është e autorizuar të vendosë gjoba në bazë të një akti normativ. Por disa policë duket se i kanë dhënë vetes të drejtë të shkojnë më tutje.
Deri në publikimin e këtij lajmi, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nuk ka komentuar mbi ngjarjen.