Analize3 May 2012

Politikanët shqiptarë zbrazin xhepat për lobues amerikanë

Politikanët shqiptarë po shpenzojnë shuma të mëdha parash çdo vit për të lobuar në SHBA, në përpjekje për t’i lënë mbresa votuesve me aksesin te politikëbërësit – por çfarë marrin ata dhe nga vijnë gjithë këto para?

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton

BIRN siguroi të dhëna të cilat tregojnë se partitë politike shqiptare kanë shpenzuar qindramijëra dollarë përgjatë viteve të fundit duke paguar kompani lobimi në Uashington me synimin që të marrin akses te zyrtarët amerikanë dhe për të përfituar mbulim mediatik nga media ndërkombëtare.

Është e paqartë se çfarë të mirash ka sjellë ky lobing i kushtueshëm për një nga vendet më të varfra në Europë ndërsa burimet e financimit të këtyre shpenzimeve mbeten të errëta.

Të dhënat, të publikuara përmes Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, FARA, duket se tregojnë se disa nga kompanitë lobuese më me ndikim në Uashinton kanë punuar pa u lodhur për të siguruar takime mes udhëheqësve shqiptarë dhe atyre amerikanë.

Por provat e zbuluara nga BIRN duket se sugjerojnë se së paku në disa raste, shqiptarët nuk përfituan asgjë veç mundësisë për të dalë në fotografi me udhëheqës të huaj.

Gjithsesi, në Shqipërinë proamerikane, këto takime të thjeshta, ku nuk kishte asgjë më shumë se sa përshëndetje, prezantohen para audiencave vendëse si arritje të mëdha diplomatike.

Udhëtime vanitoze

Kur ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta u nis për një vizitë në SHBA vonë në mars, ai nuk qe politikani më i dashur në Shqipëri.

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, LSI, partneri i vogël i qeverisë së Shqipërisë, sapo pati mbijetuar para një gjyqi për korrupsion në Gjykatën e Lartë, pas publikimit të një videoje të regjistruar në mënyrë sekrete në janar 2011.

Shpallja i pafajshëm i Metës në 16 janar 2012, ngriti pikëpyetje të mëdha në Bruksel ku zyrtarët prej kohësh kanë përsëritur kërkesën që Shqipëria të ndjekë një politikë më të ashpër kundër korrupsionit në rast se dëshiron të bashkohet me BE-në.

LSI tha se Meta vizitoi Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një forum ekonomik dhe se zhvilloi takime të profilit të lartë me anëtarë të Kongresit dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit.

Një takim i caktuar u vu më shumë në dukje, takimi me kreun e Agjencisë Kundër Drogës, DEA, Michele Leonhart.

Një deklaratë e partisë më 28 mars, tha se Leonhart e priti metën në një takim ku të dy zyrtarët diskutuan “marrëdhëniet e shkëlqyera mes agjencive ligjzbatuese në Shqipëri në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut ilegal”.

LSI tha se Meta kishte një listë të gjatë me sugjerime për Leonhart mbi atë se si duhet të fuqizohet lufta kundër krimit të organizuar në Ballkan, nga hapja e një zyre rajonale të DEA në Tiranë te rehabilitimi i përdoruesve të drogës dhe fuqizimi i bashkëpunimit rajonal.

Gjithsesi, kur BIRN kontaktoi Departamentin e Drejtësisë në SHBA, Departamenti e uli në mënyrë domethënëse rëndësinë e takimit.

“Z. Meta u prezantua me Znj. Leonhart dhe ata shkëmbyen përshëndetje të rastit por nuk kishte një takim të organizuar dhe nuk u diskutua asgjë me rëndësi,” deklaroi Lawrence Payne, një zëdhënës për DEA.

“Çdo sugjerim se kishte diçka më shumë se sa një prezantim i shkurtër është fals,” shtoi ai.

Në një mënyrë të ngjashme, kur kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, vizitoi SHBA-të janarin e kaluar, media proqeveritare pretendoi se ai ishte atje me një ftesë zyrtare të kryebashkiakut të Uashingtonit Vincent Gray.

Një zëdhënës për kryebashkiakun, Doxie Mccoy, i tha BIRN se një ftesë e tillë nuk ekzistonte.

“Një rezident me origjinë shqiptare i kërkoi Kryebashkiakut Gray t’i jepte një vizitë kortezie kryebashkiakut shqiptar dhe z. Gray pranoi, për shkak se ai shpesh mban këto lloj takimesh me dinjitarë të huaj,” shpjegoi ai.

Njësoj si Meta, Basha është një figurë e debatueshme në Shqipëri, i cili u zgjodh kryebashkiak pak muaj para vizitës në SHBA, në një palë zgjedhjesh të mbushura me akuza për mashtrim dhe parregullsi.

Kryeministri Sali Berisha qe i fundit në një seri zyrtarësh të qeverisë që vizitoi SHBA-në më 24 prill.

Berisha u ftua në Amerikë nga shoqata historike shqiptaro-amerikane Vatra, për njëqind vjetorin e saj. Sapo shkoi atje, Berisha zhvilloi takime me zyrtarë të nivelit të lartë, përfshirë Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton.

Gjithsesi, ajo që u vu re qe që pak javë para vizitës së Berishës, qeveria e Shqipërisë i dha shoqatës Vatra 3.6 milionë lekë (€25,700), një donacion që synonte të mbulonte kostot e festimeve në të cilat kryeministri mori pjesë.

Nga vijnë të gjitha këto para?

Udhëtimet në SHBA të Metës, Bashës e madje edhe Berishës, u organizuan nga kompani lobimi që përfaqësojnë zyrtarët shqiptarë.

Të dhënat e publikuara përmes FARA dhe të analizuara nga fondacioni Sunlight me bazë në SHBA, tregojnë se të gjitha partitë kryesore shqiptare, nga Demokratët e Berishës te socialistët e Edi Ramës në opozitë, kanë kontrata më majme me kompani lobuese me ndikim.

Ato përfshijnë Grupin Podesta, Blue Star Strategies, Dutko International, BKSH & Associates dhe Rasky Baerlain Strategic Communications.

Edhe partia relativisht e vogël Drejtësi dhe Integrim, e cila përfaqëson çamët e Shqipërisë, ka agjentin e saj në Uashinton.

Formularët e përpiluar nga Foreign Influence Tracker Database tregojnë se shumica e kontratave të bëra nga agjentë të Partisë Demokratike me zyrtarë amerikanë synonin të siguronin takime apo ftesa për darkë për kryeministrin Berisha dhe kryeparlamentaren Jozefina Topalli.

Agjenti i socialistëve, Rasky Baerlain Strategic Communications, ndërkohë, dërgoi dhjetëra kërkesa për median ndërkombëtare në vitin 2010 në përpjekje për të organizuar intervista apo për të diskutuar krizën politike në Shqipëri.

“Ajo që Shqipëria duket se po bën është që të përdorë njerëz me akses për të siguruar akses për vete në politikëbërësit në Uashington,” deklaroi Bill Alison, drejtor editues në Fondacionin Sunlight.

“Këto takime në përgjithësi zhvillohen në prani të lobistëve dhe shumë nga këto lobistë janë kontribuues të vjetër apo organizues për mbledhje fondesh për anëtarët e Kongresit apo ish-kolegë të zyrtarëve të Departamentit të Shtetit,” vërejti Allison.

Ndërsa kompanitë e lobimit faturuan qindramijëra dollarë për shërbimet e tyre, është e paqartë se nga kanë ardhur këto para. Vetëm në vitet 2009 dhe 2010, qeveria e Shqipërisë dhe partitë e saj kryesore shpenzuan 1.38 milionë dollarë për lobim në SHBA.

Organizatat mbikëqyrëse thonë se do të jetë e vështirë të gjurmohet origjina e këtyre financimeve për shkak se partitë politike shqiptare në përgjithësi nuk janë transparente.

Një Studim nga Transparency International i publikuar në nëntor 2011 tha se financimet për partitë shqiptare monitorohen shumë keq ndërsa boshllëqet ligjore mundësojnë donacione ilegale të shumta.
Alison thekson se për shkak se takimet e organizuara nga lobistët kryhen përtej dyerve të mbyllura, ato janë larg të qenit transparente.

“Frika ëstë që zyrtarët e qeverisë së SHBA-ve nuk do të jenë aq objektiv sa duhet për shkak të lidhjeve që ka një lobist,” tha ai.

“Mesazhi nga zyrtarët e qeverisë së SHBA-së në këto takime duhet të përfshijë këmbënguljen për transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet e qeverisë shqiptare.”