Investigim9 May 2016

Prej 12 vitesh i kërkuar nga Italia, i dënuari për drogë bën sukses në Shqipëri

Fejzo Zekaj-pronar në “hije” i kompanisë “F.Z Construction” i shpëtoi një urdhër-arresti të lëshuar nga policia italiane në dhjetor 2004 dhe një hetimi të prokurorisë shqiptare për pastrim “parash”, ndërsa vazhdoi i pashqetësuar aktivitetin e tij të biznesit në Tiranë.  

Autor: Elton Qyno BIRN Tiranë
Printo

Kompleksi "White Houses" i ndërtuar nga kompania "F.Z Construction" e familjarëve të Fejzo Zekaj. Foto:Facebook

Kompleksi “White Houses” i ndërtuar nga kompania “F.Z Construction” e familjarëve të Fejzo Zekaj. Foto:Facebook

I kërkuar nga policia italiane para 12 vitesh, Fejzo Zekaj ia doli t’i shpëtonte drejtësisë, ndërsa ndërtonte një “perandori” biznesi në Tiranë-kryeqytetin e Shqipërisë. Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se biznesmeni i ndërtimit ishte shpallur në kërkim nga Ministria e Brendshme e Italisë që prej dhjetorit 2004, por urdhër-arresti nuk u ekzekutua për më shumë se një dekadë.

Zekaj ishte shpallur në kërkim në bazë të një vendimi të datës 7 maj 2004 të Gjykatës së Breshias në Itali, pasi u gjet fajtor për trafikimin e 6 kilogramëve heroinë në bashkëpunim me një shtetas bullgar. Në dhjetor 2004, Interpol Roma i kërkoi homologëve në Tiranë arrestimin e tij me qëllim ekstradimin në Itali, por urdhri mbeti pezull për arsye të paqarta.

Policia shqiptare e arrestoi Fejzo Zekajn me 26 shkurt 2016, kur Interpol Roma përsëriti kërkesën për të çuar para drejtësisë 38 vjeçarin me origjinë nga Kuçova. Në këtë kohë, ai zotëronte një kompani ndërtimi me kapital 126 milionë lekësh dhe me kantiere të shtrira në zonat më të lakmuara të Tiranës.

Suksesi i Fejzo Zekajt në shmangien e drejtësisë nuk është një fenomen i izoluar në Shqipërinë e tranzicionit, ku dhjetra të dënuar në Itali jetuan të lirë dhe ndërtuan bizneset e tyre në zona të ndryshme të vendit. Burokracitë në marrëdhëniet mes institucioneve ligjzbatuese homologe u shfrytëzuan nga një kategori njerëzish për të gjetur strehim në Shqipëri dhe për të pompuar paratë e fituara në rrugë të dyshimta në ekonominë informale të vendit.

I arrestuar për llogari të drejtësisë italiane, Zekaj u la në qeli për një afat 40 ditor-kohë kjo standarde për mbërritjen e dokumenteve për ekstradim nga pala italiane. Më 15 mars 2016, Gjykata e Apelit caktoi masën “e arrestit shtëpiak” për të.

Shkak u bë një kërkesë e dytë e autoriteteve italiane, e cila heq dorë nga ekstradimi i tij dhe autorizon autoritetet shqiptare për konvertimin e dënimit në Shqipëri.

Sipas dosjes së ardhur nga Italia, e cila ndodhet në proces përkthimi në Ministrinë e Drejtësisë, Fejzo Zekaj ka marrë një dënim të formës së prerë me 7 vite burg. Të njëjtat dokumente tregojnë se atij i mbeten pa shlyer 3 vjet nga dënimi total.

Albi Serani, këshilltar për mediat i Prokurorit të Përgjithshëm i tha BIRN se kërkesa italiane për njohjen e vendimit penal i ka kaluar tashmë Prokurorisë së Tiranës për zbatim.

“Prokuroria do të përfaqësojë në gjykatë kërkesën për njohjen e vendimit,” tha ai.

Avokati i Zekajt, Ardian Visha pretendon se dënimi i drejtësisë italiane është pezulluar, ndërsa nuk jep më shumë detaje për statusin e klientit të tij.

“Për çdo situatë do të ndjekim rrugën ligjore,” tha Visha.

Nga “trafiku në biznes  

Dokumenti i Intepol Roma që shpall në kërkim Fejzo Zekaj | Foto nga BIRN

Dokumenti i Intepol Roma që shpall në kërkim Fejzo Zekaj | Foto nga BIRN

Fejzo Zekaj ishte vetëm 15 vjeç kur u largua nga Shqipëria në vitin 1992 dhe emigroi në Itali. Asokohe adoleshent, ai bëri një mori punësh të rëndomta para se të ndërtonte një biznes të vogël për shitjen e automjeteve të përdorura në Itali.

Emri i Zekajt shfaqet në dokumentet e drejtësisë italiane në vitin 2003, si i implikuar në trafikimin e 6 kilogramëve heroinë nga Bullgaria dhe Turqia. Në moshën 26 vjeçare, Zekaj arrestohet së bashku me bullgarin Stuianov Nicolov Gheoghe si bashkëpunëtorë në trafikim.

Në vendimin e Gjykatës së Breshias së 7 majit 2004 thuhet se “lënda narkotike ishte siguruar nëpërmjet dy linjave kryesore nga Turqia në Itali dhe nga Turqia në Bullgari. Anëtarët e grupit kryenin shpërndarjen e drogës tek konsumatorët në zona të ndryshme të Milanos në Itali”.

Mënyra se si Zekaj u lirua nga burgu në Itali mbetet e paqartë, por prej majit 2004 ai etiketohet si “i arratisur” nga drejtësia italiane.

I gjithë procesi gjyqësor në Itali është kryer në mungesë të Zekajt, i cili dyshohet se gjeti strehë të sigurtë në Tiranë prej vitit 2004. Pas procesit në Gjykatën e Breshias, ai është gjykuar edhe nga Apeli duke marrë 7 vjet burg si dënim përfundimtar.

Në Shqipëri, Zekaj ka projektuar sektorin në lulëzim të ndërtimit si aktivitetin e tij. Tre vjet pas dënimit të parë në Itali, familjarët e Fejzo Zekajt themeluan në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, QKR kompaninë “F.Z Construction”.

Historiku në QKR tregon se kompania me inicialet e pronarit “në hije” zotërohej 100 për qind nga nëna e tij, Tefta Zekaj dhe administrohej nga e motra, Rudina. “F.Z Construction” shënoi një rritje të shpejtë, ndërsa një vit pas themelimit u shpall fituese edhe e një tenderi publik të Bashkisë së Tiranës.

Sot, kapitali i “F.Z. Construction” është 126 milionë lekë, ndërsa aktiviteti i saj shtrihet në ndërtimin e një kompleksi pallatesh në zonën e liqenit të Thatë, një kompleks rezidencial në Sauk dhe një tjetër kompleks vilash luksoze në Lundër, i quajtur “White Houses”.

Përveç godinave të banimit, F.Z Construction ka përfituar në të shkuarën edhe fonde publike për rikonstruktimin e rrugëve në Tiranë dhe në Berat. Ajo ka përfituar nga buxheti i shtetit më shumë se 200 milionë lekë në të dyja prokurimet.

Ligji “antimafia”

Kompleks banimi i ndërtuar nga kompani F.Z Construction | Foto : Facebook

Kompleks banimi i ndërtuar nga kompani F.Z Construction | Foto : Facebook

Ngjitja e beftë e kompanisë “F.Z Construction” nuk kaloi pa u vënë re nga autoritetet shqiptare. Megjithatë, një hetim i nisur nga Prokuroria e Tiranës për veprën e dyshuar të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” në kuadër të ligjit “Antimafia” u pushua, për shkak se hetimi dështoi të provonte që Fejzo Zekaj ishte dënuar në Itali.

Dokumentet gjyqësore, të cilat BIRN i disponon tregojnë se Prokuroria e Tiranës e nisi hetimin në nëntor 2008, pasi një transaksion i majmë i kompanisë “F.Z Construction” ngjalli dyshime.

Hipotezat u ngritën mbi një kontratë për shitjen e një sipërfaqeje toke në periferi të Tiranës nga familja Zekaj, me vlerë 986.250 euro. Toka 13 150 metër katrorë e ndodhur në Bathore të Tiranës ishte shitur dy muaj para themelimit të kompanisë “F.Z Construction” nga nëna e të pandehurit, ndërsa pagesa ishte bërë në rrugë bankare.

Gjatë hetimit, Prokuroria zbuloi se paralelisht me shitjen e tokës në Bathore, kompania kishte blerë sipërfaqe të konsiderueshme trualli në Sauk të Tiranës, ndërsa kishte kryer një sërë transaksionesh të tjera në bankat e nivelit të dytë.

Në vitin 2010, prokuroria vendosi një masë të përkohëshme sekuestroje mbi llogaritë bankare të kompanisë. Megjithatë, organi akuzës dështoi të vërtetonte se paratë e kësaj kompanie rridhnin nga ndonjë aktivitet kriminal.

Në kuadër të këtyre hetimeve, është zbuluar që ndaj Fejzo Zekajt ka pasur një urdhër-arrest të lëshuar nga Gjykata e Breshias në Itali. Vetë Zekaj ka pretenduar se dënimi nuk ishte i formës së prerë, ndërsa dorëzoi në prokurori një vendim të datës 15 janar 2010 të Gjykatës së Apelit të Breshias, sipas së cilës ai ishte në proces apelimi.

Prokuroria u vendos përballë dilemës nëse ndaj Zekajt kishte apo jo një vendim përfundimtar nga drejtësia italiane dhe për të vërtetuar këtë nisi një letër-porosi drejt shtetit italian. Por nuk mori asnjëherë përgjigje, ndaj vendosi pushimin e procedimit penal më 27 qershor 2011 për shkak të mungesës së provave.

Vendimi i Prokurorisë, që linte hapur mundësinë e riaktivizimit të hetimeve në rast të mbërritjes së një përgjigjeje nga Italia u padit në gjykatë nga kompania “F.Z Construction” dhe Fejzo Zekaj. Në padinë e përbashkët, Zekaj kërkoi ndryshimin e vendimit të prokurorisë me pretendimin se “fakti nuk ekziston”.

Më 27 janar 2012, Gjykata e Tiranës rrëzoi kërkesën e familjarëve Zekaj si të pabazuar në ligj. Gjashtë muaj më vonë, më 4 korrik 2012, edhe Gjykata e Apelit e rrëzoi padinë e tyre me argumentin se ankesa ishte bërë jashtë afateve ligjore. [Kliko këtu për vendimin e gjykatës]

Dosja italiane kundër Fejzo Zekajt është konfirmimi që Prokuroria priste në vitin 2011, kur vendosi të pushonte hetimin mbi burimin e pasurisë së tij. BIRN pyeti Prokurorinë nëse kishte rifilluar hetimin për pasurinë e Fejzo Zekajt në kuadër të ligjit “Antimafia”, por nuk mori një përgjigje.