Interviste21 Oct 2021

Prokuroria shqiptare thotë se nuk ka rol në hetimin e krimeve të komunizmit

Pas komenteve kritike nga Komisioni Evropian për “dështimin e prokurorisë” për të hetuar zhdukjet e kohës së komunizmit, prokurori Sokol Stojani i Prokurorisë së Përgjithshme i tha BIRN se ai beson se nuk ka vend për hetime penale pasi të zhdukurit “janë dënuar me ligjet e kohës”.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Sokol Stojani | Foto: LSA

Nën sytë engjëllorë të Nënës Terezë, në një foto të shoqëruar me një poezi ku humanistja e madhe këshillon të duash edhe njerëzit që janë “egoistë, të pandjeshëm apo të paarsyeshëm”, prokurori Sokol Stojani në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë lundroi për 90 minuta në një dyzinë ligjesh dhe konventash të hapura në kompjuterin e tij pasdreken e së enjtes më 21 tetor, në përpjekje për të shpjeguar para këtij gazetari se pse ai beson se prokurorët nuk kanë rol për të luajtur në rastet zhdukjeve apo të ekzekutuarve pa varr gjatë kohës së regjimit komunist pasi të ekzekutuarit në atë kohë “janë dënuar sipas ligjeve të kohës”.

Sipas Stojanit, problemi i vendndodhjeve të të ekzekutuarve apo të atyre që vdiqën në burgje apo në kampe pune të detyruar është një problem administrativ në të cilin prokurorët nuk kanë rol për të luajtur.

Gjithsesi, gjatë bisedës, rezultoi se në fakt, në së paku një rast, prokurorët kanë pranuar se kanë një rol për të luajtur por kanë refuzuar t’i japin drejtim problemit duke mos marrë vendim – qoftë ky edhe negativ, prej gati katër vjetësh.

Stojani, Drejtor për Bashkëpunimin Institucional në Prokurorinë e Përgjithshme, iu përgjigj pyetjeve të BIRN në lidhje me raportin e Progresit të Bashkimit Evropian, në të cilin, Komisioni Evropian konsideron si “dështim të prokurorisë” mungesën e hapjes së hetimeve kryesisht për rastet e të zhdukurve gjatë kohës së komunizmit.

Raporti i Progresit, i cili është një instrument matës për progresin apo mungesën e progresit drejt arritjes së standardeve të Bashkimit Evropian në çfarëdolloj fushe, preku këtë temë për herë të parë këtë vit në kapitullin “E drejta për jetën”.

Raporti shkruan: “Gjatës periudhës së këtij raporti, zyrat e prokurorive kanë dështuar të kryejnë ndonjë hetim ‘ex officio’ mbi personat e zhdukur gjatë kohës së komunizmit”.

Pyetur nga BIRN se pse prokurorët nuk hetojnë çështje të tilla, Stojani fillimisht iu referua Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Personave nga Zhdukjet me Forcë, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar në vitin 2008. Kjo konventë, e cila ndalon shtetet të kryejnë arrestime dhe rrëmbime të qytetarëve duke i mohuar atyre të drejtat, pavarësisht nëse janë në gjendje lufte apo në situata të tjera.

Stojani beson gjithsesi se mijëra shqiptarët e zhdukur gjatë kohës së komunizmit nuk bien në këtë kategori dhe për rrjedhojë, rastet e zhdukjes së tyre nuk mund të hetohen nga prokuroria.

“Këta persona janë marrë nga organet e ndjekjes penale, janë gjykuar nga gjykatat e dënuar me ligjet e kohës,” i tha ai BIRN.

“Zhdukja me forcë në kuptim të konventës dhe Kodit Penal ka kuptimin e marrjes me forcë nga autoritetet shtetërore dhe mohohet  fakti i vendodhjes se tyre. Pra, ka kuptim te ndryshëm nga mostregimi i varrit ku prehet personi i dënuar me vdekje apo i vdekur gjatë fazës së vuajtjes së dënimit,” shtoi ai.

Sipas Stojanit, përbën precedent negativ që prokurorët të hapin hetime të tilla.

“Identifikimi i vendndodhjes dhe procedurat e gjetjes së eshtrave, në kuptim të marrëveshjes me ICPM dhe ligjeve tona, janë hetime administrative,” shtoi ai.

Stojani argumentoi më tutje se afatet e parashkrimit e bëjnë të pamundur për prokurorët që të hapin hetime duke qenë se zhdukjet në kohën e komunizmit kanë ndodhur dekada më parë.

Një rol i paluajtur

Shqiptarët jetuan për 45 vjet nën një regjim totalitar komunist i cili u rrëzua në vitin 1991. Regjimi përdori të burgosurit si krahë pune të lirë dhe mbajti mijëra anëtarë të familjeve të personave të klasifikuar si “armiq” – përfshirë gra e fëmijë, në një rrjet kampesh internimi.

Një kamp i tillë gjendej pranë qytetit të Ballshit, një kompleks industrial i ndërtuar në vitet 1960, i cili tani është vendi i një rafinerie nafte të falimentuar. Është gjerësisht e njohur se pranë ish-kampit, disa dhjetëra persona janë varrosur në varre pa emër pasi humbën jetën në atë kamp pune.

Më 2018, kjo varrezë e njohur u zgjodh si një zgjedhje e arsyeshme për të nisur procesin e stërzgjatur të identifikimit të mbetjeve të viktimave të komunizmit.

Shqipëria nënshkroi në atë kohë një marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar për Njerëzit e Humbur (ICMP), asistencën e të cilit për autoritetet shqiptare në këtë çështje pranoi ta financojë Bashkimi Evropian.

Tre vjet më vonë, projekti i financuar nga BE përfundoi por varreza e Ballshit nuk u prek. Përfaqësues të ICMP-së u ankuan në një konferencë për shtyp më 2019 se prokurorët në Fier dhe Tiranë nuk kanë dhënë leje për hapjen e varreve. Një diplomate e BE-së në Tiranë nxiti publikisht prokurorët të lëshojnë urdhrat për zhvarrime duke e konsideruar lëshimin e këtyre urdhrave si “absolutisht kritike”.

Të enjten pasdreke, në përpjekje për të mbështetur pretendimin e tij se prokurorët kanë bërë çfarë nevojitej, Stojani i telefonoi me autoparlant të hapur dy prokurorëve në Fier për t’i pyetur për rastin e Ballshit. Nën tonin serioz të Stojanit, prokurori i Fierit deklaroi se ai nuk e kishte vendosur ende se çfarë duhej të bënte ndërsa renditi një numër arsyesh se pse deri tani nuk ka bërë gjë, përfshirë argumentin se nuk ka fonde apo se nuk ka eksperiencë në zhvarrime masive.

“Ata na detyruan ne të hapim një hetim për vrasje,” tha prokurori i Fierit në telefonin e Stojanit, duke iu referuar kërkesës së ICMP-së për të hetuar varrezën e Ballshit. “Ata kishin një hartë të vjetër që tregonte se pranë varrezave ekzistuese [të një fshati] gjenden varret e rreth 60 personave,” shtoi prokurori.

Pyetur se pse nuk është bërë gjë deri më sot, pasi nga hapja e hetimeve “për vrasje” ka kaluar kaq shumë kohë, prokurori deklaroi se është i gatshëm të dalë me një vendim “shumë shpejt” por pa shpjeguar se pse i nevojitet kaq shumë kohë për të dalë me një vendim nëse duhet të urdhërohet hapja e varreve apo jo.

Ndërkohë, viktimat e kampit të punës së detyruar në Ballsh mbeten në vendin ku persekutuesit e tyre i varrosën në varre pa emër.

Pas përfundimit të telefonatës, Stojani vijoi të këmbëngulë se prokurorët nuk kanë rol për të luajtur në këtë çështje.

Një burim me njohuri mbi çështjen i tha BIRN se mungesa e bashkëpunimit nga autoritetet shqiptare në përgjithësi, – të tilla si prokurorët që duhet të urdhërojnë hapjen e varreve, shërbimet e mjekësisë ligjore apo autoritetet vendore të cilat menaxhojnë varrezat, – në një proces kompleks që kërkon kontribut nga institucione të ndryshme, duket se lidhet me dëshirën për ta mbajtur çështjen në nivelin e një procesi historik pa komplikime ligjore dhe pa hetime mbi krimet që mund të jenë kryer dhe që sollën vdekjen e personave që sot gjenden në varre pa emër.

Kjo është një përqasje e kundërt me atë të ICMP-së (dhe dukshëm me qëndrimin e Komisionit Evropian), që kërkon hetime të karakterit penal, ku çdo veprim i kryer duhet të dokumentohet si një provë potenciale në një proces penal të mundshëm.

Shqipëria nuk ka hetuar dhe dënuar asnjë prej krimeve të kryera nga zyrtarët e shtetit gjatë regjimit komunist ndërsa perceptimi i përgjithshëm mes zyrtarëve të sotëm duket se është se ekzekutimet janë kryer “bazuar në ligjet e kohës”, pra që një krim nuk ka ndodhur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *