Kompania OSI Systems, e cila ka nën pronësi 51% të kompanisë 2A Albania, pronare e koncesionit të shumëdebatuar të skanimit në dogana, njoftoi Komisionin e Titujve dhe të Shkëmbimeve të SHBA-së (SEC) se është vënë nën hetim nga SEC dhe nga prokuroria e Kalifornisë për dyshimin e krijuar nga shitja për 450 lekë e 49% të aksioneve të koncesionit në Shqipëri.
OSI Systems e postoi njoftimin për hapjen e hetimeve në faqen e autoritetit mbikëqyrës të titujve dhe bursave në SHBA ditën e premte dhe se autoritetet kanë dorëzuar thirrje për zyrtarët dhe punonjësit e kompanisë.
“Pas një raporti nga një tregtar afatshkurtër, Komisioni i Titujve dhe i Bursës (SEC) filloi një hetim mbi kompaninë në lidhje me Ligjin për Praktika Korruptive të huaja,” thuhet në njoftim. “Zyra e Prokurorit për Rajonin Qendror të Kalifornisë ka thënë gjithashtu se ka në plan të kërkojë informacion në lidhje me këtë çështje,” vijon njoftimi.
Bëhet fjalë për denoncimin publik të kryer nga kompania Muddy Waters Research, e cila vuri re se koncesioni i shumëdebatuar i kompanisë amerikane në Shqipëri për skanimin në pikat doganore është shitur në vitin 2013 te një kompani shqiptare për vetëm 450 lekë në masën 49% dhe se shuma e papërfillshme e shitjes në krahasim me vlerën e koncesionit që do të marrë mbi 220 milionë euro në dhjetë vjet nga shqiptarët ngre dyshime se shitja mund të jetë një pagesë ryshfeti.
“Kemi prova të pamohueshme se disa vite më parë, kur kompania fitoi një kontratë në Shqipëri me vlerë nga 150 deri në 250 milionë USD, ata paguan një rryshfet me thuajse gjysmën e atij koncesioni. Për mua kjo është një provë e qartë,” deklaroi Carson Block-themelues i “Muddy Waters Research”, në televizionin amerikan Bloomberg në fillim të shtatorit.
Edicioni shqip i Zërit të Amerikës intervistoi Block më 15 dhjetor ku ky i fundit i përsëriti akuzat.
Koncesioni i skanimit në dogana u firmos nga qeveria “Berisha” në ditët e saj të fundit në pushtet në vitin 2013, ndërsa partia Socialiste në opozitë e konsideronte marrëveshjen korruptive dhe premtoi anulimin e saj. Por më 16 shtator 2013, pak muaj pas zgjedhjeve dhe vetëm pak ditë pasi qeveria “Rama” mori formalisht pushtetin, kompania S2 Albania e krijuar për të menaxhuar koncesionin e shumëdebatuar, shiti 49% të aksioneve te një kompani shqiptare e quajtur ICMS. Qeveria socialiste vendosi të tërhiqet nga procedura e arbitrazhit për prishjen e kontratës koncesionare me këtë kompani por deklaroi se e ka rinegociuar, duke e reduktuar faturën totale për Shqipërinë.
Kontrata me Rapiscan detyron kompaninë të mbajë disa pika kontrolli në republikën e Shqipërisë dhe në shkëmbim të kësaj, merr drejtpërsëdrejti nga buxheti i shtetit rreth 11 milionë euro në vit.