Lajm3 Dec 2019

Protesta në Bulqizë, Albchrome shkarkon nga puna një tjetër anëtar të sindikatës

Ndërsa dhjetra minatorë bojkotuan punën për të pestën ditë duke i kërkuar Albchrome që të tërhiqej nga vendimi i shkarkimit të kreut të sindikatës, kompania ka shkarkuar një tjetër anëtar të këshillit sindikal të SMBB, ndërsa e ka cilësuar protestën një përplasje mes sindikatave.

Autor: Sami Curri BIRN Tiranë
Printo

Minatori Beqir Duriçi , njëkohësisht ndër themeluesit e SMBB, u shkarkua nga pouna prej Aolbchrome. Foto:Sami Curri

Kompania Albchrome ka shkarkuar të martën një tjetër anëtar të këshillit sindikal të Sindikatës Minatorët e Bashkuar të Bulqizës. Beqir Duriçi që mban njëkohësisht edhe detyrën e përgjegjësit të finacave në sindikatë e lidh shkarkimin e tij me aktivitetin sindikal dhe protestën që vijon prej pesë ditësh.

“Para një jave u shkarkua edhe kryetari i sindikatës, Elton Debreshi, ndërsa mua dhe shokun tim na dhanë paralajmërim për shkarkim nga puna. Shkarkimi mu komunikua sot (të martën), ndërsa shokut tim Behar Gjimi ju dha paralajmërim për pushim nga puna”, tha Duriçi për BIRN, i cili theksoi se shkarkimi kishte lidhje me aktivitetin e tij. “Nuk do mend se shkarkime të tilla janë të lidhur me aktivitetin sindikal dhe ndalohen me ligj”, tha ai.

Shkarkimi i Duriçit vjen pasi dhjetra minatorë protestojnë prej pesë ditësh duke kërkuar ndër të tjera kthimin në punë të kreut të sindikatës Elton Debreshit, i cili u shkakrua nga puna për shkelje të etikës vetëm pak ditë pasi ishte zgjedhur në krye të sindikatës së re. Protestuesit kërkojnë pagesë për ditët e bojkotit dhe po ashtu ndalim të presioneve. Në një reagim të sajin për mediat SMBB shkroi se minatorët protestues ishin kontaktuar dhe u ishte bërë presion një për një.

Ndërkohë Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë dhe një prej sindikatave të saj e cila ka edhe kontratën kolektive me Albchrome, ka sulmuar protestuesit duke u kërkuar të braktisin protestën për të mirë të punës “që i ushqen”. Nga ana e saj policia e Bulqizës, e akuzuar nga minatorët për presion, njoftoi fillimin e procedimit penal ndaj tre vagonistëve duke i akuzuar se kishin zhvilluar protestë “pa lejen e organeve kompetente”. Policia nuk iu përgjigj pyetjes së BIRN në lidhje me pretendimin e minatorëve se u ishte bërë presion që të mos vijonin protestën.

Albchrome nuk iu përgjigj një kërkese të BIRN për koment në lidhje me shkarkimet dhe paralajmërimet. Ndërkohë kompania reagoi publikisht të martën duke e cilësuar protestën një përplasje mes sindikatave, ndërsa tha se ishte vetëm nga një grup i vogël punëtorësh. “Një pakicë punonjësish, që nuk përfaqësojnë masën e minatorëve, teknikëve dhe inxhinierëve, kanë themeluar një sindikatë tjetër dhe ne si Albchrome nuk jemi pjesë e saj, kjo për arsye se aktualisht, kemi nënshkruar një kontratë kolektive me një sindikatë tjetër”, thuhet në njoftim e shpërndarë në faqen zyrtare të kompanisë.

Reagimet e sindikatave të tjera

Reagimi i kompanisë nuk sqaron se përse Albchrome ka marrë anën e njërës prej sindikatave dhe po shkarkon punonjësit që janë përfshirë në sindikatën e re. Ndërkohë Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë që drejtohet nga Kol Nikolla, sulmoi protestuesit dhe Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, duke i akuzuar ata si anarkistë dhe pseudomarksistë. “Me kërkesa haxhi-qamiliste, të artikuluara në letra paçavure, të afishuara nëpër mure tualetesh dhe dhoma çveshjesh të minatorëve janë fytyra e vërtetë e pseudostudentëve pseudomarksist”, shkruhej në faqen e KSSH-së në Facebook.

Një reagim të ngjashëm bëri edhe Federata Sindikale e Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, FSPISH, e cila ka nënshkruar kontratën kolektive me Albchrome dhe aderon në KSSH. KSSH pretendon se ka fituar disa të drejta për minatorët në vite dhe ka përmirësuar kushtet e punës. Sindikatat megjithatë nuk reaguan pas shkarkimit të Debreshit, të cilin e akuzojnë se po punon për karrige.

Ato nga ana tjetër përdorën në komunikimet e tyre gjuhë që tingëllon kërcënuese ndaj minatorëve, për t’i ndaluar t’i bashkohen protestës. “Edhe një herë, për të mirën tuaj, por dhe të punës që ju ushqen”, shkroi në një reagim po në Facebook FSPISH. Ajo u kërkoi minatorëve “t’i kthehen normalitetit të tyre”.

Të dy sindikatat ndërkohë pretenduan pa ndonjë të dhënë se protesta njëfarësoj kishte lidhje me rënien e çmimit të kromit në tregjet ndërkombëtare dhe e përdorën këtë si presion për të ndaluar protestën. “Këto çorganizime të organizuara paralajmërojnë situatë të përkeqësuar, pasi kemi një rënie drastike të çmimit në bursën e kromit dhe ferrokromit, e për pasojë mbylljen e ativitetit minerar për kohë të pa përcaktuar”, thuhet në reagim të KSSH.

Ndërkohë në përgjigje të këtyre reagimeve Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës akuzoi FSPISH dhe Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë se kishin marrë anën e kompanisë dhe po u bënin presion minatorëve.

“Për ne është e papranueshme: ata që deri më sot e kanë konsideruar veten sindikalistë, kërcënojnë punëtorët që po protestojnë që të rikthehen në vendin e punës. Për ta, e mira ju ka zënë sytë, por minatorët e Bulqizës nuk arrijnë t’i shohin. Në ç’vend normal të botës, sindikata nuk do të mbronte interesat e punëtorëve, por interesat e kompanisë në kurriz të punëtorëve? Kjo ndodh në Shqipëri”, shkruhet në reagimin e SMBB.

Kompania nga ana e saj e distancoi veten nga protesta dhe ajo që e quajti përplasje mes sindikatave. “Kompania Albchrome distancohet tërësisht nga ky proces dhe siguron opinionin publik që puna në minierë vijon rregullisht dhe nuk është ndërprerë për asnjë moment”, thuhet në njoftim, ku po ashtu pretendohet se Aolbchrome kishte investuar 22 milion dollarë në muajin e fundit në minierë.

Biznesmeni, Samir Mane, zotërues i Albchrome gjate konferences vjetore me teme: Politika Monetare, Integrimi Ekonomik dhe “Normaliteti i Ri”. Foto LSA

Protesta

“Ne kemi që prej datës 25 që jemi në protestë dhe askush nga kompania nuk ka dalë që të jap një sqarim. Mos flasim pastaj për sindikatën që ka lidhur kontratën kolektive që nuk ka pasur dhe nuk ka interesin e punëtorëve, por të kompanisë dhe të një grupi njerëzish që kanë interesa,” u shpreh Duriçi për BIRN.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës në një komunikatë shpërndarë në faqen e saj në Facebook shkruan se vendimi për shkarkimin nga puna të kryetarit të sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi dhe të anëtarit të këshillit sindikal Beqir Duriçi nga kompania Albchrome është i padrejtë, në shkelje të plotë të Kushtetutës që garanton lirinë në organizime sindikale, Kodit të Punës dhe të Konventave Ndërkombëtare.

“Kompania e Samir Manes e ka humbur toruan nga greva dhe kërkesat e drejta të minatorëve. Kush mendon se do të na thyejë me presion dhe paligjshmëri, e ka gabim. Vetëm sa forcohemi në rezistencën tonë për punë dhe jetë të dinjitetshme”, shkruhet në faqen e sindikatës.

Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore dega Dibër bëri me dije se kishte nisur hetimet edhe për shkarkimin e dytë. ISHPSHSH, njoftoi hetime edhe pas shkarkimit të Debreshit, por burime nga inspektoriati thanë se ende nuk ka dalë me një raport përfundimtarë.

Protesta e minatorëve të Bulqizës ka hyrë në ditën e pestë dhe shumica e minatorëve pjesë e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës kanë bojkotuar punën. Minatorët po ashtu akuzojnë policinë se ka shoqëruar disa prej tyre. Ata i thanë BIRN se janë kërcënuar dhe ju është kërkuar që të ndalin protestat.

E pyetur mbi këto akuza, Policia e Bulqizës reagoi me një njoftim se kishte nisur procedim penal ndaj tre vagonistëve të minierës për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”. Policia thotë se po ndiqen “në gjendje të lirë në ngarkim të tre shtetasve : N.L, B.D, B.Gj, banues në Bulqizë (vagonist në minierë). Procedimi penal ndaj tyre filloi pasi në mënyrë të paligjshme dhe pa lejen e organeve kompetente  kanë organizuar dhe kanë marrë pjesë në grumbullimin që është bërë përpara derës  së Alb –Chrome SHPK zona 41, miniera e Kromit Bulqizë”.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është themeluar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Tiranës më 15 nëntor 2019-të dhe vetëm pesë ditë më pas, kompania Albchrome shkarkoi nga puna kreun e saj, Elton Debreshi. Një shkarkim i tillë nxiti protestat e punëtorëve të tjerë.