Lajm15 Jul 2021

Qeveria do të mbështesë financiarisht Durrësin për menaxhimin e mbetjeve

Këshilli i Ministrave miratoi të enjten një vendim që i hap derën mbështetjes financiare të bashkive të qarkut Durrës për menaxhimin e mbetjeve urbane.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Punonjës të NSHK Durrës duke pastruar qytetin | Foto : Geri Emiri

Këshilli i Ministrave i ka kërkuar nëpërmjet një vendimi bashkive të qarkut Durrës të marrin masa emergjente për gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin e mbetjeve urbane në bazë të legjislacionit në fuqi.

Sipas vendimit qeveria do të mbulojë kostot shtesë që mund të jenë të papërballueshmë për njësite e qeverisjes vendore.

“Pas studimit të tregut dhe gjetjes së zgjidhjeve më të mira financiare për trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë përkatëse të qarkut të Durrësit, bashkia i drejtohet ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara,” shkrun vendimi i Këshillit të Ministrave.

Qe prej mbylljes në dhjetor 2019 të venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano, bashkia e Durrësit i ka depozituar mbetjet e ngurta pa kosto shtesë në landfillin e Sharrës në Tiranë, falë një marrëveshje të negociuar nga qeveria.

Por në qershor, kompania koncesionare që menaxhon landfillin e Sharrës, i dha ultimatum Bashkisë Durrës se pas datës 15 korrik, nuk do t’i pranonte më falas mbetjet e ngurta të qytetit.

Sipas një studimi të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, AKUM, për depozitimin e mbetjeve në Sharrë, bashkia e Durrësit duhet të paguaj një tarifë porte mesatare prej 40.57 euro në 20 vitet e ardhshme, ndërkohë që duhet të ndërtojë gjithashtu një stacion transferimi në vlerë 5.5 milionë euro.

Tarifa e menaxhimit të mbetjeve urbane që mblidhet nga bashkia e Durrësit, nuk e mbulon dot koston e depozitimit të mbetjeve në Sharrë dhe për këtë arsye Këshilit Bashkiak i ka kërkuar qeverisë që ta subvencionojë tarifën për një periudhe 10 vjeçare, si dhe të financojë ndërtimin e stacionit të transferimit të mbetjeve.

Është e paqartë se si është përcaktuar tarifa e depozitimit të mbetjeve të Durrësit në Sharrë pa një studim fizibiliteti për kostot dhe përfitimet që ka kompania koncesionare që menaxhon landfillin.