Lajm6 Jul 2018

Qeveria zvarrit marrëveshjen për identifikimin e viktimave të komunizmit

Mbi një muaj ka kaluar që nga dita kur Këshilli i Ministrave miratoi në parim marrëveshjen me Institution Ndërkombëtar të Njerëzve të Zhdukur (ICMP) për një projekt të kufizuar që synon gjetjen e varreve të një pjese prej personave të zhdukur apo të ekzekutuar gjatë kohës së komunizmit. Por ICMP është ende në pritje të ratifikimit të marrëveshjes në Kuvendin e Shqipërisë.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Varri masiv në Linzë

Eshtra të gjetura në vitin 2010 në varrin masiv të periudhës së komunizmit në Linzë | Foto kortezi.

Qeveria shqiptare dhe Instituti Ndërkombëtar i Njerëzve të Zhdukur (ICPM sipas akronimeve në anglisht), arritën një marrëveshje në mars të këtij viti, por marrëveshja duket se ka mbetur pezull dhe po zvarritet në pafundësi.

Marrëveshja u miratua nga Këshilli i Ministrave më 7 qershor, por ajo do të duhet të firmoset nga të dyja palët dhe të dërgohet në Kuvendin e Shqipërisë për ratifikim para se të marrë peshë ligjore. Një muaj pas miratimit në qeveri, ICMP, e cila ka punuar në identifikimin e viktimave të luftës apo të krimeve kundër të drejtave të njeriut në shumë vende të botës, është ende duke pritur.

Pyetur nga BIRN, një zëdhënës i ICMP tha përmes një emaili se ky komision është ende duke pritur përfundimin e procedurave në mënyrë që të nisin zbatimin e projektit.

“ICMP po pret ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit me Republikën e Shqipërisë dhe kryerjen e aktiviteteve që do të ndihmojnë Shqipërinë të trajtojë problemin e njerëzve të humbur. Ne shpresojmë që Shqipëria do ta përfundojë këtë proces këtë muaj në mënyrë që ne të mund të kryejmë projektin,” tha komisioni.

Qeveria e Shqipërisë nuk iu përgjigj pyetjeve me shkrim se pse siglimi dhe ratifikimi i marrëveshjes po zvarritet tashmë prej muajsh. Projekti i ICMP është financuar nga Bashkimi Europian dhe për momentin disponon fonde të kufizuara për të koordinuar kërkimet në dy varreza të njohura të kohës së Komunizmit, në Dajt dhe në Ballsh si dhe në vendvarrime të tjera të dyshuara. Por projekti i BE-së duhej të kishte nisur tashmë prej një viti ndërsa mbetet pezull në pritje të përfundimit të procedurave nga qeveria shqiptare.

Zyra e Delegacionit Europian në Tiranë i tha BIRN se “ka besim që Shqipëria do ta miratojë marrëveshjen në kohë”, pasi vetëm pas ratifikimit në parlament ICMP do të mund të fillojë procesin e komplikuar të mbledhjes së kampionëve të kodit gjenetik nga familjarët e të zhdukurve si dhe të koordinojë gërmimet në terren për të gjetur eshtrat e të zhdukurve.

“Marrëveshja e Bashkëpunimit mes ICMP dhe Shqipërisë është miratuar nga këshilli i ministrave dhe tashmë është në pritje të procedurave ligjore/legjislative për siglim dhe ratifikim nga Kuvendi i Shqipërisë,” tha zyra e delegacionit.

“Pasi marrëveshja të firmoset, ICMP do të fillojë mbledhjen e kampionëve të familjeve nga anëtarët e mbijetuar të viktimave,” shtoi Delegacioni.

ICMP thekson në përgjigjen e saj se procesi, edhe pas përmbylljes së procedurave burrokratike nga autoritetet shqiptare, do të jetë i gjatë dhe i vështirë.

“Autoritetet shqiptare kanë miratuar më shumë se 24 akte ligjore që nga viti 1991 për trajtimin e çështjes së viktimave të regjimit të mëparshëm, por mbetet i panjohur fati i personave të zhdukur dhe vendndodhja e varreve dhe shumë pak është bërë për t’i dhënë familjeve të të zhdukurve ndihmë reale,” tha ICMP. “Mungesa e informacionit po pengon shoqërinë shqiptare për të kapërcyer trashëgiminë e të shkuarës së vet totalitare.”