Lajm16 Jul 2018

Shkarkohet Gani Dizdari, Gjykata Kushtetuese mbetet me dy anëtarë

Me shkarkimin nga KPK të Gani Dizdarit, Gjykata Kushtetuese praktikisht është “e mbyllur”, ndërsa nga 6 anëtarë të saj që u përfshinë në procesin e vetingut vetëm dy e kaluan atë me sukses.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Rivlerësimi i Dizdarit në KPK – Roland Ilia, Pamela Qirko, Olsi Komici, gjatë një seance te Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, KPK, | Foto nga : LSA

Anëtari i fundit i Gjykatës Kushtetuese që u fut në proces rivlerësimi u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. KPK njoftoi të hënën se Gani Dizdari nuk e kaloi vetingun, pas hetimit në kriteret e pasurisë dhe pastërtisë së figurës, duke lënë jasht shqyrtimit profesionalizmin. Avokati i Dizdarit njoftoi menjëherë pas seancës se do të apelonte vendimin. “Procesi nuk ka përfunduar”, tha ai për mediat.

Nga shtatë anëtarë të Kushtetueses para fillimit të procesit, vetëm dy kaluan shkallën e parë të rivlerësimit. Ndërkohë për kreun e Kushtetueses Bashkim Dedja mbetet ende e hapur mundësia e apelimit nga Komisioneri Publik, ndërsa pjesa tjetër Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha kanë apeluar vendimet e shkarkimit, që pritet të shqyrtohen nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Më herët anëtari tjetër i Kushtetueses Besnik Ymeraj dha dorëheqjen, ndërsa KPK vendosi shkarkimin e Dizdarit.

Ky vendim pezulloi përfundimisht punën e Gjykatën Kushtetuese, e cila deri sëfundmi me tre anëtarë ishte në gjendje të merrte vendime mosfillimi. Procesi për emërimin e gjykatësve të ri ndërkohë ka ngecur, pasi ende nuk është përfunduar vetingu për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED) – ku po ashtu ka mangësi pas shkarkimeve nga KPK, i cili duhet të rendisë kandidaturat . Propozimet e reja po ashtu do duhet të kalojnë përmes procesit të vetingut.

Ndërsa ende pritet zbardhja e vendimit, në seancë dëgjimore KPK njoftoi se Dizdarit i ishin gjetur probleme me pasurinë dhe po ashtu u gjet se ai kishte kontakte të papërshtatshme të cilat cënonin integritetin e figurës së gjyqtarit. Trupa gjykuese e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilia dhe anëtar Olsi Komici konstatoi probleme në një apartament të blërë nga bashkëshortja e ndjerë e gjykatësit dhe në një sasi parash të dhuruara nga të afërmit. Po ashtu ata gjetën probleme në deklarimin e  një apartamenti të blerë nga vajza, i cili ishte deklaruar fillimisht 94 mijë dhe u deklaruar për llogari të vetingut 73 mijë euro. KPK tha se hetimet gjetën të paligjshme edhe burimin e të ardhurave për këtë apartament.

Po ashtu KPK gjeti problematik edhe dënimin e nipit të Dizdarit, i cili u dënua me vendim të formës së prerë për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm”, ndërsa u gjet fajtor pasi synoi në rolin e sekserit të ulte dënimin për një vrasje në Gjykatën e Lartë në kohën kur aty punonte Dizdari në këmbim të 10 milionë lekëve. Relatoti tha se kjo nuk ishte në pajtim me ushtrimin e detyrës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Avokati i Dizdarit Sokol Hazizaj i tha gazetarëve pas vendimit se do të apelonte çështjen, ndërsa e akuzoi KPK se po përdorte “dy standarde” në gjykimin e çështjeve. Gjatë seancës dëgjimore ai pranoi disa nga gjetjet, por kërkoi konfirmimin në detyrë të klientit të tij me argumentin se “Dizdarit i kanë mbetur edhe 6 muaj para se të dalë në pension”. Ai e mbrojti Dizdarin sa i përket dënimit të nipit, duke paraqitur si argument se çështja e këtij të fundit nuk ishte pranuar për rekurs në Gjykatën e Lartë. Ai argrumentoi se gjykatësi e justifikonte pasurinë.