Lajm10 Sep 2018

Shkel rregullat e BE-së, qeveria do të amendojë ligjin e Teatrit Kombëtar

Pasi Komisioni Europian arriti në përfundimin se ligji special për dhënien me koncesion ndërtimin e Teatrit Kombëtar shkel principet e prokurimit publik të BE-së, kryeministri Edi Rama është tërhequr duke pranuar ta amendojë draftin dhe të hapë garën për kompanitë e tjera.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Letra e Komisionit Europian pë qeverinë shqiptare

Në një letër dërguar sekretarit të përgjithëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, kreu i seksionit të Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian, Michaela Matuella ka përshëndetur vendimin e qeverisë shqiptare për të amenduar ligjin special për Teatrin Kombëtar.

“Komisioni mirëpret angazhimin e autoriteteve shqiptare për ta amenduar Ligjin Special me qëllimin futjen e një thirrje për tender të hapur për zbatimin e projektit të zhvillimit të Teatrit Kombëtar, ku çdo kompani private mund të aplikojë me një projekt-propozim,” shkruhet në letrën e Matuellas.

“Në të njëjtën kohë Komisioni kërkon të nënvizojë rëndësinë e përcaktimit  të kritereve të qarta dhe transparente dhe jo diskriminuese për përzgjedhjen e kompanisë fituese dhe zbatimin e Ligjit Special,” shton Komisioni.

Në fund të qershorit qeveria e kryeministrit Edi Rama solli në parlament me procedurë të përshpejtuar një projektligj kontrovers  që anashkalon kuadrin ligjor ekzistues për të dhënë me koncesion jashtë procedurave konkurruese 8,465 metra katrorë tokë publike në qendër të Tiranës kompanisë Fusha Sh.p.k, në shkëmbim të ndërtimit të një ndërtese të re për Teatrin Kombëtar.

Projektligji është kundërshtuar me forcë nga një grup artistësh dhe opozita, të cilat shprehen se përveç humbjes së memories historike me shembjen e ndërtesës ekzistuese të teatrit, ligji shkel kuadrin ligjor për sa i përket trajtimit të pronës publike dhe barazisë së operatorëve ekonomik në tender.

Këto argumente u përforcuan më shumë edhe nga Presidenti Ilir Meta, i cili e ktheu projektligjin për rishqyrtim në parlament dhe refuzoi ta dekretojë.

Lexo më shumë:

Në letrën e dërguar Agaçit, Komisioni shkruan se edhe pse nuk mund të shprehet mbi përputhshmërinë e Ligjit Special me legjistlacionin shqiptar, BE mund të japë vlerësimin e saj për përputhshmërinë e tij me marrëveshjen e Stabilim Asocimit të BE-së me Shqipërinë dhe ligjet relevante komunitare për sa i përket ndihmës shtetërore, kokurrueshmërisë dhe prokurimit publik.

Për sa i përket ndihmës shtetërore, Komisioni nënvizon se edhe pse Ligji Special përcakton procedurën për negocimin dhe vlerësimin e kontratës më kompaninë e përzgjedhur ndërkohë që ndihma shtetërore do të varej nga detajet e kontratës, në bazë të informacioneve që janë mbledhur, Komisioni nuk mund ta përjashtojë që ndihma shtetërore do të përfshihet në transaksionin në fjalë.

Megjithatë, meqënëse elementi i ndihmës shtetërore nuk mund të përjashtohet, është e nevojshme që ky projekt të vlerësohet nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore, çfarë vjen si detyrim nga rregullat e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Për sa i përket përputhshmërisë së Ligjit Special me rregullat e prokurimit të parashikuara nga MSA, kjo e fundit parashikon dhënien e aksesit të njejtë kompanive nga vende të ndryshme të BE-së në tenderët e mbajtuar nga qeveria shqiptare, bazuar në ligjin e prokurimit publik shqiptar. Megjithatë, neni 74 flet për qëllimin e palëve për hapjen e procedura të prokurimit duke u bazuar në principet e mosdiskriminimit dhe reciprocitetit.

“Në këtë kontekst, Ligji Special në mënyrën se si është miratuar, ku parashikohet përzgjedhja parakrake e një kontraktori pa tender të hapur, ngre shqëtësim për shkeljen e principit të mosdiskriminimit dhe principeve të tjera të prokurimit publik në BE, si për shembull trajtimi i barabartë dhe konkurrueshmëria.

Komisioni përfundon duke thënë se edhe pse shkelja e MSA-së nuk mund të përcaktohet në këtë stad të procesit, Komisioni e inkurajon qeverinë shqiptare që të sigurojë përputhshmërinë me rregullat e prokurimit të BE-së dhe akses barabartë dhe jo diskriminues në treg.