Opinion10 Aug 2020

Shpresë për një moment të ri për Kombet e Bashkuara

Kur Kombet e Bashkuara të festojnë 75-vjetorin këtë shtator, SHBA-ja do të jetë ende duke u qeverisur nga një president që nuk ka asnjë lloj interesi për rregullat globale. Por nëse kjo përjashton një rilindje të multilateralizmit global këtë vjeshtë, atëherë gjërat mund të duken shumë ndryshe pranverën e ardhshme.

Autor: Kemal Derviş Project Syndicate Uashington
Printo

Flamujt e Kombeve të Bashkuara. Foto: Pixabay.

Me 21 shtator 2020, Kombet e Bashkuara do të shënojnë 75-vjetorin me një deklaratë të negociuar që pritet të miratohet ne një takim të nivelit të lartë në të njëjtin muaj. Vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara do të duhet t’i vënë një emër të ri këtij eventi.

Kombet e Bashkuara u themeluan pas Luftës së Dytë Botërore, pasi fuqitë aleate mposhtën një regjim të motivuar nga një ideologji e ligë që kishte frymëzuar dhe madje pretendonte se justifikonte mizoritë e papërshkrueshme. Krijimi i Kombeve të Bashkuara ishte një çast vendimtar, që inauguronte një epokë të re bashkëpunimi dhe multilateralizmi që synonte të parandalonte që një katastrofë e tillë të mos përsëritej më kurrë.

Por edhe para krijimit të Kombeve të Bashkuara, tashmë po shfaqej  linja tjetër e thellë e gabimeve që do të përcaktonte rrjedhën e shekullit XX. Fillimi i Luftës së Ftohtë, e cila e ndau botën midis një “Perëndimi” të udhëhequr nga amerikanët dhe një “Lindje” të udhëhequr nga sovjetikët, shkatërroi shpresat e mëdha që ishin vendosur në “momentin e Kombeve të Bashkuara” të vitit 1945.

Sot bota po përjeton një lloj tjetër katastrofe dhe fundi nuk duket aspak afër. Më shqetësuese se COVID-19 janë parashikimet e epidemiologëve se një pandemi më e keqe mund të na godasë në të ardhmen. Edhe nëse na kursehet ky lloj skenari, shkencëtarët që merren me studimin e klimës paralajmërojnë se ngrohja globale do të shkaktojë dëme masive në civilizimin njerëzor, nëse nuk arrijmë zero emetime gazi serrë deri në vitin 2050 – një objektiv që kërkon masa drastike gjatë dekadës së ardhshme.

Për më tepër, nevojitet urgjentisht rregullimi global i teknologjive të reja të tilla si inteligjenca artificiale dhe redaktimi i gjeneve njerëzore. Këto risi ofrojnë premtime të mëdha për përmirësimin e mirëqenies njerëzore, por do të përbëjnë një rrezik edhe më të madh nëse keqpërdoren.

Pyetja, pra, është nëse ky 75-vjetor mund të shërbejë si një tjetër moment i Kombeve të Bashkuara, një rast që bota të mblidhet pas një multilateralizmi të përtërirë si përgjigje ndaj pandemisë. Ndërsa kriza aktuale është shumë ndryshe nga një luftë botërore, ajo është e krahasueshme për nga shkalla. Si një problem me të vërtetë global, pandemia mund të jetë një shtysë për një internacionalizëm shumë më të fortë nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, të paktën në parim.

Deklarata UN75 është hartuar në gjuhën qetësuese që është bërë e pashmangshme në deklarata të tilla të përbashkëta. Pa ia hedhur poshtë meritat, ajo i referohet “angazhimeve të zbatueshme të shtetit të Marrëveshjes së Klimës në Paris”, dhe përmend “nevojën për të frenuar menjëherë emetimet e gazrave serë […] në përputhje me Axhendën e vitit 2030” për zhvillim të qëndrueshëm. Ajo gjithashtu bën thirrje për “multilateralizëm të rifreskuar”, si e vetmja mënyrë për të përmbushur sfidat globale.

Teksti ofron një vizion të gjerë e të dobishëm, por nuk thotë ndonjë gjë të re. Duke qenë se do të mbahet në mes të pandemisë, ajo është e destinuar të zhgënjejë ata që shpresojnë se madhësia e katastrofës aktuale do të sjellë një moment të ri të Kombeve të Bashkuara këtë shtator. Me qeverisjen e SHBA-së nga një president transaksional të cilit nuk i interesojnë aspak rregullat globale, dhe me rivalitetin midis Amerikës dhe Kinës që sa vjen e përshkallëzohet, ndërkombëtarët thjesht nuk mund të presin më shumë në këtë fazë.

Por ka ende shpresë. Deklarata përcakton se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara duhet “të raportojë para përfundimit të seancës së 75-të të Asamblesë së Përgjithshme me rekomandime që do t’i përgjigjen sfidave aktuale dhe të ardhshme.” Kjo do të thotë se raporti do të arrinte në gjysmën e parë të vitit 2021, pikë në të cilën Shtetet e Bashkuara mund të kenë një president të ri, një president shumë më të gatshëm të mbështesë një përpjekje rimëkëmbjeje shumëpalëshe pas pandemisë. Me fjalë të tjera, një moment i ri për Kombet e Bashkuara mund të mbërrijë gjysmë viti me vonesë pas 75-vjetorit.

Gjithsesi, Kombet e Bashkuara duhet të mbeten vendi kryesor për të ndjekur përpjekjet shumëpalëshe. Ato ofrojnë anëtarësim universal, që është një burim thelbësor legjitimiteti në një botë ku shumë njerëz ende identifikohen fuqishëm me shtetet kombe. Ndërkohë që G20 përbën mbi 80% të popullsisë dhe PBB-së së botës, ajo megjithatë përjashton pjesën më të madhe të vendeve të botës.

Kombet e Bashkuara kanë gjithashtu një apel të gjerë, për shkak të qasjes me shumë kanale ndaj qeverisjes globale. Ato mbledhin rregullisht përfaqësues të qeverive lokale, qyteteve, shoqërisë civile dhe sektorit privat, në mënyrë që të dëgjohen të gjithë zërat. Dhe, duke u përgatitur për 75-vjetorin, organizata organizoi debatin më të madh të hapur global, nëpërmjet nismës “UN75 Dialogues”.

Dhe si përfundim, është e rëndësishme të mbani mend se Kombet e Bashkuara nuk janë thjesht një organizatë. Ato janë një sistem që mburret me një gamë të gjerë agjencish të specializuara, ekspertiza e të cilave mund të vihet në funksion në të gjithë botën (nëse është e lejueshme nga burimet dhe pengesat ligjore). Ato madje kanë edhe Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, edhe pse ato funksionojnë në mënyrë autonome.

Për të gjitha këto arsye, një multilateralizëm global i përtërirë pa Kombet e Bashkuara as që mund të imagjinohet. Kriza e COVID-19 dhe paralajmërimet në rritje për krizat që do të vijnë duhet të jenë të mjaftueshme për të nxitur një moment të ri të Kombeve të Bashkuara në gjysmën e parë të vitit 2021.

Sekretari i Përgjithshëm António Guterres mund të ndihmojë duke paraqitur një raport me rekomandime që janë gjithëpërfshirëse, të guximshme dhe ambicioze. Tani nuk është koha që thjesht të pranohen kufizimet ekzistuese. Raporti duhet të përfshijë, për shembull, propozime krijuese për reformimin e Këshillit anakronik të Sigurisë, i cili ka qenë prej kohësh në mospajtim me drejtësinë dhe realitetet globale. Një ide do të ishte të futeshin ndryshimet graduale me votimin e ponderuar dhe/ose një formulë me shumicë të dyfishtë që merr në konsideratë madhësinë e popullsisë, përveç numrit të vendeve në një grup.

Edhe nëse miratohet vetëm disa pjesë të raportit të ardhshëm, ai mund të krijojë një vizion të ardhshëm për internacionalizmin demokratik, si dhe një plan për reformat me kalimin e kohës. Ky vizion duhet të ngjasojë me atë që nisi Kombet e Bashkuara në vitin 1945, i cili mishëroi triumfin mbi një ideologji konflikti të përhershëm. Fitoret ideologjike nuk janë kurrë të plota. Siç e thotë historiani Robert Kagan, xhungla gjithmonë mund të rritet përsëri.

Një vizion me të vërtetë ambicioz do të jetë gjithnjë më shumë aspirues sesa i arritshëm. Megjithatë, viti 2021 mund të shënojë një fillim të ri. Edhe një sukses i pjesshëm do të ndihmonte në ndërtimin e një bote ku konkurrenca zhvillohet brenda rregullave të dakorduara dhe ku bashkëpunimi e kapërcen konfliktin.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Hope for a New “UN Moment”