Pas zbulimit të dy rasteve me Koronavirus të Dielën në mbrëmje, Këshilli i Ministrave urdhëroi mbylljen e shkollave, çerdheve e kopshteve për dy javë ndërsa të gjitha fluturimet drejt Italisë së veriut janë pezulluar.
Avionët e kompanive Blue Panorama dhe të Air Albania qëndruan në tokë në Rinas mëngjesin e së hënës ndërsa qeveria urdhëroi ndalimin e të gjitha fluturimeve drejt Italisë së Veriut me synimin për të penguar dhe ngadalësuar përhapjen e virusit COVID-19 në Shqipëri. Edhe udhëtimet e kompanive Albaëings dhe EasyJet Europe u pezulluan.
Paralelisht me mbylljen e korridoreve ajrore me Italinë, vendi më i goditur në kontinent nga virusi i ngjashëm me gripin por me vdekshmëri shumëfish më të lartë, qeveria urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave, çerdheve dhe kopshteve në vend për një periudhë dyjavore.
Qeveria mbajti një mbledhje jashtë rradhe të hënën për të njoftuar masat e marra ndërsa këshilloi qytetarët të ruanin gjakftohtësinë dhe të luftonin panikun, ndërkohë që në rrugët e Tiranës duket se jeta vijon normalisht.
Shqipëria ka shumicën dërrmuese të fluturimeve ajrore me qytete të ndryshme në Itali, ndërsa numri i fluturimeve dhe i udhëtarëve pritet të bjerë ndjeshëm.
Kompania Albania Air, e cila është në bashkëpronësi shqiptaro-turke, mbajti në Rinas një aeroplan që ditën e dielë duke ndaluar fluturimet e planifikuara drejt Romës, Milanos dhe Bolonjës ndërsa vijoi sipas planifikimit fluturimet për në Stamboll. Blue Panorama anuloi fluturimet drejt Berganos, Xhenovës, Bolonjës, Romës, Milanos dhe Veronës ndërsa kompania Albaëings anuloi fluturimet drejt Pizës dhe Venecias. Kompania EasyJet Europe anuloi fluturimin drejt Milanos.
Linjat e tjera ajrore vijojnë të jenë të hapura.
Drejt Italisë vijojnë fluturimet për në Ankona, Romë, Torino dhe Bari.
Lexo më shumë: