Opinion27 Aug 2017

Shtet i madh dhe shtet i vogël në kontekstin shqiptar

Diskursi mbi “shtet të madh” apo “shtet të vogël”, i cili në Europë është zhvilluar përgjatë tre shekujve të fundit, në Shqipëri ka marrë tipare qesharake, pasi është kufizuar te numri i ministrive, i ministrave dhe i agjencive qeveritare.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij të mandatit të parë. Foto:LSA

Teoria thotë se e majta zakonisht e zgjeron aktivitetin e shtetit për të përmbushur objektivat e saj për shtet të mirëqenies sociale dhe se e djathta e zvogëlon aktivitetin e shtetit në përputhje me objektivin e vet për të çliruar ekonominë nga vargonjtë që domosdoshmërish shoqërojnë ndërhyrjet e qeverisë në ekonomi dhe për të ruajtur lirinë, e cila, për nga përkufizimi, cenohet sa herë që qeveria vepron. Kjo është një teori e vlefshme për lëndën Hyrje në Ekonomi në moshën e gjimnazit.

Megjithatë, diskursi politik shqiptar mbi një çështje të tillë nuk është ngritur shumë më lart se sa Hyrja në Ekonomi.

Duke qenë se ne nuk kemi traditën e nevojshme për ndarjen majtas-djathtas në filozofinë politike dhe duke qenë se kemi parti nominalisht të majta, që ndjekin politika të interesit vetjak dhe parti nominalisht të djathta që bëjnë të njëjtën gjë, diskursi mbi shtet të madh dhe shtet të vogël, i cili në Europë është zhvilluar përgjatë pak a shumë tre shekujve të fundit, këtu te ne ka marrë tipare qesharake, pasi është kufizuar te numri i ministrive, i ministrave dhe i agjencive qeveritare.

Sali Berisha, i cili huazoi filozofinë liberale si një reklamë të vlefshme në vitin 2005, deklaroi me të madhe se synimi i tij qe qeveria e vogël. Ndonëse kjo në filozofi nënkupton pasjen e shtetit me një rol sa më të vogël në shoqëri, Berisha foli vetëm për “më pak ministri”. Ai shpalli se do ta ulte numrin e ministrive, ndryshe nga qeveritë socialiste të periudhës 1998-2005. Berisha u përpoq të ulte numrin e ministrive, por nuk ia doli ta ulë aq sa shpresonte kur u mësua se, fjala vjen, Ministria e Integrimit nuk mund të zhbëhej.

Më vonë, një zyrtar i lartë i LSI, gjatë negociatave për qeverinë e re me socialistët më 2013, deklaroi se ai vetë “nuk qe për një qeveri të vogël”, gjë që supozonte shtimin e ministrave dhe ministrive.

Kjo nuk ka fare të bëjë me ndarjen klasike “shtet i madh” – “shtet i vogël” si tipare të së majtës dhe së djathtës.

Në prag të shpalljes së qeverisë së re, nuk qe në fakt surprizë që tre profesorë nga Universiteti Europian i Tiranës deklaruan se kishin hartuar një plan për “shtet të vogël”, me dhjetë ministri dhe 100 agjenci. Për aq sa u publikua në media, studimi nuk sqaron se çfarë përmasash duhet të ketë shteti në ekonominë kombëtare, se çfarë sektorësh mund t’i hiqen apo t’i shtohen shtetit dhe se si mund të bëhet kjo. Jo, propozimi bazë është ulja e numrit të ministrive.

Propozimi duket se është në të njëjtën vijimësi me diskursin më banal politik të mundshëm, atë të Berishës në vitin 2005 që kërkonte “qeveri të vogël” dhe atë të LSI më 2013 që kërkonte efektivisht “më shumë ministra”.

Qeveria 2013-2017 e bëri realitet këtë. Ajo shtoi figura kukulla pa funksion real, simbolikisht të njohur me termin “Ministër Shteti”, funksioni i të cilit nuk dihet as sot e kësaj dite.

Ndryshe nga mandati i parë, qeveria “Rama 2”, e cila u prezantua të dielën ka 11 ministra dhe dy ministra shteti, ndonëse kjo nuk e bën të vlefshme përdorimin e togfjalëshit “qeveri më e vogël”, sepse numri i ministrave ka pothuajse aspak lidhje me barrën që përbën shteti në ekonomi.

Pavarësisht cektësisë me të cilën është trajtuar çështja, pyetja nëse vendit i duhet një “shtet i madh” apo një “shtet i vogël” aktualisht vlen!

Por para se t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje, na lind një pyetje në themel: A ka Shqipëria aktualisht një shtet? Dhe nëse po, a është ky shtet “i madh” apo “i vogël”. Në fund fare, sa i madh duhet të jetë shteti që të plotësojë dëshirat e së majtës, dhe sa i vogël duhet të jetë që të plotësojë dëshirat e së djathtës?

Për pyetjen e parë, a ka Shqipëria shtet, kam arsye të them ‘Jo’-nuk ka në formën e shtetit të demokracisë liberale me balanca dhe kontrolle mbi pushtetin. Nuk ka në formën e shtetit të sundimit të ligjit dhe jo të individit, për shkak se ligji shkelet ose ndryshohet vazhdimisht sipas dëshirës së individit/individëve në pushtet. Nuk ka, sepse administrata civile nuk është tamam civile sipas përkufizimeve të shtetit të sundimit të ligjit, por është në masën dërrmuese një degë e partisë apo partive që janë në pushtet dhe ndryshon kur ndryshojnë partitë në pushtet.

Një vëzhgues zgjedhjeje një herë komentoi se Shqipëria, ndonëse e ka emrin “republikë parlamentare”, është “republikë drejtorësh”.

Kjo është në kuptimin që dy ose më shumë palë drejtorësh organizojnë “ruajtjen e votave” nëpër zgjedhje, në formën e komisionerëve apo numëruesve, dhe nëse rezultojnë shumë të aftë në përqendrimin e votave, marrin pushtetin për katër ose tetë vjet dhe në të kundërt dalin në opozitë. Ky pra është thelbi i shtetit. Dy palë numërues votash që shkëmbejnë postet e drejtorëve.  Të qenit drejtor në shtet rezulton shpesh një biznes më i rëndësishëm se sa të qenit drejtor në një kompani private dhe kjo shpjegon se pse shpesh rastis persona që janë njëkohësisht drejtorë në shtet dhe drejtues biznesesh të ‘fuqishme’.

Shqipëria nuk është një shtet i sundimit të ligjit për shkak se nuk ka balancat e nevojshme kundrejt pushtetit kryeministror. Gjykatat dhe Parlamenti, të cilat në kushte teorike janë balancat dhe kontrollet e pushtetit ekzekutiv, nuk funksionojnë si të tilla. Parlamenti, siç e thamë, nuk ka autonomi ndaj kryeministrit. Përbëhet në shumicë nga të emëruar të kryeministrit për kandidatë që nuk ekzistojnë si politikanë më vete, por si emra në një listë partie. Gjykatat duket se kanë një anësi të dukshme ndaj pushtetit.

P.sh., analizat e biznesit sugjerojnë se nëpër gjykatat administrative, në përplasjet juridike mes shtetit dhe biznesit fiton në shumicë dërrmuese shteti. Një probabilitet i tillë ka pak gjasa të jetë real. Duket sikur në procedura administrative, administrata publike shqiptare është pothuajse gjithmonë e saktë ndërsa biznesi e gjykon të drejtën e vet përballë administratës pothuajse gjithmonë gabim dhe harxhon kohë e para në procese gjyqësore të kota.

Gjithsesi, ta zëmë se kjo që kemi quhet shtet dhe ne na duhet të kalojmë te pyetja e dytë: këtë shtet e kemi të madh apo të vogël?

Nga sa dihet nëpër botë, shteti quhet i madh kur merr përsipër të menaxhojë sa më shumë nga aktivitetet e shoqërisë dhe quhet i vogël kur menaxhon sa më pak. Hannah Arendt p.sh e bën të qartë dallimin mes diktaturës dhe diktaturës totalitare. Kjo e dyta kujdeset t’i imponojë shoqërisë jo thjesht pasjen e një pushteti mbi krye, por edhe pasjen e një religjioni, një kodi moral, një jete seksuale sipas mësimeve të partisë, me një ideologji të imponuar që nga arsimi bazë dhe indoktrinim të qytetarëve. Dallimi me diktaturën është se kjo e fundit, ndonëse kontrollon pushtetin politik me dhunë dhe, domosdoshmërish pushtetin ekonomik si dhe pushtetin informal të medias dhe biznesit, i lë njerëzit të sillen sipas qejfit të vet në sferën private.

Në tërësi, besoj se biem dakord se Shqipëria nuk është sot një diktaturë totalitare dhe nuk është as një diktaturë në kuptimin që ky term kishte në shekullin e njëzetë.

Në thelb, Shqipëria është një shtet partiak, vijimësi e shtetit komunist, ku partia qe njësh me shtetin dhe shteti qe njësh me partinë. Është e lehtë të pyesësh se çfarë roli ka shteti në jetët e shqiptarëve dhe përgjigjja është pak a shumë: “rol të vogël”, por nëse e zëvendëson me pyetjen: Çfarë roli ka partia, dhe, veçanërisht partia apo partitë në pushtet, në jetën politike, ekonomike, shoqërore e kulturore të vendit, atëherë “roli i vogël” nuk është përgjigje kaq e lehtë.

Por a është Shqipëria një “shtet i madh” apo “shtet i vogël”?

Mënyra më e thjeshtë për ta matur rolin e shtetit në shoqëri është përmes të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Kjo është mënyra më e thjeshtë, por jo 100 për qind treguese. Në vitin 1993, kur Shqipëria filloi të ekzistojë si ekonomi jo-shtetërore, të ardhurat e qeverisë qenë sa 20 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Shpenzimet qenë sa 33 për qind e PBB-së. Duket sikur nga niveli i shpenzimeve, Shqipëria e vitit 1993 paska qenë shteti ideal “i vogël”. Në SHBA, shpenzimet totale të qeverisjes arrijnë në 35% të PBB-së dhe ky konsiderohet si “shtet i vogël” në krahasim me vendet Europiane ku qeveria shpenzon 40 deri në 57 për qind të PBB-së. [Link OECD]

Por duhet të kemi parasysh se kur një shtet është në gjendje të mbledhë 20 për qind të PBB-së në formën e taksave e tatimeve, ka gjasa që ky shtet nuk quhet “i vogël” në kuptimin e parimeve liberaliste. Ai quhet shtet i dështuar. Bihet dakord nga të gjithë që shteti modern ka funksione për të luajtur.

Adam Smith thoshte se shteti që të jetë i mirë duhet të kujdeset për: mbrojtjen, drejtësinë, sigurimin e të drejtave të pronësisë, zbatimin e kontratave. Ai thoshte gjithashtu që shoqëria bën mirë të garantojë arsim bazë, megjithëse Smith, njësoj si Friedman, i druhej faktit që shteti, përmes kontrollit të arsimit, të kurrikullave dhe të të drejtës për të zgjedhur se kujt do t’i jepte shkollë të lartë e kujt jo, në instancë finale do të dhunonte lirinë. Në kohën e Smith shëndetësia nuk ekzistonte ende si e mirë publike, por për këtë kemi revistën britanike liberale The Economist, e cila gjatë kohës së diskutimit të kujdesit shëndetësor universal në SHBA të njohur si ObamaCare, deklaroi në një editorial se pavarësisht se ndjehej revistë liberale, ajo ndjehej gjithashtu “e llahtarisur” nga ideja që një vend i zhvilluar si SHBA, në shekullin e 21 nuk kishte ende mbulim universal për kujdesin shëndetësor. (Sa për krahasim, qeveria shqiptare ‘e djathtë’ e hoqi mbulimin universal me kujdes shëndetësor në vitin 2010 dhe nuk e ka rikthyer ende pavarësisht premtimit të qeverisë së ‘majtë’ në vitin 2013). Kuptohet që infrastruktura e transportit, megjithëse me raste mund të jetë private, në përgjithësi është funksion publik gjithashtu. Në tërësi, shteti modern ka për detyrë të sigurojë mbrojtjen, rendin, drejtësinë, arsimin në një masë të madhe, shëndetësinë, një pjesë të madhe të transportit. Këto funksione supozohet se kërkojnë që së paku, shteti të grumbullojë dhe shpenzojë 30 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për të paguar këto shërbime.

Shqipëria nuk është ende as këtu: megjithëse në kushtetutë e konsideron veten si shtet të mirëqenies shoqërore, të ardhurat e qeverisë nga taksat për vitin 2016 qenë 27.1 për qind të PBB-së. Shpenzimet qenë 29 për qind. Në thelb, nëse e masim shtetin duke përdorur Prodhimin e Brendshëm Bruto, Shqipëria sot është më pak se të qenit “shtet i vogël”. Është ende në nivelin e shtetit të dështuar. Të qenit shtet i dështuar është i dallueshëm edhe në faktin që, ndonëse të ardhurat e buxhetit të shtetit janë 27% e PBB-së, barra fiskale hipotetike e përbërë nga TVSH, Tatim Fitimi, Akciza etj., është rreth 40% e PBB-së, gjë që sugjeron taksa të pambledhura në rendin e 1 miliardë e kusur eurove dhe rrjedhimisht, sugjerojnë se shteti është larg të funksionuarit si shtet.

Përdorimi i PBB-së si tregues i “shtetit të vogël” është i pamjaftueshëm. Shteti nuk përbëhet vetëm nga shpenzimet e buxhetit. Ka disa tregues të tjerë aspak të lidhur me PBB-në që e bëjnë Shqipërinë, jo një shtet, por një parti-shtet që cenon thellësisht lirinë. Dhe për këtë nuk ka nevojë të jesh liberal, i majtë ose i djathtë për t’u shqetësuar.

E para është kontrolli politik mbi prodhimin e titujve të pronësisë dhe të ashtuquajturave leje të legalizimit, të politikave për kompensimin e pronave të konfiskuara gjatë kohës së Komunizmit, të institucioneve që duhet të kryejnë regjistrimin fillestar të pronave të krijuara me ligjin 7501 si dhe të të drejtës që politika i jep vetes për të trajtuar pronën publike si një pronë që mund t’ia japë kujt të dojë e si të dojë, në emër të “nxitjes së investimeve të huaja”.

Nëse Smith dhe Friedman e rendisnin të parën për nga rëndësia rolin e shtetit në “përkufizimin dhe garantimin e pronësisë”, shteti shqiptar është larg të “përkufizuarit” dhe aq më larg të “garantuarit” të pronësisë, qoftë kjo pronë private apo pronë publike.

Shqipëria në fakt ka marrë rrugën e Sicilisë të shekullit të njëzetë në këtë drejtim. Ka analiza shumë kuptimplota në botë që tregojnë se si mafia siçiliane zuri vendin e shtetit italian kur ky i fundit dështoi në përkufizimin dhe mbrojtjen e të drejtës së pronësisë. Ekzaktësisht në këtë situatë jemi sot në Shqipëri.

Për fakte për këtë mjafton që të shohim numrin e stërmadh të deputetëve të zgjedhur më 25 qershor, të cilët kanë ardhur të freskët nga puna si drejtorë hipotekash. A ka ndonjë shpjegim tjetër për faktin se drejtorët e hipotekave rezultuan kandidatë në pozicione kyçe në qarqet kryesore të vendit për partinë në pushtet përpos faktit se titullin e pronësisë në Shqipëri nuk e garanton “shteti” por “partia”?

Roli i partisë në titujt e pronësisë shihet edhe në këtë periudhë paszgjedhore, me spektakle banale të ofruara nga kryeministri, me drejtorë hipotekash që shkarkohen me bujë ose që u kërkohet të shkarkohen sepse “nuk kanë bërë punën”. Dhënia e titujve të pronësisë është në thelb një proces rutinë burokratik.

Qytetari bën një kërkesë dhe paraqet disa dokumente në mbështetje të kësaj kërkese. Një burokrat e merr këtë kërkesë dhe duhet t’i kthejë përgjigje brenda pak ditësh. Për shkak të korrupsionit, qeveria ka argumentuar nevojën për të dhënë me koncesion “shërbimin”, d.m.th, sportelin ku qytetari dorëzon dokumentet dhe kërkesën për të regjistruar një pronë. Ky koncesion, përpos faktit që i kushton qytetarëve, duket se nuk ka zgjidhur gjë. Dhe pavarësisht se gjithçka duket e thjeshtë, regjistrimi nuk funksionon. Ligji nuk zbatohet, hipotekat klasifikohen si vendi ku drejtorët dhe punonjësit kanë jetëgjatësinë më të shkurtër në punë. Heqja e një drejtori partiak dhe zëvendësimi i tij me një drejtor partiak vështirë se e zgjidh problemin. Menaxhimi i përditshëm dhe profesional i punës është ajo që e zgjidh. Por qeveria nuk ngjan se ka aftësinë për të bërë diçka më shumë se sa shfaqje të përditshme në televizor.

Treguesi i dytë i “partisë së madhe” duket se është numri i të punësuarve në shtet si dhe mungesa e administratës me të vërtetë civile dhe jopartiake.

Gjatë 15 viteve të fundit, popullsia në Shqipëri dyshohet se ka rënë nga 3.1 në më pak se 2.7 milionë vetë. (Zyrtarisht popullsia është 2.87 milionë, pavarësisht se pakkush e beson edhe këtë shifër). Por pavarësisht se popullsia ka rënë, numri i të punësuarve në sektorin publik ka tetë vjet që nuk ndryshon. Aktualisht, 165 mijë shqiptarë marrin rrogë në shtet. Kjo është sa një e treta e të gjithë të punësuarve me pagë në vend.

Me përjashtim në Tiranës, në qarqet e tjera të vendit, numri i vendeve të punës në shtet është pothuajse i barabartë me numrin e vendeve të punës në sektorin privat jobujqësor. Nuk ka shumë shpresa për liri në një vend ku një numër kaq i madh varen drejtpërsëdrejti nga shteti-parti për bukën e përditshme. Dhe të punësuarit në shtet nuk janë të vetmit.

Një kategori tjetër shqiptarësh, ata më të varfrit apo ata me “aftësi të kufizuara”, varen nga fondet sociale të qeverisë, të cilat, teorikisht duhet të ndihmojnë të varfrit por që përdoren si kartëmonedhë për të shantazhuar të varfrit për t’i dhënë votën partisë së radhës. Dhe përveç këtyre, janë një numër thelbësor shqiptarësh që varen nga bizneset që e kanë ekzistencën të siguruar apo të cënuar nga autoriteti i partisë-shtet. Monopolet apo oligopolet, veçanërisht ato të krijuara përmes koncesioneve mbi shërbimet publike apo pasuritë natyrore janë një pjesë jo e vogël e ekonomisë shqiptare. Dhe shteti-parti po zgjerohet edhe më shumë. Shihni për shembull, të ashtuquajturat fonde për subvencionimin e bujqësisë, një mënyrë se si shteti parti vjedh taksapaguesit, supozohet në ndihmë të fshatarëve por që paratë vështirë se shkojnë te fshatarët, ata që me të vërtetë punojnë tokën.

Në këtë drejtim, ndonëse si përqindje e PBB-së të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit të shtetit japin idenë e një “shteti të vogël”, në realitet nuk është aspak kështu. Megjithatë, ky “shtet i madh” nuk është për shkak të numrit të ministrave apo numrit të agjencive të shtetit. Ai është për shkak të mungesës së sundimit të ligjit. Para se të diskutohet për shtetin e madh ose të vogël, duhet diskutuar thjesht për shtetin.