Lajm7 Dec 2018

Skandali i falsifikimit, ARRSH pezullon një prej tenderëve të unazës

Pas publikimit të dokumenteve nga emisioni Të Paekspozuarit që tregojnë për falsifikime të kryera nga një kompani e quajtur DH Albania sh.p.k., Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi pezullimin e projektit dhe verifikimin e vërtetësisë së dokumenteve të paraqitura në tenderin fitues.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Banorët e Unazës së Re, gjatë protestës para Bashkisë Tiranë. Foto:LSA

Opozita shqiptare denoncoi javë më parë tenderët e zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për ndërtimin e disa mbikalimeve e nënkalimeve dhe rrugëve ndihmëse në Unazën e Madhe të Tiranës si të manipuluara, por mbrëmjen e së enjtes, emisioni Të Paekspozuarit në Neës 24 publikoi [link] një përgjigje nga autoritetet amerikane, e cila tregon se dokumentet e pjesëmarrjes në tender të kompanisë HD Albania janë të falsifikuara.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili javë më parë kundërshtoi akuzat e opozitës për manipulim të tenderit duke pretenduar se gjithçka ishte sipas rregullave dhe ligjeve, u detyrua të premten më 7 dhjetor të njoftojë pezullimin e lotit 1 nga tre lotet e punimeve të shumëdebatuara të unazës duke argumentuar vendimin me nevojën e verifikimit të vërtetësisë së dokumenteve të publikuara nga emisioni “Të Paekspozuarit”.

“Në funksion të sqarimit të plotë të situatës dhe pretendimeve të shfaqura në emisionin “Të Paekspozuesit”, janë ndërmarrë këto veprime,” njoftoi ARRSH në faqen e vet në Facebook.

“ARRSH i është drejtuar institucioneve që përmes komunikimit me rrugë zyrtare t’u kërkohet autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të verifikuar dokumentet e paraqitura në institucionet shqiptare nga kompania në procedurën e garës” vijon njoftimi.

“Deri në sqarimin e situatës dhe përgjigjen nga autoritetet amerikane nuk do të vijohet me aktivitetin ndërtimor të kësaj kompanie për lotin Nr.1 të segmentit, që shtrihet nga Ura e Lanës deri tek Mbikalimi i Sheshit Shqiponja” thuhet në njoftim duke paralajmëruar se nëse dokumentet verifikohen si të falsifikuara, tenderi do të përsëritet.

Kompania DH Albania Sh.P.K., u paraqit në tenderin me vlerë 2.25 miliardë lekë në bashkëpunim me kompaninë Biba X. Ajo e fitoi tenderin pa ndonjë konkurrencë reale me një ofertë fituese që ishte vetëm 297 lekë më pak se sa fondi limit.

Kompania DH Albania u prezantua si degë e shoqërisë së huaj Dunëell Haberman. Më 12 nëntorin e kaluar, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës se tenderi ishte fituar nga një kompani fantazmë, ARRSH pretendoi se “Dunëell Haberman ofron një gamë gjithëpërfshirëse të shërbimeve inxhinerike dhe teknike në botë dhe ka një staf prej mbi 3500 punonjës”. [Link]

Gjithsesi, emisioni Të Paekspozuarit i dërgoi një letër sekretarit të shtetit të Delaëare në SHBA duke e pyetur nëse dokumentet e kompanisë të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ishin apo jo të përputhshme me dokumentet e kësaj kompanie në dorëzuara në regjistrin e biznesit të shtetit të Delaëare. Përgjigjja që emisioni mori ishte që dokumentet e dorëzuara në Shqipëri ishin të falsifikuara dhe se një kompani me një emër të tillë ishte themeluar më 25 korrik 2018 në Delaëare dhe jo në vitin 1998.