Skeda1 Oct 2019

Skeda e pasurisë së deklaruar – Elona Kana – këshilltare në Gjykatën e Lartë

Këshilltarja e Gjykatës së Lartë, Elona Kana do të përballet të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj familjare nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Elona Kana, këshilltare në Gjykatën e Lartë do të përballet të mërkurën më 2 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e rivlerësimit përbëhet nga Olsi Komici, Xhensila Pine dhe Suela Zhegu.

Elona Kana ka një karrierë të gjatë si juriste në sistemin gjyqësor. Ajo ka punuar si këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë fillimisht në vitet 2004-2006, për t’u shkëputuar për 6 vjet –kohë në të cilën ajo drejtoi departamentin Juridik dhe të Licensave në Këshillin Kombëtar të Radio-Televizionit, KKRT.

Në vitin 2012, Kana u rikthye në Gjykatën e Lartë si këshilltare, detyrë të cilën vazhdon ta ushtrojë edhe aktualisht.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për magjistatët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të këshilltares Elona Kana nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga këshilltarja e Gjykatës së Lartë, Elona Kana për vitet 2004-2017.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve, prokurorëve dhe këshilltarëve ligjorë që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Znj. Kana deklaronte vetëm kursime në vlerën e 1.3 milionë lekëve në vitin 2004, kur deklaroi për herë të parë interesat e saj private pranë ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e deklaruar nga Znj. Kana është rritur me 21 herë, duke kapur vlerën e 27.7 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e këshilltares Kana përbëhej nga 16.3 milionë lekë pasuri të patundshme, 4.9 milionë lekë likujditete në bankë, 3.7 milionë lekë kursime të akumuluara në cash si dhe automjete me vlerë 2.6 milionë lekë.

Të ardhurat familjare për periudhën e deklarimit kapin vlerën e 38.2 milionë lekëve. Të ardhurat e subjektit zënë 33% të buxhetit të familjes, ndërkohë që paga nga funksioni i bashkëshortit të saj, Z. Denar Biba zë 54% të totalit. Rreth 5% e të ardhurave kanë si burim një vendim gjyqësor për dëmshpërblim nga KKRT si ish-drejtoreshë, rreth 3% nga interesat bankare dhe 2% nga mësimdhënia.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 12 deklaratat që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, asnjëra prej tyre nuk rezultoi me probleme.

Megjithatë, nga analiza cilësore e deklaratave periodike të subjektit u konstatuan disa “flamuj të kuq”, të cilat lidhen kryesisht me paqartësinë e burimeve të pasurisë së bashkëshortit, i cili është subjekt më vete i deklarimit të pasurisë.

Më konkretisht, subjekti Elona Kana deklaron përgjatë viteve 2004-2017 kuota në fonde bankare investimi apo në obligacione thesari, një pjesë e të cilave janë në bashkëpronësi me bashkëshortin Denar Biba, aktualisht nënkryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në mungesë të deklaratave të pasurisë së bashkëshortit, ndryshimet vit pas viti të balancave në llogari bankare të llogaritura nga BIRN nuk janë të plota dhe të qarta, pasi mungon gjendja dhe burimi i pasurive të z.Biba.

Ndërkohë në vitin 2015, është e paqartë sipërfaqja dhe vendndodhja e një apartamenti të blerë në vlerën e 83.400 eurove nga subjekti dhe bashkëshorti i saj. Znj. Kana deklaron se ka transferuar në llogarinë e bashkëshortit 3,191,760 lekë, me qëllim pagesën e vlerës së një apartamenti të prenotuar. Në vijim, bashkëshorti kalon nëpërmjet bankës pagesën prej 83,400 euro ndaj shoqërisë së ndërtimit, por është gjithashtu i paqartë burimi i diferencës së çmimit që është paguar nga Z.Biba.

Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar janë huamarrjet nga familjarët. Në vitin 2004 dhe 2015, subjekti Kana deklaron huamarrje nga prindërit e bashkëshortit, përkatësisht në shumat 1,500,000 lekë dhe 3,700 euro. Nga  këto hua janë deklaruar të shlyera vetëm 400,000 lekë në vitin 2004 dhe pjesa tjetër është detyrim i mbartur.

Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë për vitin 2004

Deklarata e pasurisë për vitin 2005

Deklarata e pasurisë për vitin 2006

Deklarata e pasurisë për vitin 2007

Deklarata e pasurisë për vitin 2008

Deklarata e pasurisë për vitin 2009

Deklarata Para Fillimit të Detyrës 2012 

Deklarata e pasurisë për vitin 2012

Deklarata e pasurisë për vitin 2013

Deklarata e pasurisë për vitin 2014

Deklarata e pasurisë për vitin 2015

Deklarata e pasurisë për vitin 2016

Deklarata e pasurisë për vitin 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al