Analize5 Apr 2019

Vakancat në Kushtetuese, 41 kandidatë për 9 mandate

Ish-funksionarë të lartë të qeverisë dhe drejtësisë, si dhe këshilltarët ligjorë dominojnë listën e kandidatëve për vakancat në Gjykatën Kushtetuese.  

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Mbledhje e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi | Foto : LSA

Kuvendi shpalli të enjten listën me 9 kandidatë të rinj për mandatin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese që mbaron në vitin 2028. Kjo e çoi në 41 persona numrin e kandidatëve për vendet vakante në këtë gjykatë e cila u shkri pasi shumica e anëtarëve të saj u shkarkuan nga procesi i vetingut, ndërsa të tjerë dhanë dorëheqjen.

Një pjesë e kandidatëve, sipas faqes zyrtare të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, kanë aplikuar në 9 gara të ndryshme të hapura nga Kuvendi i Shqipërisë, Presidenti dhe Gjykata e Lartë. Në total numri i kandidaturave të listuara nga KED është 87, pasi disa kandidatë kanë aplikuar njëkohësisht për mandate të ndryshme.

Të premten Këshilli i Emërimeve në Drejtësi filloi zyrtarisht procedurat e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për në Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, KED iu drejtuar organizatave, shoqërisë civile dhe medias për të ndihmuar procesin e filtrimit të kandidatëve duke përcjell të dhëna.

“Ky këshill është tërësisht i angazhuar të vlerësojë dhe mirëpresë kontributin e të gjitha institucioneve publike, organizatave dhe shoqërisë civile, MEDIA-s dhe publikut, për të përcjellë të dhëna dhe informacione në lidhje me kandidatët, të cilat do të shqyrtohen me vëmendje të veçantë, objektivitet dhe profesionalizëm, në funksion të verifikimit të gjithëanshëm dhe sa më të thelluar të integritetit të kandidatëve, si dhe për të mundësuar përzgjedhjen mes tyre, të kandidatëve bazuar në meritat profesionale dhe morale,” tha KED nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

KED gjithashtu njoftoi se gjatë ditës së premte, me pjesëmarrje të anëtarëve të tij dhe anëtarëve zëvendësues, si dhe vëzhguesve nga Avokati i Popullit, hodhi shortin për caktimin e relatorëve që do të kryejnë procesin e verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për vendet vakante për anëtar të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

Kandidatët

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është efektivisht e mbyllur, për herë të parë që nga themelimi i saj në vitin 1992, pasi nga nëntë anëtarët e saj, tre janë dorëhequr ose kanë mbaruar mandatet, pesë janë rrëzuar në veting dhe vetëm gjyqtarja Vitore Tusha ka mbijetuar.

Megjithatë, edhe mandati i Tushës ka mbaruar dhe ajo po qëndron në detyrë deri sa të zgjidhet zëvendësuesi ose zëvendësuesja.

Kandidaturat për të mbushur vendet vakante në këtë gjykatë vijnë kryesisht nga rradhët e Këshilltarëve Ligjorë apo ish-Këshilltarëve Ligjorë, një pjesë e të cilëve kanë kaluar procesin e vetingut. Ndërkohë bie në sy kandidimi i ish-Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku, ish-kryetares së Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj, tani gjyqtare e Apelit në Tiranë.

Në listë janë edhe Denar Biba, nënkryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si propozim i Partisë Socialiste dhe Çlirim Gjata, Sekretar për Çështjet Ligjore i Partisë Demokratike. Një pjesë e kandidatëve kanë tentuar të zgjidhen edhe në pozicione të tjera të hapura nga reforma. BIRN gjeti që një sërë prej tyre ishin skualifikuar si kandidatura në garat për KLGJ dhe KLP, ndërsa të tjerë janë ende në garë edhe për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Ndërkohë,  në listë janë edhe kandidatë që janë shkarkuar nga KPK si ish-prokurorja Rovena Gashi. Një pjesë e kandidaturave kanë kaluar të paktën shkallën e parë të vettingut, përfshi prokurorin Besnik Muçi, këshilltaret ligjore Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji.

Por siç gjeti BIRN në një shkrim të botuar sëfundmi kalimi i vettingut nuk është detyrim për të gjithë kandidatët. Procesit të hetimit administrativ i nënshtrohen vetëm ata që kanë statusin e magjistratit, ndërsa pjesa tjetër e kandidatëve do të shqyrtohen prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi bazuar në raportet e institucioneve ndihmëse.

Filtrimi i kandidatëve

Reforma në Drejtësi i ndau mandatet e Gjykatës Kushtetuese në tre institucione, të cilët duhet të zgjedhin secili nga tre anëtarë. Për të krijuar mundësinë e ripërtëritjes së institucionit mandatet fillestare janë me kohëzgjatje të ndryshme.

Në listën e publikuar nga KED, garohet për dy mandate të plota që mbarojnë në vitin 2028, 3 mandate të plota që mbarojnë në vitin 2025, 2 mandate plotësuese që mbarojnë në vitin 2022 dhe një mandat plotësues i anëtarit që zgjidhet nga Gjykata e Lartë që mbaron në vitin 2020.

Dy gara të shpallura në vitin 2017 dhe 2018, që duhej të nxirrnin anëtarë të Kushtetueses me mandat plotësues deri në maj të këtij viti edhe pse janë të listuara duket se janë anulluar për shkak të kalimit të kohës.  Po ashtu në garën për anëtar me mandat deri në vitin 2020 të shpallur nga Gjykata e Lartë nuk ka kandidatë.

Sipas listave të publikuara nga KED, numri më i madh i kandidatëve është në garat e shpallur nga Presidenti i Republikës, ndërkohë që dy garat e shpallura nga Gjykata e Lartë kanë vetëm nga një kandidat. Ndër tre garat e shpalluara nga Kuvendi kanë nga 7 deri në 16 kandidatë.