Lajm21 Mar 2019

Vetingu, gjyqtari i Tiranës akuza ndaj Komisionerit Publik

Gjatë përfundimeve të mbrojtjes në Kolegjin e Apelimit, gjyqtari i Tiranës, Astrit Faqolli e akuzoi Komisionerin Publik për qëndrim nihilist dhe cënim të procesit të rregull ligjor.  

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Astrit Faqolli, | Foto nga : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbajti të enjten seancën e radhës si pjesë të ankimit të Komisionerit Publik, Florian Ballhysa ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Astrit Faqolli.

Trupa gjykuese e KPA-së përbëhej nga gjyqtarët Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Ina Rama, Sokol Çomo dhe Luan Daci, ndërkohë Faqolli asistohej gjatë seancës nga avokati Julian Mërtiri.

Seanca e të enjtes ishte e treta e mbajtur në Kolegj, si pjesë e ankimit të Komisionerit Ballhysa kundër konfirmimit në detyrë të Faqollit. Një ditë më parë, gjatë konkluzioneve përfundimtare Ballhysa i kërkoi KPA-së shkarkimin e gjyqtarit duke u bazuar tek kriteri i pasurisë.

Astrit Faqolli e ka filluar karrierën në Gjykatën e Librazhdit ku ka punuar deri në vitin 2003. Me tej ai është transferuar  si inspektor në Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku ka punuar gjatë viteve 2003-2010. Në vitin 2010, Faqolli u emërua gjyqtar në Gjykatën e Durrësit dhe prej vitit 2013 e ushtron detyrën në Gjykatën e Tiranës.

Nëpërmjet avokatit Mërtiri, Faqolli depozitoi në Kolegj 16 faqe prapësime kundër kërkesës së Komisionerit Publik për shkarkimin e tij nga detyra, duke e akuzuar Ballhysën për qëndrimi që kanë cënuar procesin e rregullt ligjor.

“Komisioneri ka pasur qëndrim mohues për të mos marrë asnjë provë duke cënuar procesin e rregullt ligjor,” tha Mërtiri duke lexuar prapësimet e mbrojtjes.

Më tej avokati i gjyqtarit analizoi në mënyrë të detajuar pikëpyetjet e ngritura nga Komisioneri Publik mbi pasurinë e subjektit, duke dhënë argumentet e mbrojtjes në lidhje me një apartament banimi në lagjen ‘Ali Demi’ në Tiranë dhe një truall dhe ndërtesë 3 katëshe na Librazhd, si dhe të ardhurat e ligjshme të bashkëshortes nga një farmaci dhe ato të personave të lidhur nga të cilët gjyqtari ka marrë hua.

“Vendimi i KPK-së ka qenë i drejtë dhe i bazuar në provat e shqyrtuara,” deklaroi Mërtiri. “Zoti Faqolli nuk ka pasuri të fshehur dhe në 28 vite punë diskutohet për dy pasuri të paluajtshme me vlerë 68 mijë euro dhe një automjet,” shtoi ai, duke kërkuar konfirmim në detyrë të gjyqtarit.

KPA vendosi të shtyjë seancën me datë 18 prill 2019, ora 9:00, kur pritet të jepet dhe vendimi që do të përcaktojë të ardhmen e karrierës së gjyqtarit.