Opinion16 Jul 2015

Art në oborr

Nxjerrja e kulturës dhe artit jashtë institucioneve publike të ngarkuara për zhvillimin dhe përcjelljen e tyre, për t’i zhvendosur më pas në godinën e pushtetit, dëshmon përpjekjen për të monopolizuar skenën kulturore.

Autor: Erion Gjatolli BIRN Tiranë
Printo

Përfundojne punimet për strehën e portës kryesore të godinës së kryeministrisë | Foto nga : Malton Dibra/LSA

Përfundojnë punimet për strehën e portës kryesore të godinës së kryeministrisë | Foto nga : Malton Dibra/LSA

Në vazhdën e nismës së qeverisë për të hapur për publikun hapësira diku të paaksesueshme, diku të braktisura, u përurua më datë 8 korrik qendra COD (Center for Openness and Dialogue) vendosur brenda ambienteve të kryeministrisë. Rastësi sa fatlume aq edhe e qëllimshme, përurimi përkoi me vizitën e kancelares Merkel në Tiranë, që dashur-padashur u bë pjesë e skenarit të kryeministrit shqiptar, në një konferencë për shtyp të dominuar nga prania e një pikture bashkëkohore prapa shpatullave të dy protagonisteve. Tashmë që Angela Merkel iku, projektorët u shuan, dhe dyert mbetën hapur, mbetet për të parë sa do të jetë e shfrytëzueshme për artistët dhe publikun hapësira më e re e artit dhe kërkimit në kryeqytet. Rëndojnë në këtë pikë përvoja e shkurtër e Bunk’Artit, strehim bërthamor hapur me rastin e 70 vjetorit të çlirimit e mbyllur shumë përpara përvjetorit të 71-të dhe e ashtuquajtura “Shtëpia e gjetheve”, muze përgjimesh i përuruar në janar të këtij viti por asnjëherë i hapur për vizitorët e paftuar nga Ministria e Kulturës.

Kultura brenda dhe jashtë institucioneve

Hapja e ambienteve të katit përdhes të Kryeministrisë – pas heqjes së kangjellave rrethuese dy vjet më parë – dhe përshtatja e tyre për artin bashkëkohor mund të interpretohet si kujdes i veçantë që tregon një kryeministër me background artistik për kulturën e vendit. Në të vërtetë, nxjerrja e kulturës dhe artit jashtë institucioneve publike të ngarkuara për zhvillimin dhe përcjelljen e tyre, për t’i zhvendosur më pas në godinën e pushtetit, tregon vetëm përpjekjen për të monopolizuar skenën kulturore, gjithmonë nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit. Kështu, pak metra pas Kryeministrisë, godina e piramidës, më parë qendër, sado e kritikueshme, kulturore, sot është një tjetër hapësirë e pashfrytëzuar. Më tej, Galeria Kombëtare e Arteve duket gjithashtu e braktisur, në nevojë sa për vizion artistik aq edhe për dezinfektim kundër insekteve. Ndërsa krahasimi i shpenzimeve për institucionet me aktivitetet kulturore jashtë tyre, është i pamëshirshëm.
Kështu, buxhetet vjetore të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Teatrit të Operës dhe Baletit janë përkatësisht 4 dhe 10 milionë lekë të reja. Në të kundërt, shpenzimet vetëm për logjistikën e festivalit pesëditor të Gjirokastrës kapin shifrën 24 milionë lekë ndërsa për festimet dyditore të 70 vjetorit të çlirimit mbi 60 milionë lekë. Të tilla shpenzime – kolosale për financat e mekura të kulturës shqiptare – sjellin pamundësinë e institucioneve për të pasur një program artistik dinjitoz. Në dëm të tyre, si gjithmonë, vijnë të tilla spektakle jetëshkurtra që shpesh mobilizojnë publikun e gjerë, jashtë institucioneve por nën hijen e godinave të qeverisë.
Këtyre çështjeve u shtohet edhe problemi i zakonshëm i shpenzimeve dhe transparencës, që kulmojnë me shpjegimin se të gjitha punimet për rikonstruksionin e Kryeministrisë në këto dy vite kanë qenë donacione private, deri tani nga persona anonime. Qëndron argumenti që në mungesë provash konkrete, çdo reflektim mbi pretendimet shpërblyese që këta mund të kenë ndaj drejtuesve të shtetit është thjesht supozim. Por bashkë me të qëndron edhe pyetja se kush tjetër, përveç Tony Blair-it, po ia fal drekën Kryeministrit.

COD

Hapja e qendrës së re të dialogut brenda Kryeministrisë u paralajmërua nga punimet në fasadën e godinës, ku u vendos Marquee-ja e artistit Philippe Parreno: një strukturë e realizuar me metal, pleksiglas dhe drita neoni që ndizen e fiken, edhe kjo dhuratë për popullin e Shqipërisë.

Strehat e Parreno-së, paralajmëruese të hyrjes në një kinema ose teatër, janë një ftesë për shfaqje sa të rreme aq edhe tërheqëse. Shënjojnë mbivendosjen mes realitet dhe shtirjes, mes shkëlqimit dhe kotësisë, mes gjendjes reale të vendit dhe pamjeve shtinjake që përhapen nga skuadra e komunikimit të qeverisë.
Theksojnë se premtimet e kësaj qeverie janë po aq shkëlqyese sa neonet e instalacionit që të fton brenda saj, po aq vezulluese sa propaganda – padyshim e suksesshme – e kësaj shumice. Vërtetojnë aftësinë joshëse të një kryeministrie ku sa më shumë t’i afrohesh bukurisë së ambienteve të saj aq më shumë i largohesh gjendjes reale të kryeqytetit ku është ngritur, apo teatrit real që ndodh, në fakt, në prapaskenë.
Marquee-të e Parreno-së synojnë të ngjallin një reflektim mbi “spektakularizimin” e artit. Vendosur në fasadën e selisë së qeverisë frymëzojnë edhe një reflektim mbi “spektakularizimin” e politikës.

Për instalacionin Giant Triple Mushroom, Carsten Höller risjell efektet e Soma-s, elikzir i nxjerrë ndër të tjera edhe nga kërpudha Amantia muscaria, që dymijë vjet më parë mendohej se shkaktonte halucinacione, pavdekësi apo akses në botën hyjnore. E vendosur në oborrin e pallatit të qeverisë, me ironi edhe më të hapur, kërpudha me forma dhe ngjyra të ndryshme, evokon njëherësh si prekjen shumëngjyrëshe të kryebashkiakut artist në qytet apo në letër, ashtu edhe pasojat helmuese të politikës.

Për Höller-in biolog, format dhe ngjyrat e shumta të kërpudhave janë të pashpjegueshme sepse nuk kanë asnjë funksion riprodhues. Është pra një evolucion, i mëvetësishëm dhe prepotent, që nuk shoqërohet me përshtatje nga nevoja. Për Höller-in artist, arti mund të ndryshojë perceptimin e realitetit, ndoshta edhe më fuqishëm se drogat apo efektet halucinogjene të kërpudhave.
Ne të tjerët, jashtë pallatit të qeverisë, jemi dita-ditës dëshmitarë se si politika mund të na shfaqet me të njëjtat tipare: autoreferenciale, prepotente dhe helmatisëse.

Më tej, fotografia qendrore e hapësirës, Sign (Thomas Demand, 2015) paraqet një skenë nga një punishte ku po prodhohet simboli për Panairin Botëror të Nju Jorkut të vitit 1939, “Building The World of Tomorrow” i cili i kundërvihej Depresionit të Madh të viteve ‘30 me besimin e fortë se shkenca, progresi teknologjik, e proceset e reja prodhuese do të sillnin mirëqenien dhe lirinë e njeriut. Panairi vuri theksin te produktet dhe konsumi. Simboli që paraqitet në fotografinë e Demand është silueta e një shtrëngimi duarsh që, siç na shpjegohet, nënkupton partneritetin e popujve të botës në konsumerizëm. Ironikisht, më bën të vë re një mikesha ime, në dhomën krah pikturës, me titull “Made in Albania shelf”, janë grumbulluar relikte të prodhimtarisë shqiptare të regjimit, ndoshta të fundit që një vend pa prodhimtari dhe inovacion ka arritur të krijojë.

Në çdo rast, duke vendosur konferencën për shtyp përpara fotografisë së Demand-it, kryeministri Rama u përpoq, në këndvështimin tim me sukses, ta përfshinte Kancelaren Merkel në shfaqjen e tij personale. Të njëjtën gjë mundohej të bënte dikur edhe Silvio Berlusconi, që në një takim dypalësh në Trieste i jepte mirëseardhjen Kancelares duke luajtur kukafshehtas. Të dyja rastet tradhtojnë nevojën e një lideri për të zotëruar skenën, secili me mjetet e veta.

****
Hyrja në Qendrën e Hapjes dhe Dialogut është në fakt hyrje në pallatin e Ramës, në një përzierje mes artit dhe politikës realizuar “sipas shëmbëlltyrës së tij”. Është një përvojë stimuluese dhe ngazëllyese, e parezistueshme nga ana pamore dhe domethënëse nga ana kuptimore, që mban kryekëput firmën e Kuratorit Rama. Bukuria e hapësirës së re dhe e veprave të ekspozuara, është po aq e dukshme sa streha e Parreno-së, po aq halucinogjene sa kërpudha e Höller-it, po aq e papërfunduar sa fotografia i Demand-it.

Pas përurimit dhe hapjes për kureshtarët e parë, mbetet të shohim sa do të jetë kjo hapësirë në dispozicion për artistë të tjerë, nëse biblioteka do të pasurohet me më shumë tituj dhe nëse hapësirat e saj do të jenë me të vërtetë të shfrytëzueshme, nga hulumtues me përvojë apo të interesuar të rastësishëm. Deri atëherë, gjetja e re e Kryeministrit nuk mund te quhet një lëvizje në “drejtimin e duhur”: as në art, e aq më pak në politikë.