Lajm26 Jan 2015

Avokati i Popullit kritikon qeverinë, ka mbipopulluar burgjet me politikë të gabuar

Në qelitë e paraburgimit aktualisht ka mbi 1340 njerëz mbi kapacitet, gjë që ka shkaktuar kushte çnjerëzore jetese për të dënuarit. “Politika penale e qeverisë, shkaktari i problemit,” thotë Jorida Rustemi nga instititucioni i Avokatit të Popullit.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Një i burgosur, duke lënë qelitë e burgut 325 në lagjen "Ali Demi", pas hyrjes në fuqi të ligjit për amnistinë, ku 900 të dënuar dhe të paraburgosur u liruan para kohe më 10 prill 2014. Fytyra i është mbuluar për t'i ruajtur privatësinë. Foto: LSA

Një i burgosur, duke lënë qelitë e burgut 325 në lagjen “Ali Demi”, pas hyrjes në fuqi të ligjit për amnistinë, ku 900 të dënuar dhe të paraburgosur u liruan para kohe më 10 prill 2014. Fytyra i është mbuluar për t’i ruajtur privatësinë. Foto: LSA

Avokati i Popullit deklaroi sot (26 janar) se nga inspektimet e kryera në sistemin e burgjeve dhe të paraburgimit së fundmi ka gjetur “1340 persona që flenë përtokë, me dyshekë e në disa raste vetëm me batanije pa dyshekë apo me turne”, si pasojë e ngarkimit të këtyre institucioneve me një numër të madh të paraburgosurish. Jorida Rustemi, komisionere për parandalimin e torturës në këtë institucion, deklaroi se politika penale e qeverisë është shkaktare kryesore e mbipopullimit dhe kushteve të këqija nëpër njësitë e paraburgimit si dhe kritikoi qeverinë duke e konsideruar ashpërsimin e politikës penale si mjet i papërshtatshëm për fuqizimin e rendit publik apo për vendosjen e shtetit të së drejtës.

Avokati i Popullit i kërkoi Ministrisë së Drejtësisë të marrë masa të menjëhershme me propozim formal ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për “për rritjen e masave të dënimeve alternative jo penitenciare për personat të cilët kanë kryer vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore,” thuhet në një njoftim për shtyp. Sipas raportit të Avokatit të Popullit, “në momentin e inspektimit, pjesa më e madhe e personave në dhomat e sigurisë, por edhe ata të transferuar, janë ndaluar/arrestuar për vepra të përfshira rishtazi në Kodin Penal. Rrjedhimisht, një faktor tepër i rëndësishëm për mbipopullimin rezulton të jetë ashpërsimi i politikës penale, i cila nuk është mjeti i vetëm për të fuqizuar rendin publik, e aq më pak shtetin e së drejtës”.

Një investigim i BIRN zbuloi pak ditë më parë se si pasojë e fushatave të qeverisë për të dënuar me burg shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor dhe vjedhësit e energjisë elektrike, situata në qelitë e paraburgimit është bërë alarmante.

Dy raportet e fundit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Avokatit të Popullit, të siguruara nga BIRN, flasin për një shifër mes 6000 dhe 6022 personash që ndodhen aktualisht pas hekurave, ndërkohë që kapaciteti maksimal i sistemit shqiptar penitenciar, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është 4537 persona.

Rreth 1500 persona mbi kapacitet ka bërë që ata të shtrohen për të fjetur ku të munden.

Qeveria është kritikuar për presionin që i ka ushtruar përmes deklaratave publike gjykatave duke kërkuar dënime me burg për kategori të ndryshme shkeljesh, gjë që është shoqëruar me rritje të masave të sigurisë “arrest me burg” për shkelje minimale, të cilat janë kritikuar si të paligjshme nga aktivistët e të drejtave të njeriut dhe nga Avokati i Popullit.

Në deklaratën e sotme, Avokati i Popullit i bëri thirrje gjykatësve të lexojnë sicc duhet kodin e procedurës penale ku qartësisht sanksionohet se masa e sigurisë arrest me burg duhet të ndërmerret vetëm në rast se personi i ndaluar përbën rrezikshmëri shoqërore.

Avokati i Popullit kërkoi “të merren masa të menjëhershme për përgatitjen nga ana e Ministrisë së Drejtësisë të një propozimi formal ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për rritjen e masave të dënimeve alternative jo penitenciare për personat të cilët kanë kryer vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore”.

Në sistemin shqiptar, të ndaluarit nga policia qëndrojnë në komisariatet e policisë jo më shumë se 48 orë dhe në rast marrin masën e sigurisë “arrest me burg” duhet të dërgohen në njësitë e paraburgimit. Por Avokati i Popullit ka zbuluar se në kundërshtim me ligjin, një pjesë e të paraburgosurve vijojnë të mbahen nëpër komisariate në kushte të vështira.