Ulja në Bukuresht m’u duk si një rikthim tjetër në shtëpi për shkak të ngjashmërisë së aeroportit të stilit sovjetik me atë që kisha lënë pas në Tiranë.
Gjatë qendrimit tim katër ditor kuptova që arkitektura socialiste kishte lënë gjurmët e saj në çdo skaj të qytetit historik, ashtu si dhe në kryeqytetin shqiptar.
Teksa ne kishim vuajtur për dekada nën ideologjinë izoluese të Enver Hoxhës, rumunët kishin pasur një të ngjashme, atë të Çauçeskut.
Por në vendin tim, diskutimi mbi trashëgiminë komuniste duket se evitohet nga gjithkush përveç viktimave të tij.
Në marrëdhënien e tyre me të kaluarën totalitare, Shqipëria dhe Rumania ngjajnë si binjake, të ndara në lindje.
Në zyrën e Octav Bjoza, një ish-atleti të burgosur nga regjimi komunist, telefoni nuk ndalon asnjëherë së rëni.
77-vjeçari u përgjigjet personalisht të gjitha telefonatave që vijnë në shoqatën e tij për ish të përndjekurit politikë.
Ditën kur e vizitova, ai ishte i hidhëruar nga vdekja e dy prej bashkëpunëtorëve të tij pak kohë më parë. Ai i përshkruante ata si ‘marshallët’ e organizatës në të cilën ai e quan veten ‘majori’.
“Është shumë e trishtueshme,” thotë ai teksa i përloten sytë blu. Atij nuk i pëlqen të flasë shumë mbi historinë e tij, duke përsëritur se ajo nuk ishte e ndryshme nga të tjerat. Ky njeri më kujtoi ish të përndjekurit që kisha takuar në Shqipëri – veçanërisht me zhgënjimin e tij për dështimin e shtetit në adresimin e padrejtësive të së kaluarës.
Gjatë dy dekadave të fundit, Rumania ka adoptuar tre iniciativa për dënimin e krimeve komuniste. Por të gjithë përpjekjet për lustracion – dënimin e përgjegjësve – janë pezulluar në gjykata.
Si dhe në Shqipëri, debati mbi të kaluarën komuniste mbetet i pazgjidhur, ndërsa numri i ish të përndjekurve që kanë mbijetuar pakësohet gjithnjë e më shumë.
Rumunët kanë shumë probleme me të cilat përballen në ditët e sotme. Kriza ekonomike dhe skandalet politike e kohëve të fundit i kanë kthyer shumë prej tyre në nostalgjikë të të kaluarës komuniste.
Bjoza nuk është njëri prej tyre, por njëherësh nuk ka shumë iluzione mbi sistemin aktual. Ai thotë se ish të përndjekurit kanë parë vetëm premtime, por jo veprime konkrete, gjatë betejës për njohjen e vuajtjeve të tyre.
“Një ditë, i thashë gruas time se duhet të më bënte rroba me xhepa shumë të thellë,” thotë ai. “Për urimet, fjalët mbështetëse, premtimet.”