Në luftën e Bosnjës 1992-95 mendohet se kanë luftuar 2,000 fëmijë, nganjëherë edhe në kushte të tëmerrshme në front, por shteti ka refuzuar t’iu mundësojë përfitime speciale nga shteti.
Keno ishte 15 vjeç kur mbajti armën për here të pare – pasi lufta kishte trokitur në derën e tij në Sarajevë.
“Nëna më zgjoi nga gjumi dhe tha se duhet të iknim sepse luftimet po afronin afër shtëpisë sonë,” tha ai, duke kujtuar ditën e tij të parë si fëmijë ushtar.
“Derisa unë po vishesha luftimet arritën tek porta e ndërtesës sonë. Një nga fqinjët tanë ishte plagosur. Ai kishte një pushkë në krah. Ata e larguan atë ndërsa unë ia mora pushkën. Dhe kështu filloi.”
Keno u paraqit vullnetar në Armatën Boshnjake në prill të vitit 1992. Ai akoma qan kur kujton sesi humbi shokun e tij në linjën e frontit.
“Është shumë e vështirë që të flitet për këtë tani, dhe po unë nuk mund të them se pendohem për çfarë bëra. Aso kohe mendoja se po bëja të duhurën. Unë isha me njerëzit që i doja, po mbroja nënën, motrën, dhe për mua vetëm kjo kishte rëndësi,” tha ai.
Kur mbaroi së qeni ushtar, ai thjesht ‘u ndie i lodhur’.
“Kur u bëra 18 vjeç ndjehesha sikur isha 36,” tha ai.
Lufta në Bosnjë nuk është luftuar vetëm në front, por edhe në fshat edhe në qytet, ku shumë njerëz rrokën pushkët për të mbrojtur familjet dhe shtëpitë – disa prej tyre u konsideruan tepër të rinj për të qenë pjesë e armatës së rregullt kur erdhi paqja.
Njëri prej tyre ishte Nenadi, i cili është nga një fshat i Trebinjes i cili iu bashkangjut Armatës Serbe të Bosnjës në vitin 1992. Aso kohe ishte vetëm 16 vjeç dhe fshati ishte plot me njerëz në uniforma, tregon ai.
“Atëhere isha i obsesionuar me filmat me ‘Rambo’ dhe të ngjashmit dhe po ëndërroja si të bëhesha si ai. Unë iu bashkëngjita armatës që të vishja uniforma dhe të mbaja armë, që të shtiresha se isha Rambo. Por jeta ime nuk ishte fare e ngjashme me ato që shihja në filma.” tha ai.
Për tre apo tre vjetë e gjysmë, Nenadi u bë ‘ushtar i vërtetë’, si pjesëtar i njësisë speciale serbe të Bosnjës dhe një prej gardianëve të komandantit të Armatës, aktualisht i dyshuar për krime lufte, Ratko Mlladiç.
“Po luftoja kudo në vend. Doja të ndaloja, por nuk kishte dalje nga disa gjëra që i bëra dhe disa të tjera që i përjetova. Ju i dini të gjitha historitë për krime lufte – ndërsa unë i di nga vendi i ngjarjes,” tha ai.
“Më vjen turp nga ato por nuk mund të ndryshoj të kaluarën time e cila po më ndjekë pas tani.”
Nenadi braktisi Bosnjën pas lufte dhe nuk u kthye më kurrë. Ai u intervistua nga BIRN në Serbi.
“Të kthehem në Bosnjë më duket sikur të kthehem në luftë. Edhe këtu ku sot jetoj unë luftoj me të kaluarën time. Në Bosnjë sigurisht se do të jetë më vështirë,” tha ai.
“Të jem i sinqertë do të doja të më arrestonin për krime lufte një ditë por askush s’po më kërkon dhe unë nuk kam guximin që të dorëzohem.”
Nenadi si shumica e adoleshentëve që luftuan vuan nga çrregullimet e stresit post-traumatik. Ai tha se kishte probleme me depresionin, ankthet, mungesën e përqendrimit, nuk u besonte njerëzve dhe e kishte të vështirë të kontrollonte veprimet dhe emocionet. Por ai kurrë nuk kishte kërkuar ndihmë nga psikologu dhe thotë se nuk di për të drejtat ligjore apo përfitimet për veteranët, të cilat do të mund t’i gëzonte.
Stresi post-traumatik
Rreth 2,000 fëmijë mund të kenë qenë të përfshirë në luftën e vitit 1992, por sipas ministrisë së Bosnjës për çështje të veteranëve këtë numër askush nuk e di me saktësi.
“Nuk kemi të dhëna sa sa mund të jetë numri i tyre, dhe as cilat janë problemet dhe nevojat e tyre,” tha ministri federal për çështje të veteranëve, Zukan Helez. Burimet nga Kombet e Bashkuara të vitit 2001 thonë se ky numër mund të jetë rreth 3,000 ose 4,000, të tjerët mendojnë se ky numër është edhe më i lartë.
Gjatë luftës janë vrarë gjithsej 661 ushtarë të moshës prej 10 deri 18 vjeç sipas të dhënave të mbledhura nga Qendra për Dokumentim dhe Hulumtim në Sarajevë. Të mbijetuarit vuajnë nga çrregullimet e stresit postraumatik, thotë Helezi.
Konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve ndalojnë përfshirjen e minorenëve në konfliktet e armatosura. Bosnja dhe Hercegovina ka nënshkruar konventat që ish-fëmijëve ushtarë u garanton status special dhe kujdes, ndonëse një gjë të tillë nuk është bërë akoma.
Në fakt shteti ka kundërshtuar përpjekjet e ish fëmijëve ushtarë që të fitojnë më shumë të drejta.
Sanel Kruscica iu bashkëngjit Armatës Boshnjake në Sarajevë në moshën 16 vjeçare, pasi kishte lënë akademinë ushtarake jugosllave ku kishte qenë duke studiuar.
“Akademinë e lashë të premten, duke shpresuar që diçka do të ndodhte më vonë. Por lufta filloi të hënën dhe unë iu ktheva uniformës,” kujton ai rrethanat 22 vite më pas.
Disa ditë më pas, ai u gjet në linjë të parë të frontit ku qëndroi deri në fund të luftës, duke ngelur pa arsim të mesëm dhe pa perspektivë.
“Sot jam 40 vjeç dhe di vetëm dy gjëra, si të luftoj dhe si të ngas makinën. Por me asnjërën nga këto nuk mund të gjejë një punë,” thotë ai.
Para disa muajsh, Sanel u bë pjesëtar i degës kantonale të Shoqatës së ish Fëmijëve Ushtarë, që numëron 200 pjesëtarë. Aty ai mësoi se ka të drejtë të gëzojë sigurim shëndetësor dhe përfitime të tjera për të cilat nuk ka ditur më parë.
Rast i veçantë?
Por përpjekjet e shoqatës për të siguruar status special për ish fëmijët ushtarë janë refuzuar nga ana e autoriteteve.
“Ata po kërkojnë të trajtohen ndryshe nga veteranët, po kërkojnë status dhe të drejta speciale sepse ishin fëmijë ushtarë. Por shumica prej tyre ishin vullnetarë dhe prindërit e tyre gjithashtu ishin pajtuar që ata të bashkëngjiten si armatë. Shteti nuk është përgjegjës për këtë rast,” tha Saliha Xhuderija, zyrtare për të drejtat e njeriut në Ministrinë përkatëse.
Kërkesa e shoqatës për mbështetje është refuzuar gjithashtu edhe nga UNICEF-i në Sarajevë sepse ish ushtarët nuk janë më minorenë. Autoritetet lokale hezitojnë të merren me çështjen në mënyrë që të mos krijojnë precedent.
Sanel tha se gjatë luftës, adoleshentët në armatë ishin vullnetarë për të shkuar në vende ku asnjëri nuk pranonte të shkonte.
“Fëmijët nuk mendojnë për frikën dhe pasojat. Por fëmijët gjithashtu luftojnë pa objektivë. Sot unë e kuptoj se ne kemi luftuar për idetë dhe objektivat e të tjerëve, dhe kur lufta mbaroi ne nuk morëm gjë, ata morën çdo gjë,” thotë ai.
Sanel tha se ai ishte “shumë krenar për atë kohë të jetës së tij ”. Por ai gjithashtu akuzon politikanët që përdorin fëmijët për qëllimet e tyre: “Çfarë dua t’u them atyre politikanëve që na lanë të luftojmë: ‘Zotërinj, juve iu deshëm ne që të luftonim për qëllimet tuaja, unë isha 16 vjeç, nuk kisha qëllime unë atëherë.’”
Në fillim të luftës, tregon Sanel, ai ndihej si në filmat e vjetër me partizanë jugosllavë. “Por kur humb shokun apo kur sheh të vdekur dhe të plagosur, kur sheh anën e vërtetë të luftës, atëherë je seriozisht i dëmtuar për sa të jetë jeta.”
Sanel dhe Keni thanë se ishte koha që autoritetet të bëjnë më shumë për adoleshentët që luftuan gjatë viteve ‘90.
“Jam i sigurtë se ata që ishin të moshës sime atëherë, do të kundërshtonin një gjë të tillë për armatën kundërshtare sot,” tha Keno.
Por lufta për të drejtat e tyre paraqitet më e vështirë sesa kishin paramenduar ata. “Lufta që po bëjmë sot është më e vështirë se lufta e vërtetë nëpër të cilën kaluam,” përfundon ai.