
Edhe pse entuziazmi i kryetarit të komisionit të ekonomisë për të hedhur dritë mbi vjedhjen rekord në Bankën e Shqipërisë duhet lavdëruar kjo nuk do të thotë që ai nuk duhet t’i përmbahet kornizës ligjore.
Kryetari i grupit parlamentar të Ekonomisë dhe Financës Erjon Braçe hyri gjatë dy ditëve të fundit në një luftë shkresurinash me inspektoren e përgjithshme të Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi mbi detyrimin apo mosdetyrimin e kësaj të fundit për t’u paraqitur dhe për të dhënë llogari para Komisionit Parlamentar, në lidhje me vjedhjen e 713 milionë lekëve në thesarin e Bankës së Shqipërisë.
Letërkëmbimi i publikuar me nxitim nga të dyja palët në mbrojtje të argumentimeve të veta lidhet me interpretime të ndryshme të ligjit për Bankën e Shqipërisë si dhe me muhabete të llojit: kush jam unë e kush je ti.
Gjithsesi, vjedhja e Bankës së Shqipërisë ka vënë në sytë e publikut për herë të parë nga viti 1997, kur u hartua ligji aktual për BSH, vetë mënyrën e konceptimit të organizimit të bankës qendrore. Por shkresat japin edhe të dhëna interesante për mënyrën se si të dyja palët i konceptojnë dokumentat, detyrat dhe të drejtat e tyre ligjore dhe limitet që i njohin vetes.
Banka e Shqipërisë është konceptuar si një institucion tërësisht i pavarur, me garanci të gjera ligjore për të shmangur mundësinë e shantazhimit të saj nga ana e qeverisë apo parlamentit. Për këtë arsye, pra për të shmangur rrezikun që guvernatori i BSH të shantazhohet nga politika, kjo e fundit ka të drejtë ta zgjedhë atë, por nuk ka të drejtë ta shkarkojë. Shkarkimin e ka në dorë Këshilli Mbikëqyrës. Ky i fundit zgjidhet nga politika, por është gjithashtu i pashantazhueshëm nga politika me shkarkim.
Banka e Shqipërisë është gjithashtu në llojin e konsulentit të qeverisë, dmth ligji ka përcaktuar që BSH është mësuesi dhe parlamenti është nxënësi. Kushtetuta në fakt duket se nuk flet për “rol kontrulles” të parlamentit mbi BSH. Përkundrazi, ajo thjeshtë sanksionon që banka është e pavarur dhe drejtohet nga Këshilli Mbikëqyrës.
Tani, shkresa e parë e z. Braçe, (link shkresa) e publikuar nga zyra e shtypit e parlamentit, sugjeron se Braçe i jep të drejtë vetes pa marrë mundimin të citojë ndonjë ligj nga i rrjedh kjo e drejtë, të marrë Inspektoren e Bankës së Shqipërisë në pyetje. Ai i thotë se e sheh të nevojshme këtë në “përmbushje të detyrimit kushtetues” të parlamentit për kontrollimin e Bankës së Shqipërisë, por nuk merr mundimin t’i referohet ndonjë neni të kushtetutës për të provuar se parlamenti paska me të vërtetë të drejtë të “kontrollojë” Bankën e Shqipërisë. (Neni 161 i Kushtetutës)
Znj. Golemi i përgjigjet Braçes në mënyrë joagresive duke i thënë se ligji i Bankës së Shqipërisë (shkresa) nuk i jep aspak të drejtë të raportojë para Kuvendit. Këtu Braçe mori mundimin të gjejë argumente ligjore për kërkesën e tij. Ai përmendi nenin 54 të ligjit për Bankën e Shqipërisë si argument se pse ka të drejtë ta thërrasë. Megjithatë, Golemi duket se ka të drejtë. Ligji thotë se Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet nga kuvendi. Ajo raporton para Këshillit Mbikëqyrës. Golemi iu përgjigj duke theksuar se pikërisht neni e ndalon të paraqitet.
Tashmë Braçe raportohet se ka kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të shkarkojë znj. Golemi. Ligji thotë se Golemi, njësoj si anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës dhe Guvernatori, pezullohen nga Këshilli i Ministrave dhe shkarkohen nga parlamenti vetëm në rast se plotësohet një numër kushtesh. Kushtet janë: pamundësia për të kryer detyrën, dënim nga gjykata me burg,falimentim financiar, është ndaluar nga gjykata të kryejë detyra të nëpunësit shtetëror apo merret me veprimtari politike.
Dukshëm asnjë nga këto kushte nuk janë plotësuar.
Edhe pse entuziazmi i z. Braçe , i cili ka qënë aktiv në këtë çështje, duhet lavdëruar, kjo nuk do të thotë se ai nuk duhet te marrë mundimin e të lexojë ligjet e gjithashtu, edhe kushtetutën.
Shkresat e publikuara nga Kuvendi dhe BSH
Nga Kuvendi: fleta 1 fleta 2 fleta 4 fleta 3 Nga BSH: shkrese derguar nga KEF per Inspektorin e Pergjithshem 3.09.2014 shkrese pergjigje nga Inspektori i Pergjithshem drejtuar KEF dt 3.09.2014
Ore po ky Braçe Ziu a ba tamam si Shaban Qosja. Po ku di ky dite zi se çfare eshte te administrosh punet ne nje shtet qe rreket dhe pretendon se eshte “shtet i se drejtes” ku sundon ligji dhe vetem ligji dhe jo voluntarizmi partiak … sepse realisht rrezikojme te bejme shfaqjen teatrale te rradhes per mega skandale te tilla ku jane perlyer te gjithe i madh dhe i vogel si ai i hajnise masive ne Banken e Shqiperise. Keshtu do te kaloje edhe kjo here dhe faji perseri do t’u mbetet shqiptareve te thjeshte ne dere (gjithmone anaonim ose mjerisht do te denohet ndonje fakir fukara sa per te thene se u ba diçka). Po shqiptaret a do ta dine ndonjehere se ku dhe sa e kane thesarin e tyre te shtetit, si dhe si dhe sa nga ai u vodh, kush e vodhi ate dhe pergjegjesia e gjithsecilit ne veper te turpeshme kriminale masive, ku shkoi kjo sasi marramendese parashe dhe a ka shance me ju kthy serisht shqiptareve ??? Por me sa duken gjasat kjo gje ka pak ose aspak gjasa me ndodhe ndonjehere ne Shqiperi per sa kohe gjithsecili nga keta kleptokrate te perfshire kamb e krye ne kete situate kerkojne ta heqin nga veteja mjerisht kete patate te nxete ashtu ne menyre bajate si ato dine vete ….