
Arrestimi i 16 boshnjakëve të dyshuar se kanë rekrutuar radikalë muslimanë për të luftuar në Siri dhe Irak është kritikuar nga familjet e tyre, por autoritetet kanë në plan të vijojnë goditjet.

Husein Bilal Bosnic, që besohet se është një nga udhëheqësit e lëvizjes islamiste strikte Vahabi në Bosnjë qe mes 16 të arrestuarve nga policia të mërkurën e kaluar, në një operacion mbarëkombëtar të kryer nga qindra policë me synimin e ndalimit të financuesve dhe rekrutuesve të luftëtarëve muslimanë për konfliktet në Siri dhe Irak.
Një video e Bosnic u publikua së fundmi në median vendëse duke e shfaqur atë në një fjalim ku hapur mbështeste Shtetin Islamik (një organizatë e njohur më herët si ISIL apo ISIS), forcën militante që po përpiqet të krijojë një kalifat fondamentalist në Siri dhe Irak, për të cilën disa boshnjakë kanë shkuar të luftojnë.
Vlado Azinovic, një profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë dhe ekspert në çështjet e terrorizmit, thotë se është e qartë që muslimanët e Bosnjës janë angazhuar në këto konflikte, megjithëse në numra të vegjël.
“Vlerësohet se përgjatë këtyre tri viteve që kur konflikti në Siri ka filluar, rreth 160 njerëz nga Bosnja dhe Herzegovina kanë marrë pjesë bashkë me rreth 20 gra,” i tha Azinov BIRN.
“Këto janë më së shumti njerëz që vijnë nga periferitë shoqërore, ekonomike e madje edhe gjeografike pa prirje aftësish për punë, me arsimim të kufizuar, që besojnë se po përmbushin misionin e tyre të shenjtë atje,” argumentoi ai.
Por familjet e disave prej të dyshuarve të arrestuar këtë javë këmbëngulin se ata janë shënjestruar në mënyrë të padrejtë.
Gjyshja e njërit prej të arrestuarve, Elvir Muratovic nga lagjja Brijeshe e Sarajevës, tha se ai është një njeri i mirë që nuk ka bërë asgjë gabim.
“Ai qe i artë, i artë sa nuk bëhet më mirë,” tha Sida Muratovic për median vendëse. “Dhe nëse ka ndokush ndonjë gjë kundër tij… atëherë është i keq, Zoti na shpëtoftë.”
Vëllai i tij, Emir Muratovic, tha se ai është arrestuar dhjeshtë se “praktikon Islamin”.
“Ata po përpiqen ta ndalojnë. Unë nuk kuptoj se për çfarë arsyeje ata [policia] erdhën,” tha ai i pyetur nga gazeta e përditshme Oslobodjenje.
“Çfarë terrorizmi? Ata janë duke krijuar terroristë. Çdokush që ata shohin me mjekër, arrestohet,” tha ai.
“Ata morën me vete libra që mund të gjenden edhe në shtëpinë time, apo CD që mund të gjenden në shtëpinë e çdokujt. Çdokush shkruan dhe publikon çfarë të dojë, por një mysliman që kërkon të praktikojë fenë e tij nuk mund ta bëjë,” shtoi ai.
Portali i lajmeve i muslimanëve radikalë Vijestiummeta argumentoi javën e kaluar se arrestimet nga Agjencia Shtetërore e Prokurorisë dhe Mbrojtjes (SIPA) dhunonte të drejtat e njeriut.
“Akti i terrorizmit shtetëror dhe dhunimit brutal të të drejtave të të arrestuarve ilustrohet më së miri nga fakti që SIPA mori me vete ekipe gazetarësh të cilët filmuan dhe fotografuan të arrestuarit,” shkruhet në një koment në faqen e internetit Vijestiummeta, duke argumentuar se ekspozimi mediatik ka kompromentuar të drejtën e të dyshuarve për prezumimin e pafajësisë.
Vijestiummeta iu referua një operacioni të kryer në Gornja Maoca në veri-lindje të Bosnjës në shkurt 2010, kur rreth 600 policë morën pjesë në një operacion për ndalimin e tetë njerëzve, përfshirë Nusret Imamovic, të dyshuar si udhëheqës i bashkësisë Vahabite në zonë. Që të gjithë u liruan më vonë pa u akuzuar për asgjë.
I arrestuar të mërkurën e kaluar qe edhe Hamdo Fojnica, babai i një të dyshuari si luftëtar mysliman që u vra së fundmi në Irak.
Emrah Fojnica vdiq ndërsa dyshohet se po kryente një sulm vetvrasës me bombë, sipas Vijestiummeta, e cila raportoi se babai i tij qe i lumtur që djali i vdiq në një mënyrë të tillë “heroike”.

“Siç thanë akticistët nga rrjetet shoqërore, ai [Emrah Fojnica] qe i gatshëm të kryente një operacion shehid [martirizimi], nëse qe e nevojshme. Të njëjtat burime thanë se babai i tij qe i lumtur dhe tha ‘Tekbir’ [Allahu Ekber] kur e morën në telefon për t’i dhënë lajmin se djali i tij kishte vdekur,” raportoi Vijestiummeta.
Në vitin 2011, Emrah Fojnica u akuzua se pati ndihmuar Mevlid Jasarevic të sulmonte ambasadën e SHBA-ve në Sarajevë, por u lirua më vonë për shkak të mungesës së provave. Jasarevic u dënua me 15 vjet burg për kryerjen e një sulmi terrorist në të cilin një polic u plagos.
Mirza Kovac, një avokat nga Sarajeva i cili mbrojti Emrah Fojnica në atë kohë dhe ia doli të provojë se ai nuk qe i pëfshirë në sulmin ndaj ambasadës së SHBA-ve, tha se klienti i tij dukej i shkëputur nga realiteti.
“Ai qe një djalë i mirë, por qe i çuditshëm,” tha Kovac për Balkan Insight. “Qe sikur ai ndodhej në një botë tjetër, me një të kuptuar tjetër të realitetit.”
Kur u kontaktua nga BIRN, familja Fojnica refuzoi të komentojë mbi arrestimin e Hamdo Fojnica.
Gjithsesi, shtatë nga 16 të dyshuarit u liruan më vonë dhe media vendëse raportoi se njëri prej tyre qe Hamdo Fojnica.
Azinovic spekuloi se arrestimet e javës së kaluar qenë pjesë e një sulmi më të gjerë ndërkombëtar mbi rekrutuesit e xhihadit.
“Kjo dukshëm është pjesë e një përpjekjeje ndërkombëtare që mund të shihet në disa vende të tjera si Kosova apo Britania e Madhe,” tha ai.
Muajin e kaluar policia në Kosovë arrestoi 40 njerëz me dyshimin se qenë anëtarë në grupime terroriste të lidhura me Shtetin Islamik.
“Është e njohur se njerëzi tanë janë përfshirë në atë që po ndodh në Irak dhe në dhunën e ISIS, ata po marrin pjesë në kryerjen e dhunës atje,” tha Azinovic.
Duket se sigurtë se pavarësisht kritikave nga familjet e të arrestuarve dhe islamistëve të vijës së ashpër, autoritetet e Bosnjës do të vijojnë me goditjet kundër të dyshuarve se po sigurojnë luftëtarë për forcat kryengritëse në Siri dhe Irak.
Agjencia Shtetërore e Hetimit dhe Mbrojtjes ka thënë se nuk mund të japë shumë detaje mbi operacionin e javës së kaluar ende, por drejtor i saj, Goran Zubac, ka premtuar se do të ketë më shumë arrestime këtë javë.