Nga netët nuk lindi ndonjë kryevepër, megjithëse 44 pjesë u paraqitën. bollik i madh.
Netët e leximit të dramës shqipe patën nëntë pjesë. Në fakt tetë, sepse Mihal Luarasi me pjesën “Kolltuku magjik” qenka tërheq. Ou, po nga ku u tërhoq shoku Luarasi se pjesa u lexua? Ai e hoqi atë xhevahir nga duart tona dhe do ta gëlltisi prap. Dorë kishte heq edhe Stefan Çapaliku, pjesa e të cilit “Prova të një vdekje të paralajmëruar” ishte përzgjedh po nuk u lexua. Ruzhdi Pulaha kishte qenë në Amerikë. Kjo e bëri paksa të komplikuar këtë mekanizmin e përzgjedhjes. Dramatugu duhet ti bjeri mbrapa pjesës që ta çojë në lexim, apo në momentin kur ajo evidentohet për vlera përcillet te publiku. Në vend të tyre u lexuan “Shtëpia pa dritare” e Sajmir Gongos dhe “Misto” nga Naun Shundi.
Nga netët nuk lindi ndonjë kryevepër, megjithëse 44 pjesë u paraqitën. bollik i madh. Spektatorët ishin më të pakët dhe kishte një mesatare prej 60 vetash, me një prani serioze prej spektatorësh të interesuar përkohësisht për artin. Nga teatro të tjerë qytetesh e periferishë nuk erdhi njeri, dramaturgë a si a qysh nuk kishte hiç. Dy tre kritikë dhe staf i teatrit kombëtar dhe familjarë e dashamirës. Ndonjë producent që nuhat leverdi nuk mblodhi njerëzit nëpër grupe që të qeshin me zë të lartë dhe pastaj të gëzuar ti shkojnë pijetores. Ai mund të mos ishte aty.
Përshtatja e gjuhës me kontekstin social-kulturor është problematike gjithandej. Realizimi i nuancave që e shfaqin kohën e frymën kur jeton gjuha e përdorur për shkrimin e veprës plotësohet me tematikë që i bën sa më shumë thirrje përvojës moralo-estetike që kalitet përditë.
Vetvrasje në grup, individualo-racionale, që shmanget, na ofron Mustafa Tukja, nëpër intervista televizive, tek “Të ftuarit.” Pesë a gjashtë veta. “Kolltuku magjik” na lexoi 84 faqe gazetash me lajme nga vendi për një orë e pak. “Misteri i trekëndëshit të Bermudave” kishte një artikulim transhendental të një takimi përfituesish organesh trupore si zemra, veshka shtylla kurrizore, mushkëria, etj prej trupit të djalit të vdekur të një nëne që edhe vetë kishte vdekur vjet dhe organizonte gjithçka. Në kurrkundin e largët të fundit të botës. Odise Plaku kishte një vepër për emigrantë ndoshta shqiptarë e familjarë të vendit pritës që përçahen nën peshën modernitetit urban e individualist. Tematika nuk është problematike, por realizimi çalon ndjeshëm. Zgjidhja e pjesës është e paqartë marrëdhëniet prezantojnë shumë njerëz nga pak, ngjarjet nuk justifikojnë ndjenjat që krijohen. “Misto” nga Naun Shundi ishte një antologji e humorit replikor prej tavolinave artistiko-gurmazhapura të një moshe të caktuar, “Horoskopi babilonas” një farsë reale batutash prej autori të padistancuar prej subjektit të vet. Saimir Gongo me “Shtëpinë pa dritare” mblodhi njëfarë simpatie megjithëse pjesa i përket një zhanri me lehtësi të tepruar .
Pirro Mani dhe Arta Arifi kishin përzgjedh qasje të ngjashme për nga thirrja që ato paraqesin për publikun: periudhën e komunizmit dhe urbanizimin familjar. I pari me një komedi kurse tjetra me një tragjedi. Edhe në këtë rast, si në veprat e tjera ka tepri në përpjekjen për fitimin e pëlqimit me strategjinë e coptimit të subjektit të ngjarjes në shumë copa, interesi për të cilat hamendësohet i garantuar. Informacion mbushës plot, edhe ky nga menuja e interesit ditor.
Në botën e medias virtuale njihet e pranohet nevoja për ritëm të lartë dhe ndryshime të shumta të bartësit vizualo-gjuhësor të mesazhit dhe vetë mesazhit. Vëmendja mbahet me ndryshim, përndryshe ajo që zëvendësohet je ti. Prania e kësaj në teatër, tek ne, ndikohet edhe prej faktit se nuk ka shumë informacion mbi spektatorin, madje ai mungon. Interesi i publikut hamendësohet përmes sterotipesh që sillen prej situatash jashtë frymëzimit artistik.
Realizmi kolektiv e etiketova unë frymën që karakterizoi pjesën në këto netë të leximit. Kolektiv në kuptimin që autori e kërkon subjektin e vet tek interesat e kolektivit, që nga ana e vet ka një nivel më të lartë mobilizimi se komuniteti apo individi. Kolektivi komunikon me parrulla e kategorizime.
Kolektivi mbetet përcjellës i frymës idealiste dhe pritës i vullnetit për mbushje dhe përmbushje prej kapitalizmit. Kolektivi është ulur, pranë natës së vonë, përbri autorit që po shkruan.
Por është realizëm. Vetvrasja, familja që po cahet, korrupsioni, harbutëria e kryenecësia, marrokëria janë prej realiteti. Tematikat vuajnë familjaritet të tepërt. Gjithçka është e dëgjuar nëpër prralla, lajme, biseda nëpër tavolina, nëpër shpi a rrugë.
Teknika që duhet ta dobësonte ndjesinë se tashmë gjithcka është thënë e dëgjuar është kaq e vështirë dhe e patentuar.
Centralizimi ishte një shteg që mbrëmjet duhet ta kishin ëndërruar më qartë se ku kalonte. Por kjo nuk ndodhi. Centralizimi i teatrit në Shqipëri po vjen si një domosdoshmëri. Strukturat kombëtare për teatrin duhet të garantojnë një lëvizshmëri më të madh për vepra e aktorë në territorin e vendit. Fitimi të ndiqet më me kujdes dhe vëmendja më e madhe ndaj burimeve. Duhet të rirekrutohet spektatori. Dhe kjo ka nevojë për burime e energji që vetëm padishahu i shpërndan.
Teatri shqiptar është një aktor që duhet të kontribujë në përcaktimin e ca kufijve të brendshëm dhe kanaleve të komunikimit tek komuniteti shqiptar.
Nuk mund të mbesë më teatri nën kujdes të vetëqeverisjes vendore. Reforma territorjale do ta zhysë në hutim teatrin bashkiak të anemizuar gjithandej. Qytetet janë rritur, mirëqenia është rritur, kultivimi është rritur, dhe teatri nuk ka vëmendje të shtuar.
Edhe në qendër ka nevojë për rritje të ambicjeve, konkurencës së vërtetë dhe dëshirës që gjërat të shkojnë mirë që të ketë ndriçim të spektatorit e fitim ekonomik.
Një katërvirat i akademisë (universiteti,) teatrit, ministrisë dhe politikanit pranë thesit buxhetor, ose personal, duhet të mendojë një plan biznesi për rrjetin në gjithë degët e veta. Shfrytëzim më i mirë i kafeneve në ato ambjente dhe kthimi i tyre në pole për qytetin, shfrytëzim sa më efikas të buxheteve të njësive të qeverisjes vendore, pjesët që shihet se tërheqin interes diku ta kenë më të lehtë arritjen e audiencave tjetërkund dhe ti vjelin ato pare e ta pasurojnë jetën shoqërore jashtë metropolit. Le të jetë më e hapur dhe më pranë mundësia e atyre që tentojnë karrierën në qendër të vijnë prej qyteteve të tjera.
Le të emërohen drejtorët e teatrove si dikur prej qendrës. Ai që bind qendrën disi më të ngopur dhe kultivuar le të provojë në rreth. Është plot me artistë që do donin me shku diku me ba diçka me ca lekë.
Shkolla publike e private të ftohen ti marrin me qera ambjentet për aktivitete të tyre dhe tu shitet asistencë artistike. Kurse private për aktrim. Agresivitet dhe kultivim në gjurmimin dhe sigurimin e mbështetjes prej donatorë të huaj apo vendas. Dihet që fillimi do jetë i vështirë, po marrëdhënia me median është e mirë dhe si thamë kushtet të favorshme.
Kjo në rrafshin menaxherial. Në atë artistik duhet ti mësohet njëfarë njerzillëku artistit. Nivele të tilla ekscentrizmi që hasen ndër artistë janë normale për aktorë të një talenti të veçantë që u është pranuar nga publiku masiv ose për njerëz me forma të lehta cregullimi në komunikimin social por normali nuk ka pse të jetë shpërfillës në këto masa, të paktën jo brenda llojit dhe jo nën lëkura të tjera veç personales. Një kritikë e vazhdueshme dhe me popullaritet duhet kultivu.
Këta njerëz si rëndom ndër ne nuk e marrin shumë seriozisht detyrën. Lexohet pak, komunikimi për vepra e art duket i mangët. Administratori është i frymëzuar dhe krijuesi apo interpretuesi llogaribërës. Shfrytëzimi i bahces tej limitit e erodon gjithë kodrën ku është shtëpia prandaj ka nevojë për rritje të unitetit të brendshëm. Jam dakort këto janë fenomene që janë kudo në rrafshin personal, por organizimi kolektiv, ku këto hasen ndër artistët tanë, është marrë i gjithi me ba “realizmin kolektiv” në vepër.