Pasioni i një njeriu për rafting është transformuar në një industri turistike në një nga zonat më të largëta dhe të bukura të Shqipërisë.
Si shumë fëmijë të gjeneratës së tij në qytetin e vogël të Çorovodës në mes të viteve 1980, Zamir Spathara kaloi shumicën e kohës duke plluskuar mbi kanionet e lumit Osum mbi një kamerdare kamioni ose traktori.
“Sa herë që shkoja poshtë nëpër rrymë, zemra më ndalonte dhe nuk e besoja se diçka kaq e bukur ekzistonte në Shqipëri,” rikujton Spathara.
“I vura vetes qëllim ta bëj të njohur kanionin, sado që e pabesueshme ngjante kjo për shokët e mi në atë kohë,” shton ai.
Nën regjimin Stalinist të Enver Hoxhës, Shqipëria qe një nga vendet më të izoluara në botë, e krahasueshme me Korenë e Veriut sot.
Gjithsesi, që nga rënia e Komunizmit më 1991, turistët kanë filluar të shtohen ngadalë por në mënyrë të vazhdueshme dhe kanionet e lumit Osum tashmë janë një nga destinacionet më popullore në vend.
Kanioni është 13 kilometra i gjatë me shpejtësi të klasës së dytë, me një ekosistem unik makiesh Mesdhetare, e përbërë nga shqopë dhe drizë.
Kanioni ka një gjerësi nga katër në 35 metra dhe lartësi deri në 70 metra me ujëvara të shpeshta dhe shpella të krijuara nga erozioni nëpër shkëmbinj.
Operatorët turistikë të rajonit të Beratit thonë se rreth 3 mijë turistë morën pjesë në ekspedita raftin në vitin 2013 dhe numri pritet të jetë shumë më i lartë këtë vit.
Fillimi nuk qe i lehtë për Spatharën. Pasi komunizmi ra, ai emigroi në Itali ku mori një çertifikatë si instruktor dhe udhërrëfyes në një qendër ndërkombëtare raftingu.
Me pajisje të dhuruara nga miqtë italianë ai u kthye në Shqipëri 15-vjet më parë dhe filloi të praktikojë këtë sport, fillimisht në mënyrë individuale dhe më pas në mënyrë profesionale, përmes organizatës së tij Albania Rafting Group.
“Kjo eskperiencë [në Itali] më ndihmoi ta bëj ëndrën time realitet,” thotë Spathara.
Ndërsa sporti u rrit, u krijua Federata Shqiptare e Rafting më 2011 me Spatharën si president.
Më herët këtë vit, ai pati shansin të drejtojë kryeministrin Edi Rama në një ekspeditë në kanion. Rama më vonë e përshkroi eksperiencën si “fantastike”.
Përveç lundrimeve në Kanionin e lumit Osum, organizata e Spatharës ofron edhe udhërrëfyes për ecje në mal si dhe shëtitje me rafting përgjatë lumit Vjosa pranë qytetit të Përmetit në Shqipërinë e jugut.
Spathara vëren se pas vizitës së Ramës, qeveria premtoi se do të përmirësojë rrugën e vjetër nga Çorovoda për në Përmet, duke i kursyer turistëve shumë orë udhëtim që kërkohen sot nga një rrugë alternative.
“Duke ndërtuar rrugën për të lidhur rajonin e Skraparit me Përmetin, turistët do të mund të udhëtojnë drejtpërsëdrejti dhe të eksplorojnë vende të reja,” thotë ai. “Kjo do t’i nxisë ata t’i përfshijnë këto zona në hartën e pushimeve të tyre,” shton Spathara.
Blerina Ago, menaxhere te Albania Rafting Group, vëren se organizata po punon gjithashtu për të zgjeruar operacionet e veta, nga rafting te promovimi i ekoturizmit në zonën e Skraparit, me paketa që synojnë të zgjasin kohën e qëndrimit në disa ditë dhe që po sjellin ndikim pozitiv në industrinë turistike vendëse.
“Një nga objektivat e organizatës tonë është të maksimizojmë leverdinë ekonomike nga ky aktivitet në mënyrë që të krijojmë vende të reja pune përmes zhvillimit të ekoturizmit,” thotë ajo.
“Përmes aktiviteteve tona ne kemi qenë në gjendje të rrisim numrin e netëve të qëndrimit për turistët që vizitojnë zonën,” thotë ajo.
Kastriot Bundo, pronari i një hoteli në Përmet, vëren se raftingu është bërë burimi kryesor i të ardhurave për shërbimet turistike të zonës.
“Përmeti ka hyrë në axhendën e agjencive turistike dhe sporteve të eksplorimit,” thotë ai. “Rafting në veçanti ka parë rritje të vazhdueshme ndërsa ne si operatorë po përpiqemi t’i përgjigjemi kërkesave të turistëve duke zgjeruar kapacitetet akomoduese dhe duke përmirësuar shërbimet.”
Sipas Bundos, krahas vendësve, turistët vijnë nga vende si Britania e Madhe, Gjermania dhe Austria por edhe nga Lindja e Mesme.
“Unë zbulva këtë vend në YouTube dhe vendosa ta vizitoj për shkak se ka natyrë shumë të bukur dhe të shton andrenalinën,” thotë Ana, një turiste çeke që u bashkua me një ekspeditë rafting këtë verë në kanionin e lumit Osum.
“Gjithçka është perfekte për një tur këtu,” shton ajo me buzëqeshje.
Nëntor Oseku, një avokat nga qyteti i Gjakovës në Kosovë, i cili ka udhëtuar nëpër Shqipëri shumë herë në kërkim të vendeve të paeksploruara është dakord; rafting nëpër kanione i jep atij ndjenja që vështirë se mund të shprehen me fjalë, thotë ai.
“Është një eksperiencë e paharrueshme që lehtëson të gjitha streset e punës,” thotë Oseku. “Adrenalina që merr është e paçmueshme.”